E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dilema votuesish

23/03/2005  Kush mund ta dijë se si do të votojë një ish i persekutuar, që ka mundur në këto vite ta forcojë biznesin e tij?

Cili mund të thotë se si do të votojë një tiranas i vjetër, që kohët e fundit ka marrë apartamente të reja në pronësi në shkëmbim të truallit të familjes së tij, por që është i papunë familjarisht?

Si mund të parashikohet se si do të votojnë pensionistët: si ish-partizanë, apo si shtresa të margjinalizuara shoqërore të viteve të fundit?

Kush mund të thotë nëse fshatari është i kënaqur apo i pakënaqur nga ligji për tokën? Ai nuk diskuton më nëse do t’ia marrin ose jo tokën e dhënë, halli i tij është gjetiu: Askush s’i to të se çfarë do të bëjë me këtë tokë?

Sa e ndihmojnë orientimin e elektoratit kandidaturat e reja për deputet, pra pa të kaluar politike, pa veprimtari të vërtetë akademike dhe pa pozicionime publike në vazhdimësi për hallet kolektive?

Ndodhesha përpara disa ditësh në një lokal në bregdet, duke përfituar nga rrezet e një dielli ende të druajtur, por disi të ngrohtë, të butë dhe që paralajmëronte me shpresë se, sidoqoftë, pranvera po troket në portat tona. Përpara meja shtrihej deti i kaltër, atje tej disa pulëbardha, pasi loznin sipas qejfit në ajrin e lirë, paprimtas binin në pikiatë drejt ndonjë peshku të gjorë, që notonte disi afër sipërfaqes së ujit. Tej në horizont, vaporë gati të palëvizshëm, duke pritur të hyjnë në port, e shtonin qetësinë e skenës gjigande, ndërsa midis ujit dhe rërës, në atë brez të lagësht toke, shëtisnin paqësisht njerëz gjysmë të veshur, gjysmë lakuriq.

Prapa krahëve të mi, tre burra bisedojnë për qejf të tyre, fare miqësisht, por me zë mjaft të lartë. Ndofta është dhe qetësia e mjedisit që i përhap gjithandej fjalët e bisedës së tyre rrotull një tavoline të thjeshtë, përreth disa gotave me raki a pije me ngjyrë dhe filxhanëve të kafesë.

Janë pak çakërqejf në këtë mëngjes të diele këta burra. Ca nga dalldia e pranverës që po afron, ca nga rrezet e diellit që, sidoqoftë, iu kanë ngrohur kockat e kokave, ca nga efektet e alkoolit. Por janë në atë gjendje ku dalldia nuk e humb ende arsyen, por vetëm sa zbut kontrollin e mbiunit ndaj fjalës së lirë dhe të sinqertë.

Fjalitë në të tilla raste fillojnë me betimin: «Ta them sinqerisht, për kokë të… »

Njeri prej tyre duket se është pronari i lokalit, kurse dy të tjerët janë miqtë e tij. Bisedojnë me zë të lartë për politikën. Është e pamundur të vazhdoj leximet e mia. Zhurma rritet. Fjalët e tyre dashje pa dashje përplasen në veshët e mi si mysafirë që hyjnë në një shtëpi të huaj pa marrë fare leje.

Pronari i lokalit, pa asnjë shqetësim për të ruajtur konfidencialitetin e jetës së tij personale, tregon peripecitë nga ku ka kaluar përgjatë këtyre dhjetë a pesëmbëdhjetë viteve të fundit, duke i lidhur ato me ngjarjet politike të kohës. Ka qenë ish i përndjekur politik nga regjimi totalitar. Familjarisht. Me ndryshimet demokratike në vend dhe ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike ka fituar jo pak. Ka fituar të drejtat e tij si qytetar i lirë, por mbi të gjitha ka shpëtuar nga statusi i rëndë politik, që i kishte rënë mbi shpinë në kohët e mëparshme. Për më tepër, në ato vite të para të demokratizimit përfitoi edhe një farë demshpërblimi financiar për persekutimin e dikurshëm dhe nisi një aktivitet tregtar në një zonë turistike shumë të favorshme. Miqtë e tij, atëherë në pushtet, i dhanë dorën dhe e ndihmuan për solidaritet shoqëror.

