Dilemat e ndërgjegjësimit klimatik
Kur në 18 prill 1951, me Traktatin e Parisit, Shumani dhe Monet i jepnin jetë embrionit të asaj që sot njihet si BE, ankthi i tyre ishin karboni dhe çeliku, dy lëndët e para që kishin qenë në embrion të dy luftërave botërore dhe territoret që kishin këto rezerva, molla e sherrit dhe shkaku i luftërave midis Francës dhe Gjermanisë. Si dy lëndë bazë për një civilizim, në vizionin e themeluesve të asaj që njohim si BE baza e energjisë së industrive do ishte qymyri, dhe së bashku me të energjia bërthamore. Këto parashikoheshin si energjitë që do vinin në lëvizje në të ardhmen motorin e civilizimit perëndimor. Hidrokarburet dhe gazi ishin ende në fillesat e konsumit të tyre dhe përdoreshin vetëm për lëvizjen e automobilave, që në ato kohëra nuk kishin përdorimin masiv që njohim sot.
Por për shkak të një mosllogaritjeje të shkaktuar, qoftë për arsye të limiteve të imagjinatës njerëzore, qoftë për gjendjen rudimentare të institucioneve kërkimore si suport i politikanëve në zgjedhjet që bëjnë, komponenti i tretë dhe i papërfillur i hidrokarbureve, do merrte rolin parësor në zhvillimin e qytetërimit në gjysmën e dytë të shekullit XX, dhe pa hidrokarburet, qytetërimi nuk do ishte ky që njohim. Kjo ka sjellë edhe faktorizimin e shumë komponentëve politikë dhe gjeografikë që kanë lidhje me hidrokarburet, e rrjedhimisht vende si ato të Lindjes së Mesme, që deri para 70 vjetësh shërbenin si skenografi e aventurierëve britanikë dhe për ilustrimin e tregimeve ekzotike të Lorencit të Arabisë, sot përkëdhelen ose ia vlejnë edhe luftëra si ajo e Irakut; tensionet me Iranin; ankthet me Izraelin e më gjerë mund të shkohet deri në oborrin e pasmë të SHBA, ku një kaudilio rajonal si Çavez po merr përmasa globale vetëm se posedon rezerva të arit të zi.
Duket sikur kjo pasuri që na është falur, ka ndihmuar në ecjen përpara, por në shkëmbim të lehtësisë së aplikimit në jetën e përditshme, na ka dhënë kokëçarjet politike dhe ekonomike, e për më tepër së fundmi akuzohet edhe për ngrohjen globale dhe transformimet që po i shkaktohen planetit, si kurrë më parë.
Nuk ka ditë që çdo stacion televiziv, me audiencë nga lokale deri globale, mos të japë pamje të masivëve akullnajorë që rrëzohen në pole; nivelit të akullnajave në male që i afrohen përditë e më shumë majës, deri në kafshë si ariu polar e pinguinët që vuajnë, pasi mbijetesën e tyre e kanë të lidhur me klimën e ftohtë.
Edhe pa pasur gjithë këtë valë informacioni, çdo njëri prej nesh në moshë madhore e di se dimrat po bëhen gjithnjë e më të butë, ndërsa verat gjithmonë e më të nxehta. Në Tiranë makinat mund ta kalojnë dimrin pa antifrizë, ndërsa në Gjirokastër e Korçë janë harruar hejtë e akullit që vareshin nga strehët e çative; palltot shpesh një aksesor që mund të mos e përdorësh. Dhe e kundërta vlen për verën, ku në Ballkan mund të provosh temperatura afrikane.
A jemi në fund të ditëve të njerëzimit dhe a është kjo një papërgjegjshmëri e industrive të mëdha, të cilat për hatër të fitimit po e shtyjnë gjithmonë globin drejt shkretimit të tij? Apo kjo është rruga që duhet të kalojmë medoemos?
Ambientalistët pretendojnë se rritja me 2 gradë e temperaturës do ta riformatojë krejtësisht globin, dhe se viti i ardhshëm do jetë më i nxehti në 170 vitet e fundit. Po atëherë, pse ishte po kaq nxehtë 170 vjet më parë, kur ende nuk kishte filluar revolucioni industrial i cili akuzohet për emetimin e CO2 në atmosferë?
Nga fillimi i revolucionit industrial, përqendrimi i anhidridit karbonik është rritur me 30%, por njeriu emeton vetëm 1 të 10-ën e sasisë së anhidritit karbonik që emeton vetë natyra me fotosintezën dhe aktivitetet e saj si dekompozimi organik, vullkanet etj! Dhe e gjitha kjo lind pyetjen se a është njeriu fajtor, apo njeriu hodhi pikën e fundit që po bën ujin në gotë të derdhet? Po atëherë pse në historinë milionavjetëshe të planetit Tokë kanë ndodhur fenomene të ngrohjes e ftohjes shumë më ekstremë sesa njohim sot?
