E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizimet, Rama: Tapi të reja, jo si ato të Shabanit

 

Aristir Lumezi

Nga Kamza, Kryetari i PS-së, Edi Rama u premtoi banorëve tapi të reja duke i bërë ata pronarë realë të shtëpive të tyre. Gjatë një takimi me vullnetarët e PS-së në këtë zonë, Rama u tha banorëve se legalizimi që tenton të bëjë sot qeveria nuk ka asnjë vlerë.  Kryetari i PS, Edi Rama, premtoi në këtë takim se me fitoren në zgjedhjet e 28 qershorit, të gjithë banorët e zonave përreth qyteteve të mëdha, do të marrin një tapi me vlerë për pasuritë e tyre të paluajtshme e për investimet e të ardhmes së tyre: “Unë jam këtu për t’i parë në sy përmes jush të gjithë të ardhurit që kanë ndërtuar themelet e së ardhmes të familjeve të tyre në shtëpitë pa leje rreth Tiranës dhe rreth të gjitha qyteteve të mëdha të vendit, dhe për t’ju thënë se me fitoren e 28 qershorit do të marrë fund edhe pritja juaj. Qeveria jonë e bashkimit të ri, pa dallim feje, krahine dhe ideje, do ta përfundojë legalizimin, jo duke u dhënë në dorë një Shaban-tapi, pa asnjë vlerë, por duke ju kthyer pasuritë tuaja të paluajtshme, duke e kthyer në pasurinë tuaj të paluajtshme, shtëpitë, që politikanët për interesa elektorale ua mbajnë peng tash 10 vjet”, tha Rama. 
Kryetari socialist, duke folur para banorëve të një prej zonave më të mëdha informale në vend, shigjetoi Kryeministrin Berisha, si njeriun kryesor që theu besimin e qytetarëve për sa i takon procesit të legalizimit, si një premtim i pambajtur prej tij: “18 vjet me radhë të ardhurit e kësaj hapësire pa shtet, ia lanë fatin e tyre në dorë Sali Berishës, dhe 4 vjet pasi ai erdhi në pushtet për të dytën herë, Sali Berisha nuk ua ktheu, por ua theu besimin, duke e kthyer edhe procesin jetik të legalizimeve në një maskaradë politike papërgjegjshmërie, paaftësie dhe korrupsioni, duke përjashtuar pushtetin vendor nga ky proces i domosdoshëm, në mënyrë anti-kushtetuese”, tha Rama. Për kreun socialist, me fitoren e 28 qershorit, do të fillojë edhe fundi i kaosit në hapësirat informale, ku PS do të investojë fuqimisht si asnjëherë më parë në të gjitha këto vite, për kanalizime, rrugë, ndriçim, për çerdhe, kopshte e shkolla, dhe do t’i integrojë këto hapësira në kryeqytet dhe në qytetet të tjera, sepse sipas Ramës, nuk mund të ketë një Shqipëri evropiane në Tiranë dhe një Shqipëri mesjetare në Bathore, apo rreth qyteteve të tjera të vendit. Menjëherë pas miratimit të ligjit të legalizimeve, socialistët e kanë kundërshtuar atë, si një ligj që nuk sjell urbanizimin e banorëve të këtyre zonave, ndërsa kryetari socialist i kërkoi presidentit të mos e dekretojë atë, si një ligj që u miratua në Kuvend vetëm me 55 vota pro. “Dua ta ftoj Presidentin e Republikës të mos e dekretojë paketën e ndryshimeve absurde me karakter thellësisht politik, me frymëzim tërësisht primitiv, bazuar vetëm e vetëm në nevojën e këtij pushteti për të mbledhur vota, duke manipuluar të gjithë qytetarët e këtij vendi, duke manipuluar edhe vetë ata që janë banorë të zonave informale dhe duke minuar në mënyrën më të papërgjegjshme të ardhmen tonë të përbashkët” iu drejtua atëherë Rama Presidentit Topi. Ndërsa shoqata “Pronësi me Drejtësi”, përmes kryetarit të saj Agim Toro, e ka cilësuar këtë ligj si inkurajim për ndërtime të tjera të pakontrolluara që prej miratimit të tij.

Më shumë se 20 mijë ndërtime të legalizuara
Agjencia e Legalizimeve, ALUIZNI, ka dhënë deri tani më shumë se 20 mijë leje legalizimi, të cilat më pas kanë kaluar në zyrat e regjistrimit të pronës, duke i bërë këta banorë pronarë të ligjshëm të ndërtimeve të tyre. Ndërkaq në proces legalizimi janë disa dhjetra mijëra ndërtime të tjera. Në zyrat e ALUIZNI-t janë depozituar më shumë se 150 mijë dosje, të cilat presin përpunimin e tyre në terren. Kreu i kësaj agjencie, Shaban Memia ka premtuar se ky proces do të përfundojë brenda vitit 2009, ndërkohë që llogariten se në të gjithë vendin numërohen rreth 350 mijë ndërtime pa leje. Menjëherë pas ardhjes në pushtet, qeveria e djathtë bëri një riorganizim të Komitetit Shtetëror të Kthimit të Pronave, duke e shndërruar atë në një Agjenci shtetërore. Ligji i ri i Legalizimeve, që u hartua, kaloi përmes kritikash dhe ishte Gjykata Kushtetuese që rrëzoi një kërkesë të ish pronarëve që kërkonin një raport më të drejtë mes tyre dhe zaptuesve të tokave, ndërtimet e të cilëve hynin në proces legalizimi.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›