E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tablotë shiten pa konkurrencë

22/03/2005  Ankandi

Nga ç’pritej ankandi i parë i tablove shqiptare nuk i ngjau aspak atyre shumave marramendëse, pasi je “dehur” nga një vepër arti. Pavarësisht se u tha se nuk bëhej fjalë për ankand profesional. Ka ecur logjika e ofrimeve, por nën koston minimale prej nga nisen shitjet. Në fund, blerjet nuk kanë lënë me gojëhapur kureshtarët, pasi çmimet tavan me të cilat u blenë nja dy tablo shqiptare ishin brenda limiteve për një pikturë, që shitet normalisht në treg. Kështu nga çmimi fillestar afro 400 euro, tablotë e ofruara në ankandin e parë, kanë arritur deri në shumën 2300 euro të shitjeve. Ajo që u nuhat më parë, skulptura “Koka e kaltër” e Genc Mulliqit u ble me 2300 euro, duke u pasuar me një vlerësim paraprak artistik nga vepra e Arif Lushit “Dimër”, me të njëjtin çmim sa edhe e Mulliqit.

Më pas ankandi e ka zbritur fuqinë financiare, ku veprat janë shitur me çmime fare të zakonshme nga ajo e tregut që ekziston sot nëpër galeritë private të kryeqytetit.

Tabloja e Idlir Kokës “Pa titull” është shitur me 1500 euro, dhe “Qeshja 2003” e piktorit Andi Nallbani është blerë me 1200 euro, duke zbritur më tej në shifrën prej 1000 euro që iu ofrua përfundimisht tablosë “Lagështi” të Suela Muços. Ndërsa dy veprat që piktori Mikeal Drita ua dhuroi komisionit të ankandit, pa hyrë në konkurrimin e ekspozitës, u shitën me çmime fare të zakonshme, prej 700 euro dhe 625 euro.

Pak a shumë, kjo sikur u lajmërua para ankandit nga anëtarët e komisionit që patën përzgjedhur veprat e pesë autorëve nga një ekspozitë ku ishin paraqitur rreth 26 autorë. “Janë disa çmime që quhen çmime fillestare, mbi të cilat fillon ankandi dhe nuk besoj se do të katërfishohen, këto mund të dyfishohen. Kjo është një logjikë që funksionon në ankand. Ndërsa çmimet e larta nuk tregojnë se ajo është puna më e mirë. Disa herë puna e artistit vlen më shumë se sa tregu, ajo që ofrohet për të blerë. Ka vepra, të cilat vlerësohen më pak se sa çmimi i saj i vërtetë. Në këtë rast ankandi ynë nuk mund të krahasohet me ankandet profesionale”, u pat shprehur pak orë para ankandit një nga miqtë e bordit të GKA dhe organizatorja e mbrëmjes “Të shohësh dhe të të shohin”, Ashley Olters. Megjithëse anëtarët e komisionit kishin gjithnjë parasysh qëllimin e kësaj ekspozite për të përfunduar 70% të shumës së tablove të nxjerra në ankand në ndihmë të restaurimit të veprës “Motra Tone”.

Ndërsa më me elegancë për veprat shqiptare, por gjithnjë në syrin e një “konsulenti”, është shprehur para ankandit historiani gjerman Gerhad Birkhofer, se “unë gjeta në këtë ekspozitë abstraksionin lirik, por jo në mënyrë konkrete dhe konstruktive. Këta artistë, nëse vazhdojnë kështu, mund të shkojnë në një rrugë të rrezikshme për ta. Nëse do të kishte një shoqatë ku ata të bashkëpunonin për njohje, atëherë do të ishte i hapur dhe diskutimi dhe do të kishte dialog nga të dy palët”.

Gjithsesi, u duk sikur u realizuan parashikimet, të cilët nuk kaluan cakun e gjithë shpenzimeve të asaj mbrëmjeje mondane të organizuar në pallatin e Brigadave, për të mbledhur fonde për Galerinë Kombëtare të Arteve. Dje, drejtori i Galerisë, Abaz Hado, është shprehur se shuma e ofruar mjaftonte për ta nisur tablonë “Motra Tone” drejt Francës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›