E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi: Prishja e 12-katëshit, vendim i KRRTRSH-së së Nanos

Me një dosje voluminoze, ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, ka sqaruar dje para mediave pozicionin e qeverisë ndaj vendimit për prishjen e ndërtimit pa laje në qendër të Tiranës. Sipas ministrit, ajo çka po ndodh aktualisht nuk është gjë tjetër vetëm zbatimi i një vendimi të marrë nga KRRTRSH-ja në kohën kur Kryeministër ishte Fatos Nano. "Me vendim të KRRTRSH-së, po të kohës kur qeveriste z. Nano, është vendosur që Bashkia e Tiranës të parashikojë lënien e kalimit këmbësor publik veri-jug, pra të lërë të lirë rrugën", tha dje ministri Olldashi. Sipas tij, shoqëria "Alba-Lam" ka refuzuar të zbatojë vendimin e kësaj KRRTRSH-je. "Është pikërisht ky vendim që ne po e vëmë në zbatim. Po lirojmë rrugën, rrugën që është pronë publike dhe që për 81 mijë lekë të vjetra në vit pronari i subjektit, Ilir Mata, e ka marrë me qira pafundësisht". Qeveria nuk ndalet nga plani për ta prishur shtesën e një pallati 12-katësh në qendër të Tiranës, pronë e një të afërmi të deputetit të Partisë Socialiste, Dashamir Peza. Sipas Olldashit, kemi të bëjmë me një pallat të ndërtuar mbi truall publik të dhënë me qira në vlera tepër minimale. Ministri i referohet një vendimi të KRT-së së Bashkisë së Tiranës, që thotë se, "zbardhja e lejes së sheshit do të bëhet pasi të ketë bërë një kontratë paraprake me Këshillin Bashkiak për blerjen e truallit publik që shfrytëzohet për realizimin e këtij objekti, në bazë të çmimit të liberalizuar të tregut për vetë pozicionin ku ndodhet". Në fakt, sipas ministrit, trualli nuk është shitur dhe bashkia i ka rënë shkurt duke e dhënë me qira. Ministri kritikoi edhe këtë kontratë qiraje, duke shtuar dozat e ironisë me, "parkingun e automjetit, i cili me 100 lekë në ditë, kushton 36 mijë lekë në vit". Sipas dokumenteve shikohet se shkelje janë konstatuar edhe nga institucionet përkatëse kur qeveriste Partia Socialiste. "Ka shkelje në përmasat e projektit, ka shkelje në konsolat që dalin përtej projektit të miratuar, ka shkelje në dhënien e kateve dhe nuk ka përputhje të pjesës nëntokësore të ndërtimit", saktësoi ministri, i cili theksoi se aksioni do të vijojë edhe në të ardhmen.

Ard KOLA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›