E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tuk Jakova propozon historinë e PPSH, jo të zmadhuar rolin e Enverit

30/03/2005  Si shkuan marrëdhëniet sovjeto-shqiptare? Cili ishte shkaku i acarimit të relatave diplomatike të dy vendeve komuniste? Rusia pati rolin kryesor të donatorit në ekonominë shqiptare. Si i shohin politikanët e sotëm rusë marrëdhëniet e vjetra ndërpartiake mes komunistëve shqiptarë dhe atyre sovjetikë? Cila ishte teoria që erdhi si pasojë e prishjes me Jugosllavinë? Cilat ishin direktivat e lëshuara për “kultin e individit”.

Historiania ruse, Nina Smirnova, në librin “Historia e Shqipërisë përgjatë shekullit XX”, botuar nga "Ideart", sjell dëshmi dhe fakte të reja përmes shfrytëzimit të arkivave të panjohura të Moskës, Beogradit, Parisit, Berlinit, Londrës, Romës, Athinës e Tiranës. Në këtë botim voluminoz prej gati 800 faqesh, përfshihen mbi 250 bibliografi të reja, të panjohura më parë. Smirnova ishte njohëse e shkëlqyer e gjuhës shqipe dhe njihte fare mirë frëngjishten, italishten dhe anglishten, lexonte gjermanisht dhe greqisht.

“Shqipëria, vendi më i vogël e më i dobët i Evropës, që e fitoi pavarësinë kombëtare në fillim të shekullit XX, në vitin 1912, në jubileun e vet të njëqind vjetorit si shtet, duhet të ndahet më në fund nga emri i vendit më të varfër të Evropës, i cili e ka ndjekur pas gjatë gjithë kësaj kohe”, kështu shprehet Nina D.Smirnova (1928-2001) doktore e shkencave historike, albanologe dhe përkthyese, që është një nga autoret më serioze që është marrë me studimin dhe interpretimin e historisë shqiptare. Ajo është e njohur jo vetëm në botën akademike ruse, por edhe në arenën ndërkombëtare për qëndrimet që ka mbajtur ndaj Shqipërisë dhe kontributin në pasurimin e historiografisë shqiptare me argumente, interpretime dhe dëshmi arkivash të panjohura dhe të paqëmtuara gjer sot.

Këndvështrimet nga e cila ajo e sheh historinë e Shqipërisë hedhin dritë mbi mjaft anë të errëta, të shtrembëruara e pak të njohura mbi figurat, personazhet, personalitetet dhe momentet historike më kulmore gjatë shekullit XX-të.

Shqipëria i zgjeroi në mënyrë të dukshme lidhjet e jashtme politike. Ajo eksportonte kryesisht në vendet e bashkësisë socialiste mineral kromi dhe hekuri, naftë, bitum, bakër, komposto, duhan e prodhime duhani, lëkurë, ullinj, konserva frutash e peshku. Vendin kryesor në importet e zinin pajisjet për industrinë e naftës e atë minerare, materialet elektrike, automobilat, traktorët, makinat bujqësore, kimikatet dhe prodhime të tjera industriale. Shqipëria u përpoq gjatë për t’u njohur në arenën ndërkombëtare. Në dhjetor të vitit 1955, më në fund, ajo u pranua anëtare e OKB-së. Në vitin 1960, Shqipëria kishte marrëdhënie diplomatike me të gjitha vendet e kampit socialist, me dhjetë vende kapitaliste dhe qe anëtare e 18 organizatave ndërkombëtare, nga të cilat më të rëndësishme qenë Komisioni Ekonomik Evropian i OKB-së, Organizata Ndërkombëtare e Punës, Organizata Botërore e Shëndetësisë, UNESCO, etj. Duke bashkëpunuar dukshëm në arenën ndërkombëtare në interes të ruajtjes dhe forcimit të paqes në Ballkan, Shqipëria mbështeti një sërë nismash, që ndërmorën përfaqësuesit e bashkësisë socialiste. Jehonë të madhe ndërkombëtare pati deklarata e përbashkët sovjeto-shqiptare e 30 majit të vitit 1959, e hartuar gjatë vizitës së N.Hrushovit në Shqipëri. Në të thuhej se interesi i popujve të Gadishullit të Ballkanit dhe Adriatikut ishte krijimi në këtë rajon i një zone pa armë atomike dhe raketa. Bashkëpunimi, në kuadrin e bashkësisë socialiste, nxori në dukje dhe ndryshime në pikëpmaje për disa probleme me karakter ekonomik, politik dhe ideologjik. Deri në vitin 1960, ato zgjidheshin me anë të bisedimeve të ndërsjellta. Por, kur në mosmarrëveshjet që lindën në lëvizjen komuniste e punëtore ndërkombëtare, forcat kryesore të diskutimit u bënë Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik dhe Partia Komuniste e Kinës, marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe BRSS-së u ndërlikuan, çka më pas çoi në prishjen e tyre.

