Dilema ekzistenciale e Izraelit
Edhe para daljes së një koalicioni të ri, zgjedhjet e fundit në Izrael qenë historike. Shënuan shembjen e laburistëve, partia që me të drejtë mund të thotë se e ka themeluar Izraelin dhe ka prodhuar kryeministrat e tij më të njohur, nga David Ben-Gurion (si kryetari i paraardhësit të laburistëve, Mapai-t), e deri te Golda Meir e Yitzhak Rabin. Mbeturina e fundit e laburistëve është Shimon Peres, i cili, për ironi, është presidenti i shtetit, vetëm pse dha dorëheqjen nga partia. Spektri politik i Izraelit tani është i dominuar nga tri grupe djathtiste: Likud, Kadima (degë e Likudit, e formuar nga Ariel Sharon) dhe Yisrael Beytenu, një parti e emigrantëve rusë. Por, ndërsa shumica e komentuesve përqendrohen në të ardhmen e procesit paqësor dhe zgjidhjes me “dy-shtete”, një pyetje më e thellë dhe më ekzistenciale është duke u rritur brenda zemrës së Izraelit.
Është një pyetje e parashtruar nga fituesi më i madh i zgjedhjeve: Avigdor Lieberman. Partia e tij, Yisrael Beytenu, fitoi 15 vende, në vendin e tretë, por me një fitore të madhe të fuqisë në sistemin e Izraelit. Pavarësisht nëse qeveria e re do ta përfshijë atë, Lieberman dhe çështjet e tij kanë lëvizur në skenën qendrore. Njëlloj siç i denoncon me tërbim militantët e Hamasit dhe Hezbollahut, shënjestra e tij numër një është pakica arabe e Izraelit, të cilët i ka quajtur një kërcënim edhe më i keq sesa Hamasi. Ai ka propozuar dëbimin efektiv të disa qindra-mijëra qytetarëve arabë njëanshëm duke i ridizenjuar disa qytete veriore izraelite si pjesë të Bregut Perëndimor palestinez. Një grupi tjetër të disa qindra-mijëra arabëve mund t'u hiqet shtetësia, ngaqë nuk plotësojnë kushtet si përbetimi i besnikërisë dhe shërbimi i detyrueshëm ushtarak (nga e cila arabët e Izraelit tani janë të shkarkuar). Martin Peretz i Republikës së Re, një sionist i pasionuar dhe kritik i lëvizjes paqësore, e thërret Liebermanin një “neofashist... një gangster i certifikuar... ekuivalenti izraelit i Jörg Haider-it të Austrisë.” Asnjë demokraci liberale që njoh unë që nga Lufta e Dytë nuk ua ka hequr të drejtën e qytetarit apo nuk i ka dëbuar qytetarët e vet. Arabët izraelitë të sotëm janë pasardhësit e afro 160,000 arabëve, të cilët qëndruan në tokat që u bënë Izrael në vitin 1948. Numri i tyre tani qëndron në 1.3 milionë, 20-përqindëshi i popullatës totale të Izraelit, dhe demografët parashikojnë se gjer në vitin 2025, ata do të përbëjnë një të katërtën e popullit të këtij shteti. Pos shkarkimit që kanë nga ushtria, ata kanë të njëjtat të drejta ligjore dhe detyrime si qytetarët e tjerë të Izraelit. Por ata përballen me diskriminim në shumë aspekte të jetës, duke përfshirë imigrimin, pronësinë e tokave, edukimin dhe punësimin. “Kjo pabarazi ka qenë e dokumentuar në një numër të madh të sondazheve personale dhe të studimeve, është konfirmuar nëpër gjykime të gjyqeve dhe rezolucione të qeverisë, dhe gjithashtu ka gjetur shprehje në raportet nga llogaritësit shtetërorë dhe dokumente të tjera zyrtare”, - konkludoi gjykatësi i dalë në pension i Gjyqit të Lartë, Theodor Or, në një hulumtim zyrtar të intifadës së dytë. “Edhe pse njohja e këtij diskriminimi prej shumicës çifute është shpesh shumë e ulët, kjo luan një rol qendror në sensibilitetet dhe në qëndrimet e qytetarëve arabë. Ky diskriminim gjerësisht është i pranuar... si shkaku kryesor i trazirës.” Antipatia është e dyanshme. “Njerëzit, të cilët qëndruan, nuk kanë imigruar këtu, ky është shteti ynë”, - deklaroi Azim Buishara, ish-anëtar arab i Knessetit, i akuzuar për rebelim, për shkak se kishte shprehur përkrahje ndaj Hezbollahut. “Kjo është arsyeja, pse nuk mund të na përfshini në çështjet e besnikërisë. Ky shtet erdhi këtu dhe u imponua mbi rrënojat e kombit tim. Unë e pranova shtetëzimin, në mënyrë që të mund të jetoj këtu, dhe nuk do të bëj asgjë, kur është në fjalë siguria, kundër këtij shteti. Nuk do të konspiroj kundër shtetit, por nuk mund të më pyesësh çdo ditë se a jam besnik ndaj shtetit. Shteti kërkon nga unë që të jem besnik ndaj ligjit, por jo edhe ndaj vlerave dhe ideologjive të shtetit. Mjafton që të jesh besnik ndaj ligjit.” Me dekada arabët e Izraelit qëndruan besnikë ndaj ligjit dhe besnikë ndaj shtetit gjatë shumë luftërave të tij me fqinjët. Tani kjo besnikëri po zbehet. Arabët izraelitë, edhe ata, të cilët janë të krishterë e jo myslimanë, nuk votojnë më për partitë kryesore të Izraelit. Pavarësisht pjesëmarrjes së ulët, partitë arabe kaluan mirë në këto zgjedhje, duke fituar afro 11 vende në Knesset. Partitë arabe kurrë nuk janë ftuar në qeveri, gjë e cila kufizon ndikimin e popullatës arabe në politikat e Izraelit. Për Izraelin, të rregullojnë marrëdhëniet e tyre me pakicën arabe, është më e rëndësishme tash se sa të merren me Hezbollahun apo presidentin iranian, Mahmoud Ahmadinejad. Izraeli tani duhet të vendosë se si do të merret me arabët në mes. Sado ekstreme që mund të tingëllojë thirrja e Liebermanit që t'i lëçitë këta, duket se ka rezonuar me shumë izraelitë të tjerë. Beniamin Netanyahu ka paralajmëruar se arabët e Izraelit përbëjnë një bombë demografike me sahat. Ai e quan këtë të papranueshme. Benny Moris, dikur një historian i butë, i cili mbajti kronikë të dëbimit të detyruar të shumicës së palestinezëve nga shteti çifut në vitin 1948, tani i është kthyer argumentit se Izraeli duhet ta mbrojë veten nga arabët, të cilët tash jetojnë përbrenda kufijve të tij. “Ata janë shtylla potenciale e pestë”, - paralajmëroi para pesë viteve gjatë një interviste në Haaretz. “Kur është në fjalë edhe çështja demografike, dhe ajo e sigurisë, arabët mund të gërryejnë shtetin nga themeli... Nëse kërcënimi ndaj Izraelit është ekzistencial, dëbimi do të justifikohet.” Është një spirale e rrezikshme: sa më i keq që të bëhet mosbesimi, arabët e Izraelit ndiejnë aq më pak besnikëri ndaj shtetit të tyre dhe e kundërta. Zgjedhjet e javës së kaluar e kanë sjellë këtë çështje në sipërfaqe. Zgjidhja e saj do të përcaktojë të ardhmen e Izraelit si shtet, si shtet çifut dhe si një demokraci.