Shoqata "Çamëria": Në Greqi të ngrihet një varrezë dhe memorial përkujtimi për të rënët
Shoqata "Çamëria" i ka kujtuar ministres së Jashtme të Greqisë, e cila ka drejtimin e radhës së OSBE-së, që të respektojë të drejtat e njeriut, duke marrë parasysh kërkesat e popullit çam të larguar nga trojet e tyre. Në një konferencë për shtyp, drejtuesit e shoqatës theksuan se "OSBE ka në themel të saj mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Çështja çame, në radhë të parë, është çështje e të drejtave të njeriut, sepse ajo në thelb ka të drejtën e pronës dhe të kthimit të popullsisë çame në trojet e veta autoktone". Me tone të ashpra, ata deklaruan se "para se të japë leksione mbi të drejtat e njeriut, Greqisë i duhet të tregojë se ajo vetë i respekton këto të drejta, gjë që deri më tani nuk ka ndodhur". Sipas tyre, është koha që qeveria greke të ndërmarrë hapa në drejtim të procesit për zgjidhjen e çështjes çame, që do të ndikonte në radhë të parë në forcimin e miqësisë midis dy vendeve, si dhe në forcimin e paqes në rajonin e trazuar të Ballkanit. Duke vlerësuar marrëveshjen e nënshkruar mes dy qeverive për ndërtimin e dy varreza të tjera në territorin shqiptar në nderim të ushtarëve grekë të vrarë gjatë luftës italo-greke, shoqata "Çamëria" ka kërkuar ngritjen në Greqi të një varreze dhe një memoriali në përkujtim të viktimave të gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të rënë të Çamërisë, si dhe në nderim të të rënëve çamë në luftë kundër pushtuesve nazifashistë. Drejtuesit e kësaj shoqate, duke iu drejtuar edhe qeverisë shqiptare, theksuan se presin një angazhim më të madh në drejtim të zgjidhjes së çështjes çame, e cila duhet të jetë pjesë e axhendës zyrtare midis dy qeverive.