E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës-Kukës, gjykata mbyll hetimin

 

Fatos Mahmutaj

Gjykata rrëzon prokurorinë në zgjatjen e afateve për hetimin e dosjes së rrugës "Durrës-Kukës", duke vendosur në favor të së pandehurve që paditën organin e akuzës. Vendimi u shpall dje pas kërkesës së dy prej të pandehurve në këtë çështje Armand Teliti e Andi Toma dhe si pasojë u shpallen të pavlefshme të gjitha veprimet hetimore të kryera nga organi i akuzës pas datës 6 nëntor të këtij viti. Fillimisht, seancën e djeshme Gjykata e Tiranës shpalli kompetencën për gjykimin e kësaj çështjeje duke argumentuar siç tha dhe prokurori, se ministri i Jashtëm Lulzim Basha, ish-ministër i Transporteve nuk është i pandehur në këtë çështje, por person nën hetim. E thënë ndryshe imuniteti i deputetit, që gëzon Basha nuk e pengon gjykatën të shqyrtojë kërkesën e dy personave, që hetohen në të njëjtën çështje me të. Pas kësaj, gjykata nisi administrimin e provave të palëve. Avokati mbrojtës i Tomës dhe Telitit, Genci Gjokutaj depozitoi në gjykatë në cilësinë e provës vendimin e prokurorisë për zgjatjen e afateve të hetimit për këtë çështje nga data 6 nëntor deri më 6 dhjetor 2008. Kurse prokurori i çështjes Arben Kraja depozitoi dy dokumente, të firmosur nga Teliti dhe Toma, të cilëve u kishte komunikuar përfundimin e ekspertizës kontabël të bërë nga një grup ekspertësh. Sipas tij, dy të pandehurit ishin shprehur se nuk kishin asgjë për të thënë rreth aktit me 23 faqe përshkrime dhe 7 faqe tabela, pasi këta e kishin kontestuar, që në fillim kryerjen e një veprimi të tillë.
Avokati Genci Gjokutaj, duke dhënë shpjegime rreth kërkesës pohoi se prokuroria kishte në dispozicion 30 ditë dhe nuk kreu asnjë veprim hetimor, ndërsa ditën që përfundonte afati ligjor i hetimeve u kishte komunikuar dy klientëve të tij shtyrjen edhe me një muaj të këtij afati. "I bëjmë thirrje prokurorisë të ndërpresë dhe të përfundojë hetimet rreth kësaj çështjeje. Prokurori kishte në dorë plot 40 ditë aktin ekspertimit dhe mendimet tona për të, kështu që është e kotë që hetimet të stërzgjaten", tha avokati Gjokutaj. I pandehuri Teliti, ish-zëvendësministër i Transporteve pohoi se ky proces i tejzgjatur ka konotacion politik. "Kanë kaluar të gjitha afatet kohore, ndërsa prokuroria ka pasur të gjitha mendimet tona për çështjen dhe nuk e ka bërë përfundimin e hetimeve. Jemi komod përsa i përket akuzës, pasi nuk kemi lidhje me çfarë akuzohemi kështu që kërkojmë përfundimin sa më parë të hetimeve", tha Teliti. Ndërsa Andi Toma ish-kreu Juridik i Rrugëve i kërkoi gjykatës të urdhëronte përfundimin e ritualit të çdo fund muaji apo dy-tre muajve që kishte të bënte me shkuarjen e tyre në prokurori për t'u njohur me tejzgjatje hetimesh. "Ne prisnim të na merrnin në pyetje dhe të jepnim shpjegime, ndërkohë përballeshim me ritual shtyrjesh pa fund", tha Toma.

Prokurori: S'jemi dakord, do apelojmë vendimin
TIRANE - "Do e ankimojmë në Apel vendimin e Gjykatës së Tiranës për përfundimin e hetimeve të çështjes së rrugës "Durrës-Kukës". Prokurori i çështjes e bëri këtë deklaratë menjëherë pasi gjykata i dha të drejtë dy të pandehurve Armand Teliti dhe Andi Toma, që kërkonin ndërprerjen dhe përfundimin e hetimeve në ngarkim të tyre, për shkak të tejkalimit të afateve ligjore. Ndërsa gjatë gjykimit prokurori, duke pohuar se gjatë kësaj kohe kishte kryer veprime, që u përkisnin të hetuarve të tjerë në këtë çështje, i kërkoi gjykatës rrëzimin e kërkesës së Telitit dhe Tomës. "Kemi kryer veprime duke hetuar të tjerë, që kanë angazhime publike për shkak të së cilave nuk mund t'i detyrojmë të paraqiten në prokurori në kohën që duam ne", tha prokurori. Prokuroria argumentoi më tej, se pasi kishte marrë aktin e ekspertimit u kishte lënë kohë të mjaftueshme të pandehurve të njiheshin dhe të jepnin mendimet, ndërsa ligjërisht afatet e hetimit mund t'i shtynte edhe tre muaj. Në fund, prokurori premtoi se afati i fundit për hetimet do të ishte 6 dhjetori.                                                           fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›