Ndërkaq, ngjarjet e vitit 1997 i kanë sjellë shumë kokëçarje, rreziqe dhe dëme për lokalin dhe tregtinë e tij. Ish-komunistët nuk i donte fillimisht, sepse i konsideronte si kundërshtarët e hershëm të tij. Aq më shumë sepse kishte edhe një farë frike se mos e detyronin të ndërpriste aktivitetin e tij tregtar, apo mos vazhdonin ta shihnin me sy të keq. Por, jo, asgjë e tillë nuk ndodhi. Përkundrazi, edhe me ca pare nën dorë, lokali u zgjerua dhe tregtia e tij në atë zonë turistike mori akoma edhe më për mbarë. Me njerëz të ndryshëm të pushtetit socialist e kishte vaj. Vinin herë pas here në lokalin e tij. S’ishin aspak ata që ai kishte pasur aq ndrojtje. S’kishin më asgjë nga urrejtja e tyre e mëparshme për lekun, pasurinë, biznesin, qejfin. Përkundrazi, dukeshin fort të prirur në këto drejtime. Ishin shumë më të dhënë pas jetës materiale, ndonjëherë edhe më tepër sesa antikomunistët e mësuar me privime, që kënaqeshin me pak, apo të ardhur nga familje të pasura, ku prona nuk jepte automatikisht të drejtën e luksit, jetës së lehtë, por përbënte një «vegël» të vështirë për t’u administruar.

Pushtetarët e rinj dukej sikur kishin lënë privilegjet komuniste për të kapur flurthi në ajër luksin poskomunist. Një vazhdimësi paradoksale, por e natyrshme. Paraja, fitimi, pasuria – elemente të një kodi që vendos pa problem kompromisin dhe dialogun midis ish të persekutuarit të kthyer në tregtar dhe ish-komunistit të kthyer në njohës të zotin të vlerës së parasë.

Zëri i burrit prapa shpatullave të mia nuk ulet për asnjë çast. Je i detyruar ta dëgjosh. Aq më shumë që në lokal, në atë orë të herët të mëngjesit nuk ka asnjë klient tjetër, veç meje. Kthehet «disku» përsëri, kësaj radhe me një melodi monotone, bazuar në notat e pakënaqësisë: Taksat janë të larta, faturat e kripura, tatimorët kërkojnë pa fund, duhen paguar ryshfete gjithandej, sepse nëpunës të administratës kërkojnë me ngulm pjesën e tyre tamam si çafka kur gjurmon peshkun budalla, që noton gati mbi ujë.

Kjo duket e ka mërzitur disi pronarin.

Opinionet e tij janë shumë të ndryshueshme, sipas çdo periudhe të jetës së tij, me pakënaqësi dhe vlerësime të ndryshme për forcat politike, që po përgatiten të hyjnë në fushatën zgjedhore dhe i kërkojnë votën.

Jam shkëputur pothuajse fare nga ajo çka po bëja më parë, i vetëm, në tavolinën time. Buzëqesh. Pyes veten se për kë do të votojë ky njeri, ky qytetar, kaq i ndërlikuar. Nuk shoh tek ai asgjë që të japë pamjen e një militanti, apo të një votuesi somnambulik që e ka bërë një herë e mirë zgjedhjen e tij politike që prej dhjetë vjetësh dhe s’shkulet që andej sikur të ishte ndonjë kokëmushkë. Aspak. Ai analizon sipas interesave të tij dhe në mënyrë fare të kthjellët. Por, pikërisht këtu lind edhe problemi tij. Ai nuk gjykon bardhë e zi. Ky njeri do ta ketë vështirë ta bëjë zgjedhjen e tij për të vendosur se cilës parti politike do t’i japë votën – mendoj. Apo, mos ndofta i brejtur nga dilemat do të vendosë trishtueshëm që atë ditë ditë të rrijë në shtëpi dhe të mos shkojë fare në votime? Apo mos do të presë të shohë se cilët do të jenë kandidatët që do t’i paraqiten në zonën e zgjedhjeve, ku është regjistruar si zgjedhës?

