E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri shