E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dilemat e reformës zgjedhore

Afrim Krasniqi

Ndryshimi i sistemit zgjedhor në Kushtetutë po vijon të konsiderohet një ndryshim historik, që ndan përfundimisht sistemin zgjedhor nga skemat taktike të njohura me emrin “Dushk”. Përcaktimi historik ka vlerë të përdoret në disa aspekte të këtyre ndryshimeve. Kështu, kalimi nga sistemi mazhoritar i vitit 1991 në sistemin proporcional të vitit 2009, përbën një ndryshim thelbësor në sistemin politik. Vlera historike ka edhe marrëveshja e arritur midis partive të mëdha për kalimin e paketës kushtetuese, votimi me shumicë absolute në favor të ndryshimeve si dhe krijimi i raporteve të reja president – parlament në zgjedhjet presidenciale.
Por nëse paketa e ndryshimeve kufizohet vetëm në sistemin zgjedhor dhe synimin e tij për eliminimin e skemave taktike, është e vështirë të gjendet një zhvillim me vlerë historike. Sistemi i ri elektoral në Kushtetutë, ashtu si sistemi elektoral Kushtetues i vitit 1998, në thelb janë të njëjta, madje në formulën e re janë shënuar hapa pas. Konkretisht, Kushtetuta e vitit 1998 në nenin 64 të saj përcaktonte parimin proporcional të balancimit midis votave dhe mandateve të partive. Aty theksohej se “numri i përgjithshëm i deputetëve të çdo partie dhe/ose koalicioni partish përcaktohet në raport sa më të afërt me votat e vlefshme të marra prej tyre në të gjithë vendin në raundin e parë të zgjedhjeve”. Pra, Kushtetuta e vitit 1998 kërkonte një balancim proporcional të qartë dhe të detyrueshëm. Ky përcaktim nuk gjendet në ndryshimet e reja të bëra në Kushtetutë, në të cilat sistem votimi përcaktohet sistemi proporcional rajonal. Nëse supozohet se modeli zgjedhor do të ruajë elementët fanatikë të ndarjeve rajonale, atëherë mund të ndodhë që diferenca midis votave dhe mandateve të partive politike të jetë shumë më e madhe sesa sistemi që u prodhua me Kushtetutën e vitit 1998.
Sistemi i balancimit proporcional i vitit 1998 nuk pati shansin të vihej në provë. Asnjë proces zgjedhor i zhvilluar midis viteve 1998 – 2008 nuk u bazua në parimin e përcaktuar në nenin 64 të Kushtetutës. Maxhorancat parlamentare, të interesuara për të fituar më shumë mandate sesa votat elektorale, krijuan hapësira për skemat taktike, (Dushku). Një retrospektivë e këtyre proceseve rezulton se ato u ligjëruan me ndryshimet në Kodin Zgjedhor në vitin 2000 dhe më pas, me ndryshimet e reja në Kod më 2005. Në të dy rastet Kodi Zgjedhor krijoi formula të reja të leximit të votave dhe përllogaritjes së mandateve, të cilat në thelbin e tyre ishin në kundërshtim me parimin kushtetues të vitit 1998. Argumentet juridike u përdorën në zgjedhjet e vitit 2001, kur disa parti politike të majta e të djathta iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për shpalljen antikushtetuese të neneve të Kodit Zgjedhor, që devijonin parimin e balancimit kushtetues midis mandateve dhe votave. Gjykata Kushtetuese, atë kohë e motivuar politikisht, e rrëzoi kërkesën dhe kështu, i dha legjitimitet skemave taktike të aplikuara në zonën 60 në Lushnjë.
Pra, gjatë zgjedhjeve të vitit 2001 dhe 2005 nuk dështoi parimi kushtetues, e për pasojë sistemi zgjedhor i Kushtetutës së vitit 1998, por dështoi aplikimi i këtij sistemi përmes procedurave të përcaktuara në Kodet Zgjedhore të hartuara në vitin 2000 dhe 2005. Edhe në rastin konkret ndryshimet e reja kushtetuese në lidhje me sistemin zgjedhor, faktikisht, ende nuk i kanë dhënë përgjigje ndalimit përfundimtar të aplikimit të skemave taktike në fushatat elektorale. Prova e vërtetë e ndryshimit dhe reforma reale në sistemin zgjedhor do të përcaktohet në Kodin e ri Zgjedhor, për të cilin ende nuk ka një draft konkret. Formula që do të vendoset në Kod për leximin e votave dhe përllogaritjen e mandateve do të jetë përcaktuese për vlerën dhe efektin e sistemit të ri zgjedhor, të vendosur tashmë në Kushtetutë.