Po ku njihen më një pjesë e kandidatëve? Disa deputetë të dikurshëm s’janë dukur në zonat e tyre që prej disa vjetësh. Disa të tjerë s’janë parë të flasin ndonjëherë në parlament apo të iniciojnë ndonjë ligj. Disa po i ndërrojnë zonat elektorale, kurse një pjesë e kandidaturave të reja janë pa të kaluar politike dhe për to askush nuk di si të shprehet. Vetëm disa deputetë njihen mirë për identitetin e tyre të fortë dhe për linjën politike dhe karakterin që kanë.

Cili është kuptimi i fjalëve të pronarit?

Mos vallë gjithë ato opinione kontradiktore që shpreh nuk i ka veçse për konsum me zë të lartë në lokalin e tij, duke u paraqitur si «objektiv», si «pluralist», si i «paanshëm», por në fakt në mendjen e tij, në kokën e tij, tashmë e ka bërë zgjedhjen e tij që do t’ia thotë sinqerisht vetëm kutisë së votimit?

Kushedi!

*********************

Hajde parashikoje se për cilën parti politike do të votojë tiranasi denbabaden që ndodhet në pikëprerjen e interesave ekonomike nga më të kundërtat.

Përgjithësisht, dikur ai ka qenë i mërzitur me komunistët që ja shtetëzuan dyqanin, ja prishën tregtinë e vogël, pothuajse ja lanë të shkatërrohet shtëpinë përdhese a dykatëshe, trashëguar nga prindërit. Demokracia, në një farë mënyre, e lejoi që të gjitha këto t’i rikthehen. Nuk manifestonte kot dikur duke rendur me pasion pas mitingjeve të demokratëve. Por ai është disi i mbyllur. Ardhja e popullsive të tjera me furi ia ka prishur qetësinë e lagjes. Rrugicat idilike të qytetit të dikurshëm janë vetëm në kujtesën e tij. Tani mezi kalohet, sepse kudo ka makina të parkuara dhe një qarkullim që e bezdis.

Ndërkaq, këto vitet e fundit i ka «pjellë mushka». Firmat e ndërtimit i kërkojnë truallin e shtëpisë së tij për të ngritur ndërtesa shumëkatëshe. I kanë premtuar dhe i kanë dhënë disa apartamente, garazhe, dyqane. Tiranasi i vjetër sheh se ka mundësi të rifillojë në kushte të reja zanatin e vjetër të gjyshërve, atë të tregtarit të vogël. Është i prerë për këtë. Kishte një shtëpi ndofta dykatëshe, por të vjetër, rrethuar me një truall jo i madh. E hante ajo shtëpi. Disa vëllezër nën një kulm. Gratë, kalamajtë, farefisi, miqësitë. Dashuria, por edhe grindjet dhe mëritë – të gjitha nën një kulm. Fati ka ndritur për të gjithë. Në vend të një shtëpie të madhe, por të vjetër, të papërshtatshme, që kërkonte shpenzime të mëdha për t’u mirëmbajtur, ngrohur, riparuar, në derë kanë ardhur disa apartamente, ku secili nga vëllezërit mund të strehohet sipas modës së sotme.

