E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dilemat britanike për BE’në

Në Parlamentin e Britanisë së Madhe nuk kaloi kërkesa për mbajtjen e një referendumi në vend, në të cilin shtetasit do të deklaroheshin për daljen eventuale nga Bashkimi Evropian. Por, dilemat për këtë gjë duket se ende mbesin.

Përkundër mospajtimeve të mëdha me kryeministrin, David Cameron, të përfaqësuesve që dëshirojnë daljen nga bashkimi Evropian (BE) Parlamenti i Britanisë së Madhe refuzoi kërkesën për mbajtjen e një referendumi mbarëkombëtar për anëtarësinë e vendit në BE.

Propozimi u refuzua nga 483 përfaqësues të konservatorëve, liberal-demokratëve dhe të Partisë Punëtore, megjithëse 111 përfaqësues votuan pro propozimit.

Cameron urdhëroi anëtarët e partisë së tij që të votonin kundër propozimit, duk nënvizuar se Britania e Madhe duhet të jetë një zë i fuqishëm në Evropë për mbrojtjen e tregtisë dhe interesave financiare britanike, përderisa liderët e Eurozonës ende po përpiqen të tejkalojnë disi krizën e borxheve.

Në atë që shumë ekspertë e cilësuan si rebelimin më të madh gjatë mandatit të tij, mbi 80 përfaqësues të Partisë Konservatore të kryeministrit Cameron nuk u pajtuan me urdhrin e tij për të votuar kundër referendumit.

Debati për këtë çështje nxiti ngritjen e një peticioni, të cilin e nënshkruan më shumë se 100,000 njerëz, të cilët bënin thirrje për mbajtjen e një referendumi pyetja e vetme e të cilit do të ishte se a duhet Britania e Madhe të mbetet në BE ose jo, gjegjësisht nëse duhet të negociohet një model i ri i raporteve të saj me Unionin.

Qeveria britanike priste një fitore të lehtë në parlament, sepse, madje dhe po të humbiste, rezultati nuk do të ishte obligativ për ministrat e saj.

Por, doli se debati në fakt vetëm sa e rindezi debatin shumëvjeçar lidhur me rolin e Britanisë së Madhe në Evropë, i cili në vitet e 90’a i kushtoi shumë shtrenjtë konservatorëve, ngase partia asokohe u nda përbenda, dhe të cilën gjë kryeministri Cameron dëshpërimisht u mundua ta zbuste që prejse u bë lider i saj, para gjashtë viteve.

Sipas gazetarit të ‘Al Jazeera’, Barnaby Phillips, “pjesa euroskeptike e Partisë Konservatore krizën në Eurozonë e pa si mundësi për të hapëruar drejt mendimit të popullarizuar kundër Eurozonës”.

Nga ana tjetër, kritikuesit e propozimit, krizën e borxheve e shohin si një rast për kthimin e fuqisë, duke përfshirë këtu edhe braktisjen e BE’së.

Analistja politike nga Oxford University Centre for International Studies, Kirsty Hughes, për ‘Al Jazeera’ thotë se:

“Cameron tani ka dilema lidhur me çështjen Evropës. Nga njëra anë ai dëshiron të jetë pjesë e Evropës, e nga tjetra dëshiron edhe që të rikthejë fuqinë e tij, sepse Britania e Madhe gjithmonë ishte në zemër të anëtarësisë në Evropë”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›