Në shkencat politike dhe historinë e sistemeve elektorale, sistemi proporcional njihet si sistemi që prodhon një numër të madh partish politike parlamentare dhe, për pasojë, edhe qeveri koalicioni. Fakti se në rastin konkret, dy partitë e mëdha që udhëhoqën ndryshimet kushtetuese, mburren me të kundërtën, pra me synimin se sistemi i ri do të ulë ndjeshëm numrin e partive parlamentare dhe qeveritë e dala prej zgjedhjeve do të jenë qeveri të qëndrueshme, pa bezdinë e partive të vogla, vjen tërësisht në kundërshtim me parimin shkencor dhe historik të sistemit proporcional. Kjo nënkupton se hartuesit e modelit të ri kanë në prapaskenë një model tjetër proporcional, një model që megjithëse proporcional, jep efekte të kundërta me modelin tradicional proporcional. Për këtë ka një sërë formulash, kryesisht në formën e përllogaritjes së votave dhe të vendosjes së kufizimeve në Kodin e ri Zgjedhor.
Praktikisht, ekzistojnë një numër variantesh sesi formula të ndryshme përllogaritje mund të prodhojnë respektim ose devijim të parimit proporcional kushtetues. Konkretisht, nëse sistemi do të mbetet tërësisht proporcional rajonal, pa votë kombëtare, atëherë rezultatet përfundimtare do të ishin një cenim i ndjeshëm i parimit proporcional kushtetues. Hartuesit e sistemit të ri zgjedhor ende nuk kanë zgjidhur dilemën se kujt do t’i shkojnë votat e partive që nuk kalojnë kufirin rajonal për një mandat parlamentar. Një shembull nga zgjedhjet e vitit 2001, kur u aplikua për herë të parë skema taktike e ndarjes së mandateve. Në ato zgjedhje, PS-ja fitoi 41.51% të votave dhe PD-ja me aleatët 36.80%. Pra, së bashku dy partitë e mëdha fituan 78.31% të votave, ndaj 21.69% të partive të tjera politike. Në sistemin proporcional rajonal me këto shifra, PS e PD mund të fitojnë jo më 78% të vendeve në parlament, por më shumë se 90% të vendeve në parlament, pasi në asnjë rajon partitë e vogla nuk arritën të kapërcejnë kufirin e sotëm të përfitimit të një mandati parlamentar.
Një formë tjetër devijimi do të ishte eliminimi i mundësive që partitë të përfitojnë nga vota e humbur lokale, pra eliminimi i listës kombëtare të partive. Nëse zbatohet kjo formulë, atëherë do të kemi një numër partish politike që në nivel kombëtar mund të kenë fituar 3-5% të votave, por nuk arrijnë të fitojnë asnjë mandat parlamentar. Nëse ky numër partish shkon 3-5 parti politike, atëherë do të kemi 10-25% të votave të papërfaqësuara në parlament. Ky do të ishte një produkt negativ dhe kundërvënës ndaj premtimit aktual të dy partive të mëdha, për krijimin e një sistemi zgjedhor “historik” që i jep fund mospërfaqësimit të votave dhe vullnetit real të qytetarëve. Ashtu siç partitë e vogla nuk duhet të përfitojnë nga skemat taktike për të fituar mandate të dhuruara nga partitë e mëdha, ashtu edhe këto të fundit nuk kanë të drejtë që përmes skemave taktike të fitojnë mandatet e partive të vogla.
