E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dimri që na pret

Skënder Minxhozi 

Lajmet e fundit nga Vlora, epiqendra e turizmit veror shqiptar, njoftojnë se prej tre ditësh në qytet ka ndërprerje të mëdha energjie. Në mesin e një sezoni ku mijëra pushues lëvizin përmes kësaj nyjeje tashmë të afirmuar turistike, operatori i shpërndarjes ka gjetur t’i mashtrojë banorë e turistë bashkë, me përrallën e “remonteve”. Një situatë që simbolikisht përfaqëson më së miri absurdin që vazhdon të kalojë ky vend, i kapur në ngërçin njëzetvjeçar të tranzicionit. E megjithatë, ndërprerjet e energjisë në Vlorë nuk janë hiçgjë, përballë ...ngërçeve të tjera që politika shqiptare përgatitet të ketë nëpër duar duke filluar nga shtatori. Lista është e gatshme, ajo ka qenë aty edhe ditën kur Kuvendi i mbylli punimet mes sherreve. Kodi zgjedhor, ligji për spiunët, i shumëpërfoluri ligj për prokurorinë dhe e gjitha kjo, në sfondin e mistershëm të asaj që do të dalë nga zyrat e Ina Ramës, lidhur me dosjet hetimore që presin të marrin udhë. Më së pari ajo e Gërdecit, e më pas ajo e Kalimashit apo afera të tjera më të vogla, por me impakt politik. Ka pastaj edhe faktorë të tjerë që mund ta komplikojnë papritur klimën politike në prag dhe gjatë fushatës elektorale, të cilët edhe para sezonit veror kanë influencuar jo pak situatën politike të brendshme. Pozicionimi i ndërkombëtarëve dhe ato që kanë, por edhe ato që pritet të thonë, mund të sjellin zhvillime e pështjellime jo të vogla në ambientin politik. Të gjitha gjasat thonë se qëndrimi kritik amerikan dhe i disa organizatave të tjera ndërkombëtare ndaj qeverisë, do të vijojë edhe në vjeshtë, me një numër prononcimesh publike e kritikash të hapura, për problemet e mësipërme, duke shndërruar në një lojtar të padukshëm, por influent në proceset politike dhe elektorale.
Shqipëria po shkon ngadalë drejt zgjedhjeve. Jo me konventa shumëngjyrëshe si në SHBA, ku rivalët i japin dorën njëri-tjetrit dhe e trajtohen si njerëz. Nuk jemi Amerikë, as kemi për të qenë për shumë e shumë kohë. Por zgjedhjet tona seç kanë një element ankthi, një gjendje pezull, një tharm frike kolektive, e cila përhapet pa u ndjerë sa më shumë që fletët e kalendarit bien njëra pas tjetrës. E vendosur në një kontekst politik konkret, kjo panoramë aspak e lehtë për t’u përballuar, po fillon të konsumohet edhe një herë në formën e një ekuacioni me shumë të panjohura. Paqja politike disamujore mes Berishës dhe Ramës është e qartë se i ka ditët e numëruara. Përtej aludimeve propagandistike të Ilir Metës, do të jetë shumë e afërt dita kur këta dy kalorës të disa prej përplasjeve më të ashpra politike në vitet e fundit, t’u hipin sërish kuajve të betejës. Ashpërsimi i pritshëm i marrëdhënieve mes maxhorancës e opozitës, me afrimin e zgjedhjeve, mund ta bënte mjaft të vështirë konsumimin e disa pikave shumë të rëndësishme të axhendës politike. Kjo paqe, e cila zor se do të mbajë përtej ngritjes së kartonëve për Kodin zgjedhor, do të na kthejë edhe një herë në “normalitetin” shqiptar. Në atë situatë kur gjithçka zgjidhet, ose bën sikur zgjidhet, me sherr, debat dhe imponim. Në këtë optikë mund të trajtohet ligji eventual për spiunët apo edhe disa reforma në drejtësi, përfshirë prokurorinë, ku palët kanë dëshmuar që tani se janë larg kompromisit politik.
Këtë konfuzion mund të shtojë gradualisht edhe mungesa e një infrastrukture zgjedhore, konform standardeve të premtuara këtu e katër vjet të shkuara nga qeveria. Asnjë garanci teknike nuk ka ende sot, se logjistika e zgjedhjeve do t’i përgjigjet parametrave të paracaktuar kohë më parë. Prodhimi dhe shpërndarja e kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike vazhdon të mbetet një sfidë e vështirë. E në këtë aspekt, mbetet të shihet se cili do të ishte qëndrimi i opozitës, nëse qeveria nuk do të arrijë të fusë në xhepin e çdo shqiptari me moshën e votuesit, një set të tillë dokumentesh.
Ky dimër do të ishte gjithsesi më pak i komplikuar, nëse koalicionet në lojë, ai i shumicës dhe ai i opozitës, do të kishin më pak probleme mes tyre. Që nga korriku 2005, Berisha ka humbur praktikisht, për arsye të ndryshme, dy parti të cilat në parlamentin e sotëm, të paktën nga ana shifrore, zënë një peshë të konsiderueshme. PR dhe PDK e Mediut e Ndokës, ndodhen sot, për motive specifike e të ndryshme, në një pozitë dukshëm më të dobët se dy apo tre vjet më parë. Me PR e cila duhet të përballet me një pozicion delikat të kryetarit të saj dhe PDK që duket se po sheh drejt aleancash të reja drejt qendrës, maxhoranca e ka të vështirë të artikulojë një formulë racionale drejt zgjedhjeve të ardhshme. Gjithaq, e komplikuar paraqitet situata edhe majtas, ku LSI, nën euforinë e fenomenit “Kashar”, ka zyrtarizuar kandidaturën e të qenit palë, e jo “bisht, siç deklaroi së fundi Ilir Meta, brenda së majtës. Qëndrimi refraktar i Ramës ndaj këtyre pretendimeve, i bashkuar me pozicionin aspak transparent të disa partive të tjera të vogla opozitare, duket se e ka futur në një terren të rrëshqitshëm opozitën në këtë pragzgjedhjesh.
Kaq do të mjaftonte e do të tepronte jo për një, por për disa sezone politike në vend normal. Por këtu është Ballkan, e siç e ka thënë edhe Çurçilli, ne ballkanasit e kemi zakon të prodhojmë më shumë histori, sesa jemi në gjendje të konsumojmë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›