Dyqanin e ka marrë, por tregtia nuk ecën. Blerësit janë të pakët, aq më shumë se në lagje të gjithë kanë hapur të njëjtat dyqane, shesin të njëjtat mallra, përballen në të njëjtin treg. Tatimet i konsiderojnë shumë të larta. Dyqanet i mbajnë ende hapur sepse në fund të fundit nuk paguajnë gjë për tokën apo lokalin, sepse i kanë pronë të tyre. Si shitës punojnë vetë, diku goca, diku, gruaja, ndërsa çuni dhe burri bëjnë furnizimet. Por fitimet janë të vogla dhe bihen nga dita në ditë.

Nuk dinë si të bëjnë: të jenë të gëzuar apo të mërzitur. S’dinë si të jenë: socialistë, apo demokratë, apo diçka tjetër… Aq më shumë se të dy kampet politike iu vënë për të zgjedhur si deputetë edhe persona të prejardhur nga familjet e vjetra tiranase.

Cilin të zgjedhin?

Demokracia iu dha atë që komunistët, prindërit e socialistëve të sotëm, ja u kishin marrë: sidomos pronat. Por, këtu fillon «ene davaja», sepse politika urbane e socialistëve lokalë ndihmoi që t’u shndërrohen shtëpitë e vjetra në apartamente të reja banimi. S’është pak. Iu dhanë edhe dyqane. Rreth e rrotull ka varfëri, papunësi, shkatërrim dhe në këto kohë të shohësh se si kthehet në mijëra e dhjetëra mijëra euro një truall i vogël toke, ku paradokohe dukej trembshëm vetëm ndonjë rrënjë pjergulle e prerë dhe ku shëtisnin qetë-qetë vetëm disa milingona punëtore – edhe kjo është si një lloj ëndrre.

Por tregtia megjithatë s’ecën kushedi çfarë. Me dyqanin nuk mbahet familja kur djemtë kanë mbetur pa punë dhe pa shkollë. Nuk do njeriu vetëm një vend ku të fusë kokën. Ka edhe nevoja të tjera që s’është e mundur të realizohen. Pastaj fitimet e mëdha i bëjnë të tjerët. Bash m’u mbi ish-pronat e dikurshme të tiranasve të vjetër. Një supermarket i ngritur në lagje shkatërron interesat e tregtarëve përreth. Votuesi kthehet të shikojë nga opozita që propozon të ulë taksat për biznesin e vogël. Nis të llogarisë. Vërtet gjithë këto tatime e bezdisin. Mirë do të ishte të mos ishin kaq të mëdhaja.

Sikur s’e ka keq opozita.

Por, rri e mendohet.

Tatime dhe taksa më pak do të thotë që edhe fqinjët më pak të zënë nga vafti të hapin edhe ata nga një dyqan të tyre. Edhe më shumë dyqane do të ketë në lagje. Pra, për rrjedhojë më pak blerës, më pak fitim për çdo njësi tregtare. Blerësit nuk do të shtohen si shifër absolute, por do të ndahen në më shumë njësi tregtare. Pra, shitësi do të ketë ndofta shpenzime më pak, por ka rrezik që pikërisht për këtë arsye edhe fitimet të jenë më të pakta sesa më parë, sepse sasia e blerësve dhe fuqia e tyre blerëse do të mbetet po e njëjtë.

Ekuilibri do të rivendosej pa sjellë ndonjë gjë të re.

Mos kanë të drejtë ata neoliberalët e shkollës austriake të ekuilibrit që mendonin se çdo procedurë që ndryshon mekanizmin monetar të ekonomisë do të shoqërohet detyrimisht me pasoja të kundërta që e bëjnë rezultatin e ndryshimit të barabartë me zero, pra e kthejnë në hiç?

Çfarë duhet ndryshuar: mekanizmi monetar i funksionimit të ekonomisë, apo duhet shkuar me guxim drejt ndryshimit të modelit ekonomik të vendit?

