Mbërrijnë në Tiranë reporterët e KE-së
Dje, kanë mbërritur në Tiranë, dy reporterët e Këshillit të Evropës, Jako Lakson dhe Dejvid Uillshajer. Takimet e dy reporterëve do të fokusohen edhe në mbledhjen e të dhënave për debatet që ka shkaktuar miratimi në mënyrë të njëanshme i ligjit "Për pastërtinë e figurave", apo i njohur ndryshe edhe si ligji i lustracionit. Gjatë pasdites, dy reporterët zhvilluan takimet e para me ambasadorët e Trojkës, nga të cilët kanë marrë informacionin në lidhje me ligjin e "Dosjeve". Gjithashtu, dje pasdite dy reporterët kane zhvilluar edhe një takim me kryetarin e PS-se Edi Rama, duke marre qëndrimin zyrtar te kësaj force politike për ligjin e dosjeve. Ndërkaq, sot pritet të kenë takime me drejtuesit më të lartë të vendit, prej të cilëve do të marrin variantin zyrtar për ligjin e "Dosjeve". Mësohet se ligji i "Dosjeve" nuk është i vetmi qëllim i vizitës së dy reporterëve në Shqipëri. Ata do të diskutojnë edhe për situatën në prag zgjedhjesh të Shqipërisë. Ata do të njihen nga afër me standardet që janë duke u përdorur në përgatitjet e zgjedhjeve, si dhe në fillimin e fushatave. Një takim i konfirmuar tashmë është edhe ai me deputetin demokrat, Aleksandër Biberaj, i cili u shkarkua në mënyrë të papritur nga detyra si kryetar dhe anëtar i delegacionit shqiptar pranë KE-së, nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Biberaj, në një prononcim mediatik, bëri të ditur se në këtë takim do të njohë reporterët me vendimin e marrë nga Kryetarja Topalli, në shkelje të rregullores së institucionit që ajo drejton. Këshilli i Evropës e mori vendimin për dërgimin e misionit të monitorimit, pas përfundimit të seancës në të cilën iu njohën edhe kredencialet e deputetëve shqiptarë.