E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja “Gërdeci”, kontrolli urgjent në zyrën e Pinarit

Zyra e ish-drejtorit të ndërmarrjes MEICO Ylli Pinari, ka qenë një thesar i vërtetë për prokurorët e dosjes "Gërdeci".

Trazhgim Sokolaj

Aty janë gjetur korrespondenca mes zyrtarit të lartë të import-eksportit të armëve dhe municioneve shqiptare dhe drejtuesve të kompanive të huaja. Verifikimi i këtyre shkresave në zyrën e Ylli Pinarit si dhe materialet e gjetura në kompjuterin dhe kasafortën e tij, ndihmuan prokurorët për të hedhur dritë në detajet e procedurave që ishin ndjekur për çmontimin e fishekëve të kalibrit të vogël e më pas të predhave të artilerisë së rëndë në ish-repartin e tankeve në Gërdec. Një prej këtyre detajeve ishte edhe nënshkrimi i kontratës së çmontimit në Gërdec, mes Ylli Pinarit dhe shoqërisë SAC-Albademil, gjashtë ditë para daljes së urdhrit të Ministrisë së Mbrojtjes për këtë qëllim. Nga shkresat e materialet e gjetura në zyrën e Pinarit, Prokuroria mësoi se Patrick Henry III kishte krijuar firmën "Alba Demil" me aksione të përbashkëta me Mihal Delijorgjin, pasi kishte marrë premtimin për demontimin në Gërdec. Gazeta "Panorama", siguroi dje vendimin e gjykatës, i cili ka autorizuar kontrollin e ushtruar nga prokurorët në zyrën e Ylli Pinarit. Vendimi i gjykatës është dhënë me kërkesë të prokurorëve të çështjes, 11 ditë pas arrestimit të ish-zyrtarit të lartë të MEICO-s. Në këtë kohë dosja ndodhej në Prokurorinë e Tiranës, por provat e materialet e gjetura në zyrën e Ylli Pinarit, janë shfrytëzuar më pas edhe nga Prokuroria e Përgjithshme në hartimin e kërkesës për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu. Kontrolli në zyrën e Ylli Pinarit është kryer nga oficerët gjyqësorë të Tiranës pas mesditës së 29 marsit 2008. Vetëm pak ditë pas këtij kontrolli, Prokuroria e Tiranës shpalli moskompetencën e hetimit, duke kërkuar imunitetin e ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu. 
Kontrolli
Më 29 mars 2008, rreth 14 ditë pas tragjedisë së Gërdecit, Prokuroria kërkon autorizim për të kontrolluar zyrën e ish-drejtorit të MEICO, Ylli Pinari. Prokuroria e Tiranës është shprehur në kërkesën drejtuar Gjykatës, se ka regjistruar procedimin penal nr.916, për veprën penale të "shkeljes së rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive", parashikuar nga neni 282/2 i Kodit Penal. "Nga hetimet paraprake ka rezultuar se: Në ambientet e një ish-reparti ushtarak, të ndodhur në fshatin Gërdec të rrethit të Tiranës, ushtronte veprimtarinë e saj shoqëria "ALBADEMIL" sh.p.k., veprimtari e cila konsistonte në demontimin dhe demilitarizimin e municioneve luftarake të kalibrave nga 20-152 mm. Në datën 15.03.2008, rreth orës 12:00, aty ka ndodhur një shpërthim tepër i fuqishëm dhe si pasojë është shkaktuar vdekja e një numri të konsiderueshëm personash, si dhe janë plagosur shumë të tjerë dhe shkaktuar dëme tepër të mëdha materiale", thuhet në kërkesën e Prokurorisë. Sipas saj, "nga të gjitha të dhënat e deritanishme, duket qartë se, shkak i shpërthimit është shkelja e rregullave të caktuara në lidhje me lëndët plasëse". Sipas akuzës, procesi i demontimit dhe demilitarizimit në këtë rast, kryhej në zbatim të urdhrit nr.2044, datë 07.12.2007, të Ministrit të Mbrojtjes "Për kalim municioni ndërmarrjes MEICO. Në këtë urdhër kërkohej që ndërmarrja MEICO të lidhte kontratë me "Southern Ammunition Company". "Veç të tjerash MEICO përgjigjej edhe për zbatimin nga kontraktori të procedurave standarde të sigurisë, të masave të mbrojtjes nga zjarri dhe sigurisë së jetës dhe shëndetit të personelit të projektit gjatë procesit të çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve, në kushte të rrepta vëzhgimi e sigurie", thotë Prokuroria. Sipas saj më 28.12.2007 është lidhur kontrata midis ndërmarrjes MEICO dhe shoqërisë amerikane "Southern Ammunition Company". Ndërmarrja MEICO është përfaqësuar nga drejtori i saj, personi nën hetim, Ylli Pinari, ndërsa shoqëria "Southern Ammunition Company", është përfaqësuar nga shtetasi amerikan Patrick C. Henry III. Mbas lidhjes së kësaj kontrate, në datën 31.12.2007 shoqëria amerikane "Southern Ammunition Company", ka lidhur kontratë me shoqërinë "ALBADEMIL", dhe sipas kësaj kontrate ishte kjo shoqëri që do të merrej me procesin e demontimit dhe demilitarizimit, si dhe shitjen e produkteve që përfitoheshin nga ky proces. Nga hetimet e deritanishme ka arsye të bazuara për të menduar se, në ambientet e zyrës drejtorit të ndërmarrjes MEICO, nga ana e personit nën hetim, shtetasit Ylli Pinari, mund të jenë fshehur prova materiale të veprës penale për të cilën ai dyshohet". Prokuroria duke iu referuar mundësisë së fshehjes së provave, e ka konsideruar kërkesën e saj urgjente, ndërsa gjykata e miratoi atë në mënyrë të përshpejtuar.

