E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krisen marrëdhëniet mes Sejdiut e Thaçit

Zgjedhjet vendore të 15 nëntorit në Kosovë po thellojnë gjithnjë e më shumë hendekun mes dy partive në qeverisje Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Pas një përmirësimi sipërfaqësor të relacioneve, situata duket se ka krijuar një çarje të madhe mes koalicionit. Mediat e Prishtinës bëjnë të ditur se dy krerët kryesorë të Kosovës, Presidenti Fatmir Sejdiu, lideri i LDK-së dhe Kryeministri, Hashim Thaçi, kreu i PDK-së kanë shmangur daljen në publik së bashku. Sejdiu e Thaçi e kanë "detyruar" ambasadorin amerikan, Christopher Dell, që dy ditë rresht të vizitonte Qendrën e Numërimit të Rezultateve. Në të dyja vizitat, Dell ka përcjellë njërin nga liderët kosovarë, pasi Sejdiu e Thaçi nuk kanë dashur që të paraqiten së bashku në publik. Zyrtarë ndërkombëtarë theksuan për "Koha Ditore se raportet mes dy liderëve janë përkeqësuar pas zhvillimeve të fundit rreth zgjedhjeve lokale, ndërkaq kulmi ka qenë mospranimi që ata të paraqiten së bashku publikisht, javën e kaluar. Asnjëri nga liderët në dy vizitat e ndara, nuk patën bërë komente partiake, ndërkaq i patën premtuar mbështetje të plotë QNR-së. Zyrtarë të Presidencës dhe të qeverisë mohojnë të jenë përkeqësuar raportet siç thonë ata institucionale mes Presidentit dhe Kryeministrit. "Jo, jo absolutisht. Çështja e zgjedhjeve është çështje që u përket partive politike, ndërkaq Presidenti dhe Kryeministri kanë raporte institucionale", ka thënë zëdhënësi i Presidencës, Xhavit Beqiri. "Vizita e Presidentit Sejdiu ka qenë e përcaktuar më herët. Unë nuk e di pse Kryeministri ka vendosur të shkojë një ditë pas atje. Presidenti Sejdiu me Kryeministrin Thaçi, kanë takime të rregullta javore. Por kanë edhe takime të tjera", ka shpjeguar Beqiri. Edhe zëdhënësi i ekzekutivit kosovar, Memli Krasniqi, ka mohuar të ketë tendosje të raporteve Sejdiu-Thaçi. "Agjendat nuk i kanë të përbashkëta, por të ndara. Të dy kanë role dhe përgjegjësi të ndara institucionale, andaj nuk është e thënë që vizitat t‘i bëjnë bashkë. Raportet janë të njëjta në kuptimin institucional. Janë raporte që kanë qenë gjatë gjithë kohës", ka thënë Krasniqi.

Deputetët

Ndërkaq, dy deputetë nga dy partitë, përkatësisht ish-kryeministri Bujar Bukoshi, aktualisht parlamentar i LDK-së dhe Zafir Berisha, deputet i PDK, kanë theksuar se "martesa" mes dy forcave kryesore të Kosovës është drejt fundit. Berisha, deputet i PDK-së dhe kryetar i degës së kësaj partie në Prizren, tha se zhvillimet në procesin e fundit zgjedhor dhe ato rreth balotazhit kanë dëshmuar se PDK-ja dhe LDK-ja nuk janë parti që mund të qeverisin edhe pas shpalljes së pavarësisë. "Detyrën, ky koalicion e ka kryer me shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe, thjesht, PDK-ja dhe LDK-ja në koalicion është shumë e pakuptimtë. Unë e them këtë si deputet. E kam thënë edhe atëherë (2007) dhe vazhdoj ta them. Megjithatë, ia lëmë kohës dhe besoj se pranvera do të jetë shumë e favorshme për t‘i parë gjërat se si do të rrjedhin, se, si zakonisht, gjërat e mëdha te shqiptarët ndodhin në pranverë", tha Berisha. Ndërkohë, edhe deputeti i LDK-së, Bujar Bukoshi vlerëson se koalicioni aktual është në krizë dhe se nuk po funksionon. Sipas Bukoshit, gjendja është tejet alarmuese dhe duhet të ketë një vlerësim politik se a mund të rikuperohet diçka me riformatimin e tij apo me shpalljen e zgjedhjeve të lira. "Qeverisja nuk ka treguar kurrfarë performance ose fare pak performancë. Kemi një varg të defekteve, të cilat alarmojnë. Kjo qeveri ose ky koalicion duhet të rikonsiderohet, të shihet se a ka masa të mundshme për ta sanuar gjendjen, për të cilën unë personalisht mendoj se është mjaft vështirë", u shpreh Bukoshi.

Përgatiti: Y.Pata

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›