Rreth 95% e anhidridit karbonik dhe 20% e metanit depozitohet në atmosferë nga vendet e zhvilluara nga djegia e hidrokarbureve dhe derivateve të tij për automobilat, ngrohjen e ndërtesave dhe centralet. Nëpërmjet aktivitetit të tij në shekullin e fundit, ku si mjet lëvizës ka përdorur fuqinë e hidrokarbureve, njeriu ka arritur ta bëjë planetin Tokë të banueshëm për shumë më tepër njerëz nga çka qenë në agun e njerëzimit dhe specia njerëzore të jetojë më gjatë. Nëse 2 mijë vjet më parë planeti popullohej nga rreth 100 milionë njerëz, të cilët jetonin mesatarisht 40 vjeç, sot e banojnë rreth 60 herë më shumë, dhe me objektiva që këta njerëz në të ardhmen e afërt të jetojnë nga 100 vjet.
Në verën që sapo shkoi, u zbulua në kraterin e vullkanit Monte Bosavi në Papua të Guinesë së Re, një "parajsë e humbur", tokë e cila kishte qenë e paeksploruar dhe prekur nga njerëzimi prej 200 mijë vjetësh, kohë kur kishte shpërthyer për herë të fundit vullkani. U zbuluan rreth 50 specie, midis të cilave peshq që hungërinin si derra, merimanga dhe minj të përmasave gjigande. A do dëshironte ndokush, përveç ndonjë ambientalisti të sëmurë, të jetonte midis këtyre krijesave dhe të ishte çdo natë pre e mushkonjave tigër dhe minjve sa një qen stani, ndërsa ditën mos të dinte ku të fuste kokën nga luanët dhe elefantët, se sa për dinozaurët, faleminderit Zotit që na shpëtoi përpara se të bëheshim të ndërgjegjshëm? Vështirë të akuzosh njeriun se është shkatërruesi i planetit, pasi si çdo krijesë, edhe njeriu ka të drejtën e tij për të mbijetuar dhe të krijojë habitatin e tij.
Që të arrihej në eliminimin e hidrokarbureve, dhe që njerëzimi të përballonte nevojat e tij nëpërmjet energjisë nukleare, do t‘i duheshin dekada për ndërtimin e centralëve bërthamorë dhe për më tepër rezervat e njohura të uranit janë në nivelet e sotme të mjaftueshme për 300 deri 400 vjet. Po më pas? Ndërsa që të njëjtën nevojë për energji ta plotësojmë nëpërmjet energjisë së erës, në kushtet e teknologjisë së sotme është jo rentabël.
Shumë klimatologë thonë se në Kopenhagën nuk ishte i ftuar asnjë shkencëtar, dhe situata nuk është aq dramatike sa paraqitet. Të dhënat e afruara nga shkenca u lexuan nga politikanë që afërmendsh nuk dinin t‘i lexonin, por i përdorën siç ju vinte përshtat, dhe nuk munguan që ta shfrytëzonin këtë skenë botërore për shfaqje me ndikim në politikën e ditës së vendit të tyre. Ndërsa lëvizjet ambientaliste mund të kuptohen si mbrojtëse të planetit Tokë, por përveç përleshjeve me policinë, nuk janë në gjendje t‘i shpjegojnë një banori që përfaqëson 90% të popullsisë së globit, por sjell vetëm 20% të ndotjes, se pse nuk duhet të zhvillojë industritë dhe të ketë akses në të mirat materiale si çdo njeri i botës së zhvilluar?
Nëse ka një rezultat të mirëfilltë kjo konferencë, ky është lindja e dëshirës në rang global për të ndërgjegjësuar njerëzit se probleme si klima nuk njohin kufi, ideologji apo pasuri. Gjithashtu ndërgjegjësimi se është i nevojshëm një studim i koordinuar për gjetjen e rrugëve dhe burimeve alternative të energjisë, dhe për të kaluar nga stadi propagandistik në atë operativ. Njerëzimi duhet të mendojë për alternativën e hidrokarbureve, dhe kjo është imediate si për vendet në zhvillim, të cilët janë të varur nga burimet dhe çmimet e hidrokarbureve që kontrollohen nga fuqitë e mëdha dhe aksesi në to është i kondicionuar nga pesha në politikën botërore dhe fuqia ushtarake; por edhe për vendet e zhvilluara, duke parë se vendndodhja a rezervave të hidrokarbureve është në vende të pastabilizuara politikisht, dhe mbajtja e tyre nën kontroll bëhet gjithnjë e më e kushtueshme.
Gjithsesi, në fund të saj njerëzit po fillojnë të kuptojnë se nuk mund të jenë më dorëlëshuar në karburante; se ekosistemi është shumë më delikat se çmendohet dhe ne jemi një faktor i rëndësishëm në evoluimin e tij; si dhe duhet të përgatitemi që të paguajmë gjithmonë e më shumë për kërkimet dhe zbulimin e burimeve alternative të energjisë.