E Shtunë, 31 Tetor 2026

I ftohti, dynden urgjencat me 400 pacientë në ditë

 

Dyndje në urgjenca si pasojë e të ftohtit. Vetëm dje në Spitalin “Nënë Tereza” janë paraqitur rreth 400 pacientë. Fluks ka pasur jo vetëm në pediatri e kardiologji por edhe në Spitalin Infektiv. Por me gjithë numrin e lartë të të sëmurëve, Ministria e Shëndetësisë mohon sërish epideminë gripale. Sipas drejtuesve të këtij dikasteri, shifrat flasin për prag epidemie. “Sipas statistikave nga ISHP, jemi në atë që quhet ‘pragepidemie’, por infeksionet gripale janë sezonale dhe jo jashtë tij”, u shpreh dje zv.ministri Arben Ivanaj, duke garantuar se strukturat shëndetësore janë në gatishmëri dhe po monitorojnë çdo ditë situatën. Ndërkohë bazuar në të dhënat e QSUT, çdo ditë pranë Spitalit Pediatrik paraqiten rreth 200-220 fëmijë me simptoma të gripit, kryesisht temperaturë, rrufë, por nuk mungojnë as rastet me komplikacione. Për këtë kategori mjekët këshillojnë shtrimin  1- 2 ditë në spital. Në shërbimin e kardiologjisë marrin trajtim mjekësor rreth 100-120 persona në ditë, ndërsa numri i pacientëve të paraqitur pranë shërbimit të infektivit arrin në rreth 50-60 në ditë. “Pacientët paraqiten me simptoma gripale të stinës, kryesisht temperaturë të lartë, dhimbje koke, shenja rrufe dhe më rrallë me shenja gastroendokrinale (të vjella, etj)”, sqarojnë mjekët. Sipas tyre, menjëherë pas shfaqjes së simptomave të para, të sëmurët duhet të të mbajnë nën kontroll temperaturën, të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe të ngrohta. Ata vënë theksin në  mospërdorimin e antibiotikëve në fazat e para të shfaqjes së virozave gripale. “Antibiotikët duhet të përdoren vetëm pas kontrollit te mjeku dhe në bazë të rekomandimeve të tij”, pohojnë specialistët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›