E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kadare prezanton Tufën në botën gjermane

22/03/2005  Në Lajpcig, këtë vit, panairi ndërkombëtar i librit për botën gjermane pati si ngjarje jo vetëm biznesin e librit. Kongresi i parë ndërkombëtar i shkrimit letrar në Evropë mblodhi në Lajpcig shkrimtarë, shkencëtarë dhe docentë nga e gjithë Evropa.

Në qendër të Kongresit është pyetja, a është apo jo e mësueshme dhuntia e shkrimtarit. Kongresi katërditor "shkrimi kreativ", që zhvillohet paralelisht me panairin e librit pati si pikë kulminante natën e gjatë të leximit me pjesëmarrjen e 39 autorëve nga e gjithë bota.

Shkrimtari model i një kulture duhej të prezantonte një shkrimtar që vjen në kualitet për t’ia servirur botës gjermane në lexime dyshe. Në këtë edicion të përvitshëm të panairit, këtë herë përqendrimi ishte vendosur në katër të ftuar specialë, ku ndërmjet Lituanisë, Polonisë dhe Ukrainës, ishte dhe vendi ynë.

Nga Shqipëria i takoi Ismail Kadaresë që të hidhte në pasarelën e letrave gjermane shkrimtarin e ri, Agron Tufën. Arsyeja pse Kadareja dërgoi pikërisht shkrimtarin e ri të avangardës së letrave shqipe, ka qenë suksesi i këtij autori, duke u mbështetur dhe në romanin e tij të fundit, mjaft të vlerësuar “Fabula rasa”.

Nga kjo vepër, Tufa ka shkëputur një fragment, epilogun, duke e lexuar para një auditori të zgjedhur në gjuhën shqipe ashtu dhe në gjermanisht, nga përkthyesi i shqipes, Joachim Rohm.

Por shkrimtari që prezantoi Kadare në kuadrin e leximeve dhe kërshërisë së letrave në vendin tonë, ishte se Tufa paraqet për letërsinë shqipe, bashkë me brezin e tij, një model letrar dhe aktivitet të njëkohshëm përmes revistave kulturologjike dhe letrare.

Ndërkohë brenda zhvillimeve letrare në vendin tonë për këtë brez, Kadareja veçoi dashurinë dhe këmbënguljen që kanë këta të rinj në ambicjet letrare.

Në veçanti, duke u ndjekur nga vëmendja e auditorit, pasi dihet fama e shkrimtarit shqiptar në Evropë, Kadareja ka prezantuar Tufën, duke dalluar kontributin e tij në mendimin kritik. Vëmendja është përqendruar dhe për shkak të prezantimit që i ka bërë autorit të ri shqiptar Kadareja; plot sharm humori, gati të zi, dhe i shtendosur nga pedantizmi.

Ndërsa kërshëria e auditorit është shpërngulur tek shkrimtari Tufa, duke u vënë në fokus të pyetjeve mbi procesin letrar në Shqipëri dhe si punohet me të rinjtë. Në këtë dialog, Tufa në thelb ka vënë në dukje se “duhet të konsolidohet veprimtaria e të rinjve”, në këtë rast janë botimet kritike që vendosin vlerat e një vepre në tregun e letrave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›