Pinari, personi kyç në shitjen dhe çmontimin e municioneve

TIRANE - Ish-drejtori i ndërmarrjes MEICO është dëshmitari kryesor i Prokurorisë në hetimet për tragjedinë e Gërdecit, por edhe në investigimin për shitjen e fishekëve kinezë tek kompania AEY e tenderuar nga Departamenti i Mbrojtjes. Qenia titullar i ndërmarrjes së vetme në vend, të lejuar për import-eksport armësh e municioneve, por edhe specifika e zyrës dhe drejtuesit të saj, duket se e kishin kthyer Ylli Pinarin në personin kyç për gjithçka që ndodhte me armët dhe municionet. Prokuroria pretendon se, Pinari ka qenë i pari që ka hyrë në kontakt me amerikanët e SAC dhe më pas ka ndërmjetësuar një takim mes drejtuesve të kësaj kompanie dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Mediu. Nga hetimet Pinari rezulton të ketë qenë ne kontakt edhe me Efraim Diverolin, pronarin 22-vjeçar të kompanisë amerikane AEY, e cila bleu në Shqipëri fishekë kinezë për të furnizuar ushtrinë afgane për llogari të Departamentit Amerikan të Mbrojtjes.

Durrës, zbulohen predha malazeze

Ka mjaftuar një sinjal i banorëve të fshatit për rrezikun e arsenaleve luftarake në depon e MEICO-s, në Memaj, për ta detyruar Prokurorinë e Durrësit t'i vënë drynin asaj.

