Dule: Dy palë bën llogarinë e 10 palëve
Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule ka kritikuar dje Kodin e ri Zgjedhor lidhur me anëtarët e grupeve të numërimit të votave dhe ndryshimin e numrit të komisionerëve. Duke folur në Parlament, në seancën e miratimit të kodit të ri, Dule, njëherësh anëtar i koalicionit qeverisës tha se "më thoni se në cilin proces, në politikë, në ekonomi, njëra nga palët konkurruese thirret të jetë edhe gjyqtari i rezultatit, i cili do të jetë i drejtë. Ku e gjeni kurajën të propozoni një kod zgjedhor, ku dy prej palëve do bëjnë llogarinë në emër të 10 palëve. Në cilin vend të BE ndodh kjo praktikë, që doni të sillni ju". Gjithashtu sipas tij, zgjedhjet e 2007, të cilat kishin komisionerë nga të gjitha partitë politike nuk u kontestuan në pikën e përbërjes së komisioneve. Ndërkohë që zgjedhjet e viteve të mëparshme, kishin kritika në këtë pikë. "Kush e kontestoi formulën e vitit 2007? A janë kontestuar formulat e përbërjes së komisioneve në zgjedhjet e 2007? Jo. Janë kontestuar të zgjedhjeve të 2000, 2001, 2003 dhe 2005", deklaroi më tej Dule.