Një formë e tretë e devijimit nga parimi kushtetues votë - mandate parlamentare do të ishte aplikimi i koalicioneve preferenciale partiake. Supozohet se dy partitë e mëdha krijojnë koalicione me aleatët besnikë, tek të cilët tradicionalisht bëjnë pjesë edhe disa parti pa elektorat. Aleatët e këtyre partive mund të përfitojnë nga vendosja e kryetarëve në listat e partisë së madhe, ose nga mbetjet dhjetore të votave të partive më të mëdha në koalicion. Në këtë rast do të mbeten pa përfaqësim parlamentar, ose me një përfaqësim vetëm simbolik, partitë e tjera politike të vogla, por me elektorat të qëndrueshëm 3-4%, të cilat nuk pranojnë ofertat detyruese të partive të mëdha. Si rezultat, në parlamentin e ri do të hyjnë partitë e mëdha dhe disa parti të vogla besnike aleate dhe do të mbeten jashtë tij partitë e treta ose të katërta politike, që nuk pranuan bashkëpunimin elektoral. Në favor të kësaj skeme shkojnë edhe sinjalet e fundit, të përpjekjeve të partive të mëdha për përçarjen e partive të vogla rebele, në fraksione besnike që përfitojnë ndaj skema, dhe fraksione jobesnike, që konsiderohen të padëshirueshme për dy partitë e mëdha.
Rrezik tjetër për integritetin e sistemit proporcional është raporti me emigrantët dhe ndarja e zonave elektorale, pra e rajoneve elektorale. Në modelin e ri zgjedhor nuk u mor parasysh nevoja për përfshirjen e emigrantëve në votime (praktikë kjo për shumicën e vendeve evropiane), dhe ende nuk ka një formulë të qartë për këtë, edhe pse emigrantët përfaqësojnë kontribues të rëndësishëm ekonomik dhe potencial të madh njerëzor. Lidhur me zonat (rajonet) elektorale, nëse ndryshimi i tyre do të bëhet në rrugë bipartizane, pa kritere publike, transparente dhe të pranueshme nga aktorët politikë, ekziston mundësia që partitë e mëdha, përmes ndarjes zonale, të ndëshkojnë partitë e treta politike që nuk pranojnë diktatin e dy partive kryesore. Simbolikisht, një gjë e tillë mund të ndodhë, p.sh., nëse vendoset që zona e Skraparit, votuese e LSI në zgjedhjet e fundit, ndahet në dy qarqe, duke ndarë edhe votat e kësaj partie, e për pasojë, duke ndaluar me ligj, mundësinë që kjo parti të ketë një përqindje të mjaftueshme rajonale votash, për të përfituar mandate parlamentare.
Ndryshimet në Kushtetutë, edhe për KQZ mund të shoqërohen me rikompozimin e këtij organi, të përbërjes, funksioneve dhe të rolit të partive politike në procesin e numërimit të votave dhe të vëzhgimit të votimeve. Partitë e mëdha kanë votat e mjaftueshme për ndryshime në Kod, për një KQZ, KZZ e KQV dypartiake, shumëpartiake apo teknike, duke vënë në diskutim tërësisht edhe raportin aktual të partive të treta politike me procesin dhe infrastrukturën zgjedhore.
Bazuar në këto argumente, mund të thuhet sistemi i ri zgjedhor i përfshirë në Kushtetutë nuk është sa duhet bindës, efektiv dhe afatgjatë. Fati i tij do të varet nga ndryshimet që do të bëhen në Kodin Zgjedhor. Sistemi zgjedhor kushtetues i vitit 1998 ishte shumë më i mirë, por dështoi për shkak të Kodeve Zgjedhore që u hartuan në zbatim të tij; modeli i sotëm kushtetues mund të jetë gjithashtu i suksesshëm ose i dështuar, në varësi të formulave dhe rregullave që do të përcaktohen në Kodin e ri Zgjedhor. Ky duhet të ketë qenë edhe shqetësimi kryesor që nxiti partitë e koalicionit të djathtë të kërkonin që reforma të ishte e njëhershme në Kushtetutë e në Kod, apo që ato të nënshkruanin një marrëveshjeve politike paraprake, përpara se të votonin ndryshimet kushtetuese. Po ashtu, fakti se partitë e mëdha realizuan ndryshimin e sistemit zgjedhor kushtetues pa ofruar garanci për ndryshimet që do të bëhen në Kodin Zgjedhor, është gjithashtu një sinjal negativ dhe një tregues se reforma e vërtetë zgjedhore jo vetëm nuk ka mbaruar, por ajo ende nuk ka nisur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›