Gabimet e mëdha për "Kosovën e re"
Shtetësia e Kosovës nuk ishte proces i lehtë, në veçanti për një vend të vogël dhe të varfër siç jemi ne. Kjo vështirësi merr dimensione edhe më të mëdha kur kemi një klasë politike të re, të pa përvojë dhe pa iniciativë për udhëheqje institucionale. Kosova po e përmbyll edhe këtë vit me plot sfida, si në raportet politike, e në veçanti në fushat e ekonomisë. Raportet periodike vendore dhe ndërkombëtare tregojnë se sfida ekonomike është një nga vështirësitë kryesore të së ardhmes së vendit tonë. Në këto dy vitet e fundit kjo sfidë mori dimensione të theksuara. Shumë projekte kapitale që u konceptuan me shumë përkushtim, për shkak të rrjedhave të reja të krijuara ndërkombëtare dhe për shkak të keq menaxhimit të situatës nga qeveria, humbën rolin dhe aktualitetin e tyre dhe e kthyen Kosovën në një vend të padëshirueshëm për investitorët e huaj.
Gjatë këtyre dy viteve shumë kompani prestigjioze u larguan, për të cilat shumë shtete të rajonit kishin lakmi t‘i kishin. Fenomenet negative si mosadoptimi dhe zbatimi i ligjeve dhe jostabiliteti politik dhe korrupsioni gjithnjë në rritje janë pengesa të mëdha për investitorët e jashtëm. Kjo kastë qeverisëse degradoi shumë sektorë, e në veçanti sektorin energjetik dhe atë minerar, duke e shndërruar vendin tonë në një arenë përfituese për kompanitë e ndryshme rajonale.
Pasuritë tona minerale që janë rezerva të konsideruara edhe në nivelin botëror, po e humbin rëndësinë e tyre dhe po i shndërrojnë taksapaguesit shqiptarë të Kosovës në financues të kompanive të ndryshme rajonale. Nëse i referohemi çmimeve të blerjes së energjisë/importeve që kjo qeveri i paguan me para nga buxheti, shohim se çfarë keqmenaxhimi të madh janë duke bërë.
Kësaj politike të keqe, pa vizion dhe pa strategji janë duke i kontribuar edhe një pjesë të ashtuquajturve ekspertë "javorë" ndërkombëtar, të cilët financohen nga fondet e donacioneve për Kosovën dhe nga buxheti i Kosovës. Këto grupe të konsulentëve ndërkombëtarë, të vendosur përmes Bankës Botërore, kanë sakatosur politikat energjetike të vendit tonë. Duke marrë kontrata të fuqishme financiare nga Banka Botërore, disa nga grupet e këtyre ekspertëve kanë sjellë më shumë konfuzion dhe dëme në sektorin energjetik se sa kanë sjellë rezultatet e duhura për vendin tonë. Taksapaguesit amerikanë, europianë dhe ata vendorë nuk e meritojnë që paratë e tyre të keqmenaxhohen. Që nga fillimi, këta ekspertë ishin kundër ndërtimit të blloqeve të reja energjetike, sepse sipas tyre Kosova nuk mund të ketë shkallë të theksuar të zhvillimit ekonomik. Vetëm disa këshilltarë të sinqertë që vinin nga radhët e USAID-it së bashku me ata vendorë rrëzuan këto teori të mbrapshta, duke kaluar nga politika e varësisë në politika zhvillimore. Nga të gjitha studimet e bëra rezultonte se vendit tonë i duhej të ndërtonte blloqe të reja energjetike për konsumin e brendshëm dhe për mundësitë e shitjes së një pjesë edhe në tregjet e jashtme.
Projekti KOSOVA C ishte dizajnuar që të zëvendësojë blloqet e vjetra, furnizojë konsumin e brendshëm dhe të shfrytëzojë tregjet e jashtme për shitjen e energjisë. Në këtë mënyrë planifikohej që arka e shtetit të kishte të hyra të fuqishme qindra milionëshe nga ky projekt. Njëkohësisht, do të ruheshin vendet e punës aktuale, si dhe të ndikohej në hapjen e mijëra vendeve të reja të punës, por duke mos anashkaluar asnjëherë problemet mjedisore. Vendimi i ditëve të fundit, për ta reduktuar tërësisht projektin deri në 500 MW është vendim që nuk do të sjellë stabilizim afatgjatë të furnizimit të Kosovës me energji elektrike dhe nuk do të arrijë të gjenerojë vende të reja pune. Shumica e vendeve të punës do të shuhen, me hapjen pjesshme të minierës së re dhe dekomisionimin e blloqeve në termocentralet e vjetra.