Gjithçka ka ndodhur pas tronditjes, që shkaktoi katastrofa e Gërdecit. Të frikësuar nga rreziku i municioneve në depon e MEICO-s në fshatin e tyre, banorët kanë dhënë menjëherë alarmin, fillimisht në organet e policisë, e mandej në Prokurorinë e Rrethit. Sipas burimeve nga organi i akuzës së Durrësit, pas këtij informacioni është bërë verifikimi në vend dhe bashkë me autoritetet ushtarake, është vendosur ndërprerja e çdo lloj veprimi në depon e eksploziveve. Kontrolli i mëtejshëm në të, ka zbuluar sasitë e eksplozivit dhe municioneve luftarake që depozitoheshin në depon e MEICO-s në Memaj. Nga hetimet e deritanishme dyshohet ndërkaq, për një trafik armësh që ndërmarrja e eksport-importit e Ministrisë së Mbrojtjes, ka bërë në fshehtësi në këtë depo sekrete të saj.
Depozitat e municionit
"Në depot e Memajt ka barut dhe municione artilerie", përtej këtij konstatimi të Prokurorisë së Rrethit të Durrësit, burime nga strukturat e logjistikës të ushtrisë bëjnë të ditur se, në depot sekrete të MEICO-s, aktualisht, ndodhen rreth 2 tonë barut dhe 1000 predha të artilerisë. Sasia e barutit është depozituar para tre vjetësh, në pritje të eksportit që do të bëhej nga porti i Durrësit. Kohëzgjatja e këtij transaksioni dhe kushtet jo të mira për ruajtjen e tij, thonë punonjësit që kanë punuar për llogari të MEICO-s në bazën e saj në Memaj, kanë ndikuar në uljen e cilësive të barutit dhe ndotjen e mjedisit. Më shumë se era e keqe që ka filluar të lëshojë sasia e barutit e ruajtur në këto depo, fshatarët janë të frikësuar për rrezikun e ndonjë shpërthimi nga municionet e artilerisë. Ekspertë të organit të Prokurorisë, që kanë verifikuar gjendjen në depot e Memajt, dyshojnë se në të mund të ketë sasi të konsiderueshme të eksplozivave të rrezikshëm. Sipas tyre, ka të dhëna për një depozitë disa tonësh trotili, që është sjellë nga uzina e Mjeksit, por edhe nga ajo e Gramshit, e cila ka bërë demilitarizimin e predhave të Delijorgjit.
Predhat e Malit të Zi
Në sasitë e arsenaleve luftarake që ka depozituar MEICO në Memaj, Prokuroria e Rrethit të Durrësit, ka vlerësuar predhat e artilerisë të prodhimit malazez. Më shumë se për rrezikun e një shpërthimi të pavullnetshëm, përfaqësuesit e akuzës janë duke hetuar misterin e importimit të municioneve nga vendi fqinj dhe mundësinë e një trafiku rajonal të municioneve luftarake. Janë plot 1000 predha mortajash, u shpreh për gazetën një nga prokurorët që ka qenë në objekt dhe të gjitha kanë ardhur aty pa asnjë dokument. Sipas tij, ngarkesën me to e ka sjellë ish-drejtori Ylli Pinari, i cili ka urdhëruar magazinierin t'i sistemojë në depo, duke e sqaruar se dokumentacionin e kishte ai. Nga verifikimet që ka bërë gazeta, sasia e predhave të prodhimit nga Mali i Zi, ka mbërritur aty në dhjetorin e vitit 2006 e shoqëruar nga vetë drejtori Pinari. Gjithçka është kryer natën, nën drejtimin e tij dhe magazinierit të besuar të MEICO-s Sabri Losha, i cili i është bindur shefit të MEICO-s dhe e ka sistemuar ngarkesën në depot e Memajt pa asnjë dokument zyrtar. Burime nga MEICO thanë për "Panorama", se arsenali i predhave të Malit të Zi ishin destinuar për t'u trafikuar në një vend aziatik për llogari të një afere të fshehtë.
Reagimi
Situata në depot e MEICO-s në Memaj mund të sjellë të papritura nga momenti në moment. Më shumë se bllokimi i tyre, për autoritetet zyrtare është shqetësues parandalimi i ndonjë ngjarje të jashtëzakonshme që mund të ndodhë nga shpërthimet e eksploziveve të depozituara aty. Reagimi ka ardhur fillimisht nga organet e hetimit dhe ato të pushtetit vendor, të cilat kanë apeluar pranë Shtabit të Përgjithshëm për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejtë, për evadimin e arsenaleve të rrezikshme. Njëherazi, me transportimin e këtyre municioneve nga Memaj, autoritetet ushtarake këto ditë janë duke evaduar nga depot e Shkozetit ngarkesën e 59 kontejnerëve me predha mortajash, të cilat kanë mbetur aty që nga vera e vitit të kaluar, kur u bllokuan nga institucionet ndërkombëtare gjatë trafikimit për në Armeni.

Ministria zbarkon në Shkozet, mes qytetit 59 kontejnerë me predha

Rreth 50 mijë predha të mortajave 120 mm qëndrojnë të depozituara në depon e bazës së Armatës, në Shkozet, që prej një viti. Burime nga Brigada e Logjistikës, pjesë e së cilës është ky objekt, deklaruan për gazetën "Panorama", se kjo ngarkesë ka qenë e destinuar për t'u eksportuar drejt Armenisë, por është rikthyer mbrapsht, pasi është kapur në ujërat e Bosforit nga organet e rojës bregdetare të Turqisë. Ka qenë zhurma që krijoi katastrofa e Gërdecit, shkaku që zbuloi misterin e këtij trafiku ndërkombëtar. Prania e kontejnerëve me arsenalet shpërthyese në afërsi të qytetit të Durrësit, është vlerësuar nga zyrtarët vendorë rrezik potencial për një "Gërdec" të dytë. Ka qenë kjo arsyeja që ata kanë adresuar shqetësimin e tyre në dikasterin e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm dhe kanë kërkuar prej tyre tërheqjen e menjëhershme të depozitave eksplozive nga ky rajon. Me porosinë e drejtpërdrejtë të ministrit Oketa, ka nisur këto ditë aksioni për transferimin e këtyre eksploziveve nga Shkozeti për në një rajon më të sigurt. Ndërkaq, organet e hetimit kanë hapur dosjen e investigimit për trafikun e fshehtë, që MEICO do të bënte me sasinë e 59 kontejnerëve me mortaja të nisura majin e kaluar në drejtim të Armenisë. Bllokimi i tyre në ujërat e Bosforit, sqaroi për gazetën një burim pranë misionit të ushtrisë turke në Tiranë, u bë i mundur vetëm pas sinjalizimit, që një prej gjeneralëve shqiptarë bëri për Shtabin e Përgjithshëm të Ankarasë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›