Kalo: Autonomia e spitaleve do të rrisë përgjegjësinë
"Spitali do të menaxhohet nga një Bord për të hequr frymën e komandimit dhe do të ketë marrëdhënien e tregut dhe nëse spitali del me deficit, duhet të falimentojë. Kjo reformë do të ecë hap pas hapi dhe natyrisht kjo autonomi është pak e limituar në kuptimin që nuk është kaotike", u shpreh Isuf Kalo, drejtori i Qendrës Kombëtare të Standardeve, Cilësisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore, lidhur me reformën e re që pritet të fillojë nga zbatimi në fillim të vitit që vjen. Sipas tij, spitali do të ketë një autonomi të kufizuar në kuptimin që do të kryejë një mision të MSH, do të ndjekë politikat dhe respektojë kërkesat bazë të saj, në lidhje me hapësirat, personelin, etj. Ndërkohë që spitali nuk do të jetë fitimprurës në kuptimin që vërtet do të jetë ndërmarrje, pra nuk do të ketë qëllim të pasurohet, por ato që do të fitojë do t‘i investojë përsëri, që të jetë gjithnjë e më i mirë. Në këtë drejtim, thekson Kalo, spitali do të konkurrojë, sepse nëse do të performojë më mirë dhe fitojë më shumë, do të paguajë personelin më mirë, i cili do të afrohet, duke qenë i paguar më mirë dhe me këtë, do të vijnë më shumë pacientë dhe kështu do të jetë në qarkun e përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë. Nga ana tjetër, shprehet ai, spitali, para se të japë shërbimin tek ISKSH, do të ketë një mall cilësie dhe etiketa e cilësisë është akreditim, në kuptimin që ky shërbim është i akredituar, i plotëson kushtet e cilësisë. "Spitali do të mësojë të masë këta tregues të performancës, se duke performuar më mirë do të ketë mundësi të bëjë bilanc pozitiv. Kështu, spitali do mësojë të vetëmenaxhohet", sqaron Kalo. Ai e konsideron këtë jo thjesht si autonomi, por si një rritje të përgjegjësisë. "Reforma është në radhë të parë konceptuale, sepse për herë të parë, MSH jep një nga pushtetet e saj, atë administrativ (kontrollues). Kjo jep liri vendimmarrjeje krijon më shumë iniciativë, spitali do të ndjehet më shumë përgjegjës dhe do të ikim kështu nga psikologjia dhe kultura e fajësimit të të tjerëve", shprehet drejtori i Qendrës Kombëtare të Standardeve, Cilësisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore.