E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo, Muça premton titullin dhe Kupën

Një prezantim pa shumë
ceremoni ka shoqëruar
zyrtarizmin e Shkëlqim
Muçës si trajneri
i ri i Dinamos. Rreth orës 15.00,
ish-futbollisti ikonë dhe më pas
edhe ish-trajneri kampion me
Tiranën, i konsideruar dikur një
"armik" i betuar bardheblu, por
të cilit tani i janë besuar në dorë
frenat e skuadrës, ka mbathur tutat
blu për të zbritur në stërvitjen
e ekipit të tij të ri.
Prezantimi
I pari prodhim "Made in"
bardheblu, që theu tabunë ishte
Sulejman Mema, i cili kaloi në
drejtimin e Partizanit. Muça shndërrohet
kështu në precedentin e
dytë, që kalon "gardhin bardheblu"
për te rivali tjetër historik,
Dinamo. Të gjitha këto, duket se
i kanë mohuar atij një prezantim
"dinjitoz", siç e meriton një
trajner i niveleve të tij. Por moda
e ndërtuar nga drejtuesit e lartë
të klubit blu, të cilët si në rastin
e Marcelo Havier Zaletës ashtu
edhe në atë të Zlatko Daliçit,
ishin të pranishëm në prezantimin
në konferenca përkatëse për
shtyp, është prishur këtë herë.
Ata e kanë braktisur prezantimin
e Muçës (asnjëri nuk ishte
i pranishëm përkrah trajnerit),
ndoshta ndikuar edhe nga faktet
e mësipërme.
Objektivi
Por me gjithë mungesën e
tyre, drejtuesit bardheblu presin
shumë nga trajneri i ri, i cili mban
mbi shpatulla një eksperiencë
mjaft të çmueshme. "Vij te një
ekip i madh, që ka objektiva të
mëdha. Nuk u trembem rivalëve
dhe jam gati për të nisur sfidën",
nënvizoi Muça, i cili rivalët kryesorë
do të ketë ish-skuadrën e tij,
Tiranën (+7 pikë) dhe Vllazninë
kryesuese (+8 pikë). "Kam rënë
dakord me stafin për të punuar
në grup, pasi vetëm kështu mund
të arrijmë objektivat tona për
këtë sezon: titullin dhe Kupën e
Shqipërisë. Dinamo ka lojtarë të
mirë dhe drejtuesit e klubit jane
korrektë. Dua ta rikthej Dinamon
te sukseset".
Kontrata
Muça mësohet se ka firmosur
një kontratë 18-mujore me klubin
17 herë kampion të Shqipërisë,
cili vazhdon ende të mbajë
kurorën e kampionit në fuqi të
vendit. Gjithçka është zgjidhur
paraditen e djeshme, pas një takimi
mes tij dhe presidentin Besnik
Sulaj, në ambientet e një lokali të
njohur në kryeqytet. Drejtuesit e
Dinamos, me kërkesë edhe të vetë
Muçës, rikonfirmuan si ndihmëstrajnerë
Artan Mërgjyshin dhe Ilir
Bozhiqin. Sfida e parë e Shkëlqim
Muçës si trajner i Dinamos do të
jetë ajo kundër Apolonisë.
Tifozët
Por prezantimi i Muçës ka
ndarë tifozët. Kjo për shkak të së
kaluarës së ish-lojtarit dhe ish-
trajnerit të Tiranës. Një grup jo i
vogël i tifozerisë së Dinamos, nuk
e kanë pritur mirë përzgjedhjen e
një njeriu nga "kampi i armiqve"
të përjetshëm. Sipas tyre, Dinamo
ka shkollën e saj të trajnerëve dhe
nuk duhej "importuar" një teknik
nga rivalët historikë kryeqytetas. I
njëjti reagim ka ardhur edhe nga
kampi i tifozerisë bardheblu, ku
një pjesë nuk e kanë përtypur dot
kalimin e Muçës te Dinamo.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›