Kriza në marrëdhëniet sovjeto-shqiptare

Pesëvjeçarët e parë në Shqipëri shtrihen në ato vite, kur në vend po kryhej procesi i vendosjes dhe i forcimit të sistemit administrativo-komandues, i ngjashëm me atë, që u krijua në BRSS dhe në shumicën e vendeve të Evropës Qendrore e Juglindore. Struktura autoritare, që bazohej mbi monopolin e partisë-shtet, PPSH-ja, apo më saktë, nga kupola e saj, mbështetej në traditën e dhunës shtetërore, e cila vinte në Shqipëri që prej thellësisë së shekujve e që në shekullin e XX, u përfaqësua nga diktatura e mbretit Zog. Vitet 1951-1961 qenë periudha e një bashkëpunimi të ngushtë frytdhënës të Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik. Por në praktikën e përthithjes së ndihmës së gjithashme sovjetike, vërehej shpesh huazimi mekanik i formave të gatshme, i mënyrave shabllone e jo krijuese në truallin shqiptar, që sillnin për pasojë uljen e efektivitetit në industri dhe bujqësi. Por, kjo ishte e pashmangshme në kushtet e një përgatitjeje teknike të pamjaftueshme të forcave kryesore prodhuese. BRSS-ja luajti rolin e donatorit kryesor të ekonomisë shqiptare, duke shprehur gatishmërinë për të plotësuar, sipas nevojave që shfaqeshin, çdo kërkesë shtesë nga ana e udhëheqjes së PPSH-së, krejt falas. Kështu, pak e nga pak zunë të forcoheshin prirjet e përfitimit, që sollën dhe shprehjen: “Po të mos hajë një ditë Bashkimi i madh Sovjetik, Shqipëria jeton për një vit”.

Lidhjet e ngushta shqiptaro-sovjetike u krijuan si rezultat i marrëdhënieve ndërpartiake. Ato kishin prirjen për të qenë të qëndrueshme vazhdimisht. Edhe te misioni i parë sovjetik i ndërlidhjes i K.P.Ivanovit, në etapën përmbyllëse të luftës, edhe tek ambasadori A.S.Çuhavin, në kohën e paqes, udhëheqësit shqiptarë të niveleve më të larta shkonin për t’u këshilluar. Shkonin si te miqtë, duke harruar që ata ishin të huaj dhe përfaqësues të një shteti tjetër. Në fund të viteve ‘90-të, kur në Rusi dhe Shqipëri filluan të publikoheshin dokumente të ndryshme, mund të dëgjoje edhe replika të ashpra të politikanëve të brezit të ri: “Si kanë mundur të flasin kaq hapur për punët tona të brendshme?!”. Por këtu nuk ka asgjë për t’u qortuar: të rinjtë pa përvojë mësonin nga shokët më të vjetër. Pasoja shumë më të rrezikshme për të ardhmen e vendit në tërësi, do të sillte mbartja në truallin shqiptar e përvojës negative të PKPR (b) / PKBS-së. Regjimi, që u vetëquajt “diktatura e proletariatit”, qëndrueshmëria e të cilit u sigurua me anë të forcës, nuk lejonte praninë e mendimit alternativ, as në fushën e politikës, as për problemet ekonomike, as në sferën e kulturës. Drejtësia e vijës së udhëheqjes së PPSH-së pranohej pa diskutim, ndërsa shmangiet e mundshme i visheshin trysnisë dhe ndikimit të jashtëm armiqësor. Prandaj, kur në vijën e përgjithshme të PPSH-së ndodhte ndonjë shtrembërim dhe detyrat e caktuara rrezikonin të dështonin, fillonte kërkimi i shkaqeve, që kishin penguar realizimin e tyre e që, zakonisht, përfundonin me demaskimin e armiqve të radhës. Pastaj rishikoheshin shifrat e detyrave të planifikuara, nëse, kjo ndodhte në sektorin ekonomik. Ata që nuk ishin në një mendje me politikën e partisë, që kritikonin çaste të veçanta të veprimtarisë së saj, qoftë edhe me qëllimin e mirë për përsosjen e punës, futeshin në radhën e “armiqve të popullit” dhe asgjësoheshin moralisht e fizikisht. Kështu ndërpritej që në rrënjë çdo pozitë.