Thembra e Akilit qëndron në mekanizmin financiar apo në modelin real të ekonomisë së vendit – pyes unë, duke parë mikun tim tiranas të vjetër, që merr ashensorin për t’u ngjitur rehat-rehat në apartamentin e tij të ri të katit të tetë, pasi ka mbyllur gjithë mërzi derën e dyqanit të tij të ri të mbetur pa blerës.

Është një i papunë i pasur, që në fakt po ha dhjamin e vënë dikur nga stërgjyshërit e vetë punëtorë dhe mjeshtra të zanateve. As nuk i shkon kësaj ane për të menduar se po ha dhjamin e brezave të dikurshëm dhe kjo s’mund të vazhdojë gjatë. Të vdekurit i kanë lënë dhjamë, kurse ai s’do të mundë t’i lëjë pjellës së vet veçse kocka skeletike, të amortizuara.

****************

Veteranët janë të këndshëm, sidomos kur janë hokatarë dhe tallës. Është qejf i madh kur tallen pleqtë. Mëson plotë gjëra. Takoj dy prej tyre dhe ulem për të pirë një kafe me ta.

Kanë qenë në luftë dhe janë fiksuar aty si në një lloj libidoje infantile e ngurtësuar të një personaliteti narcist. Pjesëmarrës në të njëjtin formacion partizan. S’pranojnë asnjë vërejtje. Sapo nis të them diçka, njeri prej tyre më thotë fare pa teklif: «Na lër tani, mos na çaj kokën!». Qesh miqësisht dhe kënaqem nga autoriteti i tyre censurues. E dinë edhe ata se janë vetëm llafe. Pa asnjë fuqi vepruese. Merrni edhe nga një pije, iu them, sepse kam qejf kur më thonë: «Mos na çaj kokën!». E kanë gjetur mënyrën për të jetuar në mënyrë koherente. Thjesht nuk duan më të dëgjojnë asgjë që nuk shkon me mendimet e tyre.

Shpesh, në këto vite të tranzicionit demokratik, kanë mbajtur qëndrime krejt të ngjashme me njëri-tjetrin. Kanë iluzionin se në vitet e para nëntëdhjetë, janë ata që kanë qenë forca kryesore e Partisë Socialiste. Atëherë kur askush pothuajse nuk afrohej te socialistët, ishin ata që vazhdonin të mbronin paradoksalisht projektin ideologjik dhe politik të një socializmi të reformuar. Sigurisht që as nuk e dinin se çfarë do të sillte ky proces. Por, s’kanë asnjë faj, fundja. Kush e di se çfarë sjell e ardhmja! Tetëdhjetë vjeçarët thonë me një buzëqeshje djallëzore se «ne ishim forca që qëndroi për të bërë rinovimin, të tjerët ikën, u fshehën nga sytë këmbët, ikën deteve, ndoqën bizneset, u bënë të pavarur». E kuptoj se ka ironi në fjalët e tyre. Nuk e di me kë ironizojnë, ironia e tyre bie si pika uji të një dushi me presion. Disi në mënyrë të çrregullt. Godasin gjithandej. Nuk e kupton nëse tallen me ty, me veten, me të tjerët, apo me formulat ideologjike të kohës.

Ah, tani s’jemi më ne – vazhdojnë. S’ka më nevojë për ne. Tani kanë vërshuar të rinj, pasanikë, teknokratë, nëpunës. Ne jemi njerëz të luftës, tani është paqe. Politika po sjell njerëz të paqes, pa ngjyrë politike, teknokratë a se si i quajnë – thonë të dy me një gojë dhe gajasen në një të qeshur pa të keq.

Pikërisht atëherë kur po mendoja se ata ishin i njëjti shpirt i ndarë në dy trupa të ndryshëm, kur po aluçinoja se i njëjti person po pinte përpara meje me katër duar, dy gojë, dy filxhana kafesh lëngun e zi të shtrenjtë, ulur në dy karrige të ndryshme, pikërisht atëherë ndodhi e papritura.

Ata u ndanë duke u bërë edhe dy shpirtra të ndryshëm.

