E Diel, 1 Nëntor 2026

Ombdusmani bullgar: Sistemit gjyqësor t’i shtohet sa më shpejt Gjykata Administrative



Ombdusmani Parlamentar i të Drejtave të Njeriut të Republikës së Bullgarisë, z. Ginyo Ganev, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë, i shoqëruar dhe nga homologu i tij shqiptar, z. Ermir Dobjani, është pritur paraditen e djeshme nga anëtarët e Gjykatës së Lartë të vendit tonë. Anëtarët e Gjykatës së Lartë, kryesuar në këtë takim nga kryetari i Kolegjit Penal, z. Gani Dizadari, kanë bërë një përshkrim të detajuar të sistemit gjyqësor në vendin tonë, si dhe e kanë njohur z. Ganev me sistemin e funksionimit të gjykatës ku bëjnë pjesë. Sipas anëtarëve, shkëmbimi i eksperiencave me vendet e Ballkanit, tashmë pjesë e Bashkimit Evropian prej 2007-s, do t’i jepte drejtësisë dhe gjyqësorit shqiptar një ndihmë konkrete për të arritur nivelet e kërkuara ndërkombëtare, jo vetëm në sektorin e gjyqësorit, por të të gjithë drejtësisë dhe fushës së mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Gjatë takimit, anëtarët e Gjykatës së Lartë theksuan rëndësinë e shkëmbimit të vizitave të tilla, të cilat nuk duhet të jenë vetëm të nivelit zyrtar, por dhe mbajtjen e kontakteve të vazhdueshme në shërbim të rritjes së bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Bullgarisë në fushën e drejtësisë dhe veçanërisht gjyqësorit. Nga ana e tij, z. Ganev, pasi bëri një përshkrim të sistemit të drejtësisë dhe gjyqësorit në vendin e tij, ka vlerësuar pa masë shkëmbimet e këtyre vizitave, duke e vënë theksin se tashmë ato do të jenë edhe të niveleve teknike dhe më bashkëpunuese, veçanërisht në zbatimin e praktikave në kuadër të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Sipas tij, sistemit të gjyqësorit në Shqipëri duhet t’i shtohet sa më shpejt Gjykata Administrative, e cila është një nga kërkesat kryesore të Bashkimit Evropian, si një nga mbështetëset kryesore të të drejtave të njeriut, që ka të bëjë thelbësisht me një administrim të mirë, si një e drejtë kushtetuese e çdo qytetari. Institucioni i Avokatit të Popullit në Bullgari, sipas z. Ganev, është i angazhuar në zgjidhjen sa më të shpejtë dhe efektive të të gjitha çështjeve shumë të diskutuara në vendin e tij, jo vetëm në rastet kur vihemi përballë shkeljeve të ligjit, por edhe në ato raste kur e drejta është e rrezikuar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›