Prishja me Jugosllavinë solli teorinë e “qëndresës së Shqipërisë në kushtet e rrethimit kapitalist”. Ndikimi i faktorit të jashtëm në lindjen e vështirësive në fushën e ekonomisë u zmadhua tej mase, duke mbuluar me këtë punën e dobët, që vinte nga drejtimi i pakualifikuar i ministrave dhe i organizatave të ndryshme ekonomike. Në rezolutën e Kongresit II të PPSH-së (prill, 1952) doli për herë të parë formula “të ndërtojmë socializmin, duke mbajtur në njërën dorë kazmën dhe në tjetrën pushkën”.

Ajo përligji rritjen e shpenzimeve për ushtrinë dhe aparatin policor dhe ndihmoi për të mbajtur vendin në një situatë të ngjashme me atë të gjendjes së jashtëzakonshme të kohës së luftës. Vdekja e J.V.Stalinit dhe masat për dënimin e “kultit të individit” e pasojave të tij, patën një ndikim të madh te PPSH-ja. Lidhur me proceset që kishin filluar në lëvizjen komuniste ndërkombëtare, nën ndikimin e ngjarjeve në BRSS, KQ i PPSH-së, analizoi gjendjen brenda partisë, pikërisht me këtë frymë të re dhe më 14 korrik të vitit 1954, mblodhi plenumin. U pranua dobësimi i udhëheqjes nga masa. U tha se në KQ, “që prej kohësh është ngritur vazhdimisht zëri për t’i dhënë fund praktikës së dëmshme e antimarksiste të lavdërimit të figurës së Sekretarit të Përgjithshëm të PPSH-së. Gjykuar nga rezoluta e miratuar, dilte se kritiku i vetëm i kultit të individit të Hoxhës, ishte vetë Hoxha. Gjoja ai ngriti në Byronë Politike problemin e dhënies fund “të shfaqjeve të shfrenuara të ndjenjave ndaj personit të tij, që shprehen në praktikë me brohoritjen e emrit të tij “Enver Hoxha”, dhënies fund të vendosjes së busteve të tij nëpër qytete, vendosjes së fotografisë së tij vend e pavend në revista e gazeta”.

Lufta kundër “kultit të individit” vazhdoi edhe në plenumin e prillit të vitit 1955. Sipas raportit të Byrosë Politike të KQ-së, “Mbi punën ideologjike të partisë dhe masat për përmirësimin e saj”, mbajtur nga Liri Belishova, sekretare e KQ ë PPSH-së, për problemet ideologjike, ishte vendosur dënimi i shtrëmbërimeve në frymën e “kultit të individit”, që qe rrënjosur në propogandën e partisë, letërsi, shkencë, art, në fushën e arsimit dhe theksohej se këto “nuk qenë gabime vetëm të punës partiake, por pasoja të një moskuptimi të thellë të rolit të masave”. Në zhvillim të tezave të raportit, në plenum foli Tuk Jakova, sekretar i KQ-së, i cili propozoi të shkruhej historia e vërtetë e PPSH-së, pa zmadhuar rolin e një njeriu të vetëm. Këtë Hoxha nuk mundi ta duronte.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›