Ishin ndarë, pakëz. E ndjeva këtë fillimisht larg e larg në vështrimet e tyre, pastaj në thekset e ndryshme që iu vinin fjalëve, pastaj në ekuilibrin mes heshtjes dhe fjalës, që ishte i veçantë për të dy. Dukej se një llavë e ndryshme zjente në kokat e tyre dhe ende gjente rezistencë për të dalë e shprehur në fjalë politike të qarta.

Dukej se kishin një farë turpi për të treguar diferencat e tyre politike.

Më në fund po filloja t’i kuptoja. Ata kishin nisur të kishin një jetë të ndryshme, interesa të ndryshme, pikëpamje të ndryshme. Dikur s’iu pëlqente që demokracia ishte shfaqur me një mohim të rrëmbyer të gjithçkaje të kaluar, sidomos nga disa që godisnin edhe kujtimet e tyre të luftës, të sublimuara nga nostalgjia, harresat, propaganda.

Thonë se me kalimin e kohës, ndërsa diçka përsëritet shpesh, njeriu përfundon duke e besuar dhe e quajtur si të vërtetë.

Në ato vite të para transformimesh demokratike, zgjedhja e tyre politike ishte pothuajse fare e lehtë për t’u bërë. Në këndvështrimin e tyre, sado subjektive, bota politike ishte ndarë në politikanë që ishin bij ballistësh dhe në politikanë që ishin bijtë «tanë», bij «partizanësh». Kuptohet se ishin të lumtur për këtë, sepse bota shpalosej përpara syve të tyre me pamjen e saj të vjetër, me kuptimin e saj të përhershëm politik dhe kjo iu jepte një farë gëzimi. Përsëritshmëria e formave të jetës e gëzon plakun, sepse e rinon, i kthen jetën e shkuar në të sotmen, dhe ndofta me një lloj sadizmi, si ai i bebeve kënaqet kur përjeton ndjenjën se edhe brezat e rinj nuk do të bëjnë tjetër, veçse do të njohin e rinjohin të njëjtat cikle jete si paraardhësit e tyre. Kuptimi i jetës është i mbarueshëm, prandaj mplakja nuk i sjell ndonjë humbje njeriut, sepse pas një kohe gjithçka përsëritet.

Mirëpo, tanimë kjo ndarje në bij ballistësh dhe partizanësh është pothuajse e pamundur të konstatohet te kandidatët e rinj për deputetë. Ndarjet e dikurshme nostalgjike nuk shërbejnë edhe aq si pika orientimi në politikë. Nga të dy krahët po flitet se do të dalin shumë kandidatë të rinj, të panjohur më parë, shumë prej tyre as e dinë historinë e kaluar politike të vendit, ka prej tyre që nuk kanë mbajtur kurrë asnjë qëndrim politik për këtë apo atë çështje të ditës, që s’kanë shkruar një rresht apo që s’kanë deklaruar asnjëherë asgjë në media për ndonjë hall qytetar kolektiv.

Pleqtë më thonë se e kanë vështirë t’i dallojnë se cilët janë këta kandidatë. Aq më shumë se, sipas informacioneve të tyre, ka disa bij partizanësh e komunistësh, që përkrahin opozitën dhe individë ish të persekutuar nga komunizmi, që janë mbrojtës të flakët dhe besnikë të përhershëm, të hapur dhe të fshehur të partisë në pushtet.

Pikat e vjetra të orientimit politik iu kanë humbur. Të rejat janë edhe më shumë kontradiktore sesa të parat.

I moshuari i parë është i vendosur pro pushtetit. Djalin e ka nëpunës të administratës. Ndofta e paraqesin edhe atë si kandidat për deputet. Të paktën kështu shpreson. Nga kjo pikëpamje e ndjen se nuk duhet t’i prishë punë djalit, sepse një fjalë e tepërt sigurisht që mund të mërzisë eprorët apo miqtë e tij. Pastaj, administrata e sotme e ka pikasur si të përshtatshëm dhe e fton në lloj festash dhe ceremonishë zyrtare. Gjithmonë e ka pasur merak që t’ia përkëdhelin sedrën paksa egoiste me lloj-lloj fanfarash, ndofta edhe hipokrite. Edhe fëmijët e tjerë i ka në punë të shtetit. Ka frikë se ardhja e ndonjë force opozitare në pushtet do të shoqërohej me largimin e tyre nga vendet e tanishme të punës. Ka merak për ata, por merakoset edhe për veten e vet, sepse jeton i sigurtë me ndihmesat dhe kontributet financiare të fëmijëve të vet. Duket se llogaritë i ka bërë shumë mirë. Pastaj, llafet që thotë duke sharë opozitën janë vetëm lulka që fshehin interesat e tija të përllogaritura për bukuri.

I moshuari i dytë ka filluar të ndahet si shpirt më vete dhe t’i bashkohet trupit të tij të veçantë. Është krejt i deprimuar dhe më thotë se ndjehet i zhgënjyer. E dëgjon pa kundështuar shokun e vet të armëve, të idealit, por e sheh edhe me një farë qesëndie. Rrugët e tyre janë ndarë në këto zgjedhje. Ndihet dhe i mërzitur. Fëmijët pa punë. Pensioni varfanjak. S’ka asnjë ndihmë tjetër financiare. Ilaçet i merr nga ato të kategorisë më të ulët, thuajse në prag të skadimit. Askush nuk ia vërshëllen. Sheh se administrata është zbërthyer, nëpunësit janë të pavëmendshëm ndaj halleve të tij, dëgjon për afera korruptive gjithandej, kudo i kërkojnë të japë ryshfet, tek ambulanca, në spital, te gjendja civile, kudo e shohin nga duart.

Dyshoj se të dy miqtë do të votojnë në mënyra të kundërta kësaj radhe.

*****************

Po si do të bëjë fshatari?

Tokën ka marrë, por sipas ligjit 7501 mban mend se për këtë zgjidhje ka qenë edhe Partia Socialiste edhe Partia Demokratike. Si vështirë e ka që meritën për atë që i ka ardhur për shtat t’ia njohë vetëm një partie të vetme. Është i kënaqur që të dy djemtë i ka në Greqi, sepse vetëm kursimet që i dërgojnë ata e kalojnë dukshëm fitimin që nxjerr nga ngastra e tokës, prodhimet e së cilës i shet në tregun e qytetit. Po është i nxehur me këtë kohë që i ndau familjet dhe i shkoqiti fëmijët nga një cep në cepin tjetër të botës. Tokën e ka në zotërim, por gjithmonë rri me frikë se mos ndryshon ligji. Nuk ka frikë se mos socialistët e ndërrojnë, por sigurohet që edhe demokratët nuk do të ndërmarrin ndonjë hap të tillë, e para, sepse, siç duket, nuk kanë ndonjë arsye apo botëkuptim për ta bërë këtë dhe e dyta, sepse deklarata e fundit e liderit të tyre është fare e qartë.

I gëzohet fshatari faktit se është tashmë zot i pronës së tij private. Bën çfarë të dojë mbi të dhe me të. Askush nuk e detyron të dalë për të punuar në arat e kooperativës, nuk ia ngacmon bagëtinë, nuk e pengon të lëvizë, të ndryshojë vendbanim, apo të bëjë atë tregti që i duket më e përshtatshme për interesat e tij. Por, ndihet keq se politika e sotme e ka vënë në një pozitë të vështirë në lidhje me qytetin. Në qytet tregtia ecën dobët, preshët, qepët, vezët që shiten sjellin fare pak fitime. S’mjaftojnë për të jetuar, jo më pastaj për të modernizuar prodhimin. S’ka kredi bujqësore, s’ka farëra të zgjedhura, s’ka shërbime sociale në fshat, shkollat janë për faqe të zezë, s’ka veterinerë. Prodhimet e huaja konkurrojnë ato vendase.

Toka është bërë sa kënaqësi aq edhe barrë e rëndë.

Por kujtesën gjithsesi e ka të gjatë. 1997–a i kujton paratë e humbura në firmat piramidale. I kujton edhe se i premtuan që paratë do t’i ktheheshin. Ndjek lajmet e fundit në media dhe sheh se paratë e tija paskan përfunduar në dhera të huaj dhe askush nuk është kujtuar deri më tani për t’ia kthyer mallin të zotit. I duket sikur piramidat e dikurshme janë bërë mekanizma të ndryshimit të pushteteve në Shqipëri, ndërkohë që mekanizmat e vërteta politike dhe institucionale që do të bënin të mundur rrotacionin ose vazhdimësinë e natyrshme të pushteteve mungojnë, ose janë fare të pazhvilluar dhe kontradiktorë në Kushtetutë. Duket sikur Kushtetuta sjell kriza nga vetë përmbajtja e saj. I duket se e keqja nuk qendron te paligji, por te ligji. Nuk duket se është një shprehje fort e besueshme ideja se ligjet janë të mira, por zbatimi i tyre është i keq.

Përse të mos zbatoheshin ligjet në qoftë se ato do të ishin të mirë? Një ligj i mirë është i zbatueshëm, përndryshe, si i pazbatueshëm, do të ishte një ligj i keq, ose së paku jo edhe aq i mirë.

Kështu do të vejë filli i fatit tonë?

Një herë ndërtojmë piramida dhe kur ato rrënohen bashkë me to rrëzojnë një pushtet që nuk votohet më, pastaj nuk dimë të mbledhim gurët e shpërndarë nga rrëzimi i piramidave (shohim se me to kanë ndërtuar shtëpi të tjerët) dhe përsëri votojmë në të kundërt të pushtetit të votuar më parë.

Sikur janë të magjepsura këto piramida.

Prish e ndreq.

Ndreq e prish.

Na shkoi jeta duke u marrë me to.

Brenda këtij procesi ndreqprishës ose prishndreqës lëvizin pushtetet në Shqipëri, lëviz dhe opinioni i elektoratit, i votuesve.

Të ndodhë vallë kështu?

Sidoqoftë, fshatari është i kënaqur–mërzitur nga jeta e tij, nga toka e tij. Ka një pasuri të madhe, por që s’e përdor dot. Dilemë e mallkuar. Si të votojë? Majtas apo djathtas? Ku është majtas dhe ku është djathtas kur bëhet fjalë për tokën? I thonë se ligji për tokën nuk do të ndryshojë, por ai e di tashmë këtë gjë. Problemi i tij është tjetër: Ai do të dijë se çfarë do të bëhet me tokën që i kanë dhënë - ky është halli i tij.

****************

Dilema votuesish që përcaktojnë një sjellje tepër të paqëndrueshme, tepër hezituese, të tërhequr duke paralajmëruar një abstenim masiv dhe sidomos: rezultate të paparashikuara.

Kampet politike janë të ndarë. Është fare e kuptueshme. Kjo është logjika e politikës. Por, s’është gjithmonë kështu logjika sociale, aq më pak e individit. Individi ndodhet te vetja, i përzjerë, një i tërë, i pandashëm në kategori politike dikotomike.

Deri ku shtrihet pra racionaliteti politik?

Mos ka një kufi përtej të cilit ai ndesh rrezikshëm një rezistencë nga jeta e përditshme? Mos vallë këtu racionaliteti politik dhe racionaliteti shoqëror nuk përputhen më me njëri-tjetrin? Me një fjalë, racionaliteti politik bëhet iracionalitet shoqëror dhe racionaliteti shoqëror bëhet iracionalitet politik?

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›