Shtyrja e moratoriumit ndalon krimin e organizuar
Shtyrja e moratoriumit mbi skafet në ujërat tona territoriale, paketa e ligjit "Antimafia" dhe goditja e aseteve të grupeve të trafikimit janë pa dyshim instrumentet më të fuqishme në bërjen e kostos së këtij krimi monstruoz ndalueshmërisht të lartë për operatorët e rrjeteve kriminale vendase dhe ndërkombëtare në territorin e Republikës së Shqipërisë. Kështu është shprehur ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, në cilësinë e kryetarit të Komitetit Shtetëror të Luftës Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore. Në takim me përfaqësuesit e komitetit, ai kërkoi mbështetjen dhe angazhimin e plotë të të gjitha institucioneve shtetërore dhe organizatave partnere për zbatimin e detyrimeve që paraqet Strategjia Kombëtare Antitrafik. Ministri Basha theksoi rëndësinë e konsolidimit të bashkëpunimit të strukturave policore me prokurorinë dhe shërbimet mbështetëse për viktimat e trafikut dhe një angazhim më të madh të komiteteve rajonale antitrafik dhe të strukturave lokale sidomos pranë grupeve vulnerabël për parandalimin e trafikimit. Nga ana tjetër, Basha siguroi mbështetje të plotë institucionale, financiare dhe materiale për organizatat joqeveritare që operojnë në qendrat e rehabilitimit të viktimave të trafikut.