Ky vendim e pamundëson aktivizimin e resurseve natyrore për një progres të ndjeshëm ekonomik të vendit tonë. Ftojmë qeverinë e Kosovës dhe donatorët që me konsensus të zbatojnë Strategjinë Energjetike të aprovuar në Parlamentin e Kosovës, që nënkupton ndërtimin e dy blloqeve me nga 500 MW në këtë fazë dhe të hartojë politikat afatmesme të qëndrueshme për periudhën e furnizimit me energji, derisa të ndërtohen blloqet e reja energjetike. Qeveria duhet të arrijë të ndërtojë politikat e saj për ta shndërruar shtetin e Kosovës në një aksioner të rëndësishëm në këtë projekt: miniera e Sibovcit, infrastruktura e trashëguar, tregu dhe kontratat garantuese për plasman të energjisë duhet t‘i japin shtetit të Kosovës aksione të rëndësishme.
Qeveria duhet të jetë tepër e kujdesshme me privatizimin e distribucionit në këtë kohë. Tani nuk është aspak koha e duhur për ta privatizuar distribucionin. Të gjitha analizat dhe praktikat e rajonit tregojnë se shteti i Kosovës nuk do të marrë ofertë kredibile në këtë moment, përkundrazi do të ketë refleksione fatale në buxhetin e Kosovës. Në mënyrë që të marrim ofertë serioze, qeveria duhet që përmes institucioneve të ndikojë në rritjen e faturimit dhe inkasimit deri në 90%. Ajo tashmë duhet të mësojë nga përvojat e vona dhe aspak të mira në raport me buxhetin shtetëror, si ato të Shqipërisë dhe Maqedonisë.
Këshilltarët e IFC-së (Korporata Ndërkombëtare Financiare-pjesë e Bankës Botërore) që kanë marrë përsipër studimin e fizibilitetit, duhet ta dinë se privatizimi i distribucionit në këto rrethana nuk ka sjellë stabilitet as energjetik, as ekonomik e as social. Arsyeja e privatizimit të Distribucionit ndër të tjera duhet të bëhet edhe për t‘i sjellë fitime buxhetit të vendit, gjë e cila ka pak gjasa të ndodhë aktualisht.
Propozimi tjetër i lançuar nga qeveria dhe këshilltarët e Bankës Botërore për privatizimin e KOSOVËS B, do të jetë në vazhdën e gabimeve që qeveria është duke i bërë së bashku me këta këshilltarë. Në aspektin ekonomik blloqet e KOSOVËS B janë shumë të arsyeshme, të cilët me disa investime të vogla shndërrohen në blloqe me standarde aktuale të BE-së për mjedisin dhe janë fuqi e mirë gjeneruese në duart e shtetit të Kosovës dhe shmangies së ndërtimit të monopoleve të reja energjetike.
E ftojmë qeverinë tonë që këto propozime të bëra t‘i analizojë me kujdes, të mbetet e përkushtuar për të ruajtur strukturën e projektit të aprovuar nga Parlamenti i Kosovës dhe të ndërtojë një pako tenderuese që do të hyjë në funksion të zhvillimit ekonomik të Kosovës. Ne i rekomandojmë qeverisë që të ndërtojë një ekip të këshilltarëve vendorë dhe t‘i ftojë ekspertët e vërtetë të USAID-t, që të ndihmojnë për finalizimin e një marrëveshje financiare me kompaninë fituese, e cila shkon në favor të zhvillimit ekonomik të Kosovës. Mbetemi të gatshëm të ofrojmë gjithë eksperiencën tonë që shteti i ynë dhe qytetarët e tij të arrijnë të ndjejnë të mirat që ky projekt duhet t‘i sjellë.
(Autori është deputet nga AAK dhe nënkryetar i Komisionit të Kuvendit të Kosovës për Energji)