Për 3 muaj, interneti në të gjitha shkollat e vendit
Brenda 3 muajve të gjitha shkollat e vendit do të kenë linjën e internetit. Ministria e Arsimit dhe e Shkencës firmosi dje kontratën me kompaninë Albtelekom, që do të shtrije rrjetin në 2017 institucione arsimore. Vlera e këtij projekti ambicioz arrin në plot 1 milion dollarë. Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, ministri Beja theksoi se me këtë kontratë përmbyllet një fazë e rëndësishme e projektit madhor të MASH, “TIK-shkolla”. “Me instalimin e internetit për një periudhë kohore të shkurtër, do të shfrytëzohen mijëra kompjuterë, që janë shpërndarë nga ministria në ditët e fundit në të gjitha shkollat e Shqipërisë”, tha Beja. Ai nënvizoi se kontrata e nënshkruar përmban kushte shumë të favorshme për Ministrinë e Arsimit. Pos kësaj shprehu besimin se kompania më të cilën po bashkëpunohet do t’i përmbushë të gjitha detyrimet që ka, në mënyrë të tillë që të gjithë nxënësit të përfitojnë prej këtij shërbimi. “Ne duam që fëmijët tanë të jenë në avangardë të vendeve evropiane sot”, tha ministri Beja. Nga ana e tij, Drejtori i Kompanisë “Arkdogan”, pasi falënderoi bashkëpunimin me MASH, tha se kompania që drejton do të kontribuojë për modernizimin e sistemit arsimor shqiptar. “Një nga misionet e Albtelekom është për t’i shërbyer sistemit arsimor dhe shkollës shqiptare në përgjithësi”, tha ai. Drejtori i Albtelekom pohoi se në një kohë rekord, Albtelekom do të bëjë të pamundurën të çojë shërbimin e internetit në të gjitha shkollat.