Kosova kontribuon në paqen universale
Një vit më parë u bëmë dëshmitarët e një lindjeje të madhe historike. Në një nga rajonet më të trazuara të Evropës demokratike, në hapësirën ku kishin marrë shkëndijë dy Luftërat më të mëdha Botërore të civilizimit bashkëkohor, në mes të asaj që shpesh është quajtur “fuçi baruti” për Evropën, më 17 shkurt të vitit 2009, madhërishëm lindi forca, besimi, bindja e njëkohësisht vendosmëria për t’u shkëputur përfundimisht nga makthi i së kaluarës dhe shpresa e madhe për ndërtimin e një Ballkani evropian, një rajoni ku qytetarët ndihen të lirë, të barabartë dhe të sigurt për të ardhmen e aspiratave të tyre. Ky ishte shteti më i ri në botë: Kosova e pavarur dhe sovrane.
Kjo ditëlindje e parë e Kosovës na thërret të nderojmë veprën e atyre që luftuan dhe dhanë jetën për lirinë, të shprehim mirënjohje për të gjithë ata njerëz të mëdhenj dhe ato shtete mike, të cilat kuptuan, pranuan dhe vendosmërisht u rreshtuan për Kosovën e pavarur e vazhdojnë ta mbështesin atë në rrugën e saj.
Shqipëria ka qenë thellësisht e bindur për të drejtën historike të pavarësisë së Kosovës dhe mbështeti të gjitha përpjekjet për të korrigjuar padrejtësinë historike si një detyrim kombëtar të saj. Dhe jo vetëm kaq, por edhe sepse kjo përpjekje u kthye në një sfidë rajonale dhe globale. Ajo u bë pjesë e pandarë e frontit të gjerë euroatlantik që Kosova e pavarur të mos ishte vetëm ëndërr, por një realitet gjeopolitik dhe një shtet shumetnik, shembull i bashkëjetesës dhe harmonisë.
Kohët moderne kërkojnë vizione bashkëkohore, politikanë largpamës, qeveri programore, popuj tolerantë dhe shtet të së drejtës.
Gjatë këtij viti Kosova provoi se mund të përmbushë këto parime duke zbehur përpjekjet e skeptikëve dhe kundërshtarët e mbijetesës së saj.
Ajo provoi se shikon përpara. Ajo dëshmoi vullnetin e saj për t’u bërë pjesë e integrimit tonë të përbashkët.
Shqipëria do të mbështesë integrimin e Kosovës, sepse beson në të ardhmen e saj.
Ne mendojmë se ajo ndihmon zhvillimin dhe sigurinë në rajon.
Ne kemi besimin se ajo i kontribuon paqes, vlerave e parimeve universale.
Ne kemi bindjen se Kosova e pavarur, demokratike dhe sovrane do të bëhet shtet i barabartë mes të barabartëve.
*Përshëndetja në pritjen me rastin e përvjetorit të parë të Pavarësisë së Kosovës. Botohet me shkurtime