E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dimension i ri të politikës së jashtme

Autori i Lajmit: Nga Robert Goro

Vizita e Ilir Metës në Serbi dhe shkuarja e tij edhe në Preshevë, dëshmon se politika e jashtme shqiptare po fiton një dimension, por edhe një destinacion të ri.

1. Dimensioni
Në kohën që Tirana e Beogradi deklarojnë se u ra dakord që pikëpamjet diametrialisht të kundërta për çështjen e Kosovës, nuk duhet të influencojnë zhvillimin e marrëdhënieve ndërshtetërore, Ilir Meta, me vizitën e tij në Preshevë ka hedhur një piketë që marrëdhëniet shqiptaro-serbe, tash e tutje, të (duhet të) kondicionohen nga një faktor i ri. Që nuk është tjetër përveç sjelljes së pushtetit qendror në Beograd ndaj minoritetit shqiptar në Luginën e Preshevës. Një minoritet që të paktën tash për tash duket se e ka mbledhur mendjen të qëndrojë larg skenarëve destabilizues. Por që nga ana tjetër ka qenë “ndër më jetimët e më të diskriminuarit ndër shqiptarët e rajonit”, siç u shpreh vetë Ilir Meta gjatë vizitës në Luginë.
Është e qartë se banorët e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës nuk do të fillojnë tani të hanë me lugë floriri, siç thotë një shprehja e jonë popullore. Dhe entusiazmi e emocionet e ndërsjellta për këtë vizitë që banorët e prisnin 97 vjet, përbëjnë anën foklorike (nëse lejohem të shprehem kështu), të vizitës.
Sepse ana substanciale është ajo që thamë pak më lart, pra se në marrëdhëniet mes Shqipërisë e Serbisë, ndërfutet edhe një parametër, apo dimension i ri.
Ndërkaq, ky parametër apo dimension, do të ishte pak i rëndësishëm nëse inkuadrohej thjesht në marrëdhëniet dypalëshe. Por kam mendimin se me këtë hap, politika e jashtme shqiptare plotëson e konsolidon axhentën e saj, duke dëshmuar në të njëjtën kohë një frymë (të munguar deri më tash) ofensive, në sensin strategjik të fjalës.
Në politikën e jashtme të vendeve fqinje ekzistenca e minoriteteve (respektive ose jo), përbën vazhdimisht një pikë të nxehtë e shpeshherë edhe një mollë sherri. Deri më tani Shqipëria ka qenë e tërhequr në këtë çështje; ndoshta në emër të përgënjeshtrimit të imazhit që fqinjët e saj kishin krijuar e konservuar në arenën ndërkombëtare; apo ndoshta në emër të ruajtjes së stabilitetit të brishtë në Ballkan, sipas porosive të Brukselit që spara ia ka ënda të lindin probleme të tjera në këtë kënd të Europës, ku ende vërtitet era e barutit...
Por Shqipëria e 2010-s është anëtare e NATO-s, me aspiratë dhe shpresa të konsoliduara që në një moment të anëtarësohet edhe në Bashkimin Europian. Më shumë se “atu” në kartërat e politikanëve, qenia në NATO përkthehet në rritje të emrit e të peshës së Shqipërisë dhe në rivlerësim të rolit të saj rajonal, por edhe ndërkombëtar. (Pse qenia në Paktin e Atlantikut nënkupton –veç gjithë të tjerave - edhe disponimin e një vote të cilën e kanë nevojë edhe shtetet më të mëdhenj).
Dhe pikërisht se është e tillë, mund ta ngrejë zërin e saj, pa stonuar, në kërkim dhe në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve anekënd në Ballkan. Fillimi i bërë në Preshevë (në të vërtetë duhet konsideruar vetëm si një hap i parë), qoftë nisja e një rruge të re (pa stonatura, siç thamë e kreshendo nacionaliste), me stacion të dytë Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, ku pjesëmarrja tradicionale e shqiptarëve në qeveritë e vendit fqinj, më shumë i përngjan garniturës në një gjellë të ringrohur...

2. Destinacioni
Vitet e fundit, ministrat e jashtëm shqiptarë më shumë kanë rrahur rrugën për në Bruksel, se sa për në dikasterin e tyre. Dhe kjo ishte e shpjegueshme me axhendën integruese të Shqipërisë. Por Shqipëria, pavarësisht se mund ta dëshironte shumë, nuk mund të ndahet nga konteksti i saj ballkanik, aq më tepër që në gjithë vendet e rajonit është krijuar tashmë një dinamikë e re, që sigurisht ka emërues të përbashkët anëtarësimin në BE.
Por konteksti rajonal ballkanik do të mund të ishte një shtysë e fortë për të nxitur bashkëpunimin e gjithanshëm midis gjithë shteteve të gadishullit. Aleancat rajonale, sidomos në kushtet globalizmit të gjithanshëm, mund të rezultojnë shumë të vlefshme për vendet me potenciale të kufizuara ekonomiko-tregtare, si Shqipëria jonë. Çfarë më mirë se një, le ta quajmë aleancë ballkanike, do të promovonte më mirë interesat e shteteve të rajonit?
Prandaj unë dua të besoj se politika e jashtme shqiptare ka krijuar edhe një destinacion të ri, pas takimeve të muajve të fundit me gjithë shefat e diplomacisë të rajonit: Kosovë, Greqi, FYROM, Mali i Zi, Turqi, Slloveni, e tash së fundit, Serbi. Në të njëjtën kohë shohim që dendësimi i kontakteve këtë periudhë nuk është atribut vetëm i politikës së jashtme shqiptare: Kujtoj takimet e shpeshta katërpalëshe, turko-boshnjako-kroato-serbe, me iniciativë të Ankarasë.
A thua nga kjo dinamikë do të dalë diçka konkrete dhe e frytshme?
Ministri i jashtëm Ilir Meta, nuk i përgjigjet qartë kësaj pyetjeje, në intervistën për gazetën Tribuna. Ai thjesht e shpjegon me një nga prioritetet e kuptueshme të politikës së jashtme shqiptare. Gjithsesi, “Ballkan Express” (për të huazuar një titull libri të mikut të nderuar James Pettifer), do të mund të ishte një linjë normale udhëtimesh jovirtuale, që do të na sillte më pranë njeri-tjetrit të gjithëve: miq, armiq, vëllezër e kushërinj..., e do të kishte si finale atë fjalën domethënëse PAJTIM...
Ky lajm është publikuar: 21/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›