E Hënë, 2 Nëntor 2026

Jupi sa i pafat !

22/03/2005  Për mesfushorin tonë, që luan me Diarbakirin në Turqi, nuk ishte e thënë që të festonte rikthimin e tij me fanelën kuqezi

Sikur të mos mjaftonin mungesat e Hasit, Çipit dhe Muratit, në listën e të dëmtuarve të Kombëtares sonë, është shtuar edhe ai i mesfushorit të Diarbakirsporit në Turqi, Redi Jupi. Pikërisht në ditën, kur ai duhej të gëzonte rikthimin në Kombëtaren e vendit të tij, pas një mungese relativisht të gjatë, pikërisht atëherë, ai ka mësuar lajmin se nuk do të jetë pjesë e ekipit tonë Kombëtar, për ndeshjet kundër Turqisë dhe Greqisë. Jupi ka qenë vërtet i pafati i madh i Kombëtares dhe duket se nuk ishte e thënë që të festonte rikthimin e tij me fanelën kuqezi, pikërisht në takimin ndaj Turqisë, në kampionatin e së cilës, aktivizohet prej dy vitesh. Një tjetër lajm i keq për Kombëtaren tonë, e cila “dita-ditës” po humbet elementë cilësorë, duke mos qenë e plotë për ndeshjet e saj eliminatore. Ish-mesfushori i Dinamos, Tiranës dhe Partizanit në kampionatin shqiptar dhe tani, pjestar i Diarbakirsporti në kampionatin turk, falë paraqitjeve të tij mjaft të mira në kampionatin e vendit, përballë të cilit, Shqipëria do të jetë të shtunën e ardhshme, arriti të fitonte vend në skuadrën tonë. Por, fati duket se nuk ka qenë në anën e tij këtë herë. Ka qenë një dëmtim i pësuar rreth dy javë më parë, në një ndeshje të kampionatit turk, ai që e ka detyruar mesfushorin e Diarbakirit të qëndrojë jashtë skuadrës sonë, për këto dy ndeshje shumë të rëndësishme. Madje, ky dëmtim ka bërë që ai të mos aktivizohet edhe në ndeshjen e fundit të kampionatit kundër Sakarjasporit. Gjithsesi, ai e ka pranuar ftesën e trajnerit tonë Brigel, por më parë i është nënshtruar një kontrolli mjekësor në Tiranë, ndërkohë që skuadra jonë përfaqësuese po zhvillon përgatitjet e saj para sfidës me Turqinë në Antalia. Stafi mjekësor i Kombëtares sonë e ka ndjekur nga afër gjendjen e mesfushorit tonë, duke kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme. Dhe, përfundimi ka qenë negativ. Rezultatet e dala nga rezonanca magnetike nuk kanë qenë, ashtu siç dëshironte Jupi dhe në këtë mënyrë, ai nuk do të jetë i gatshëm për trajnerin e Kombëtares sonë, Hans Peter Brigel. Lajmin e ka bërë të ditur Lysien Nurishmi, zëdhënësi i shtypit pranë FSHF-së. Pas “humbjes” së Jupit, trajnerit tonë do t’i duhet të gjejë një tjetër zëvendësues për vendin e lënë bosh nga mesfushori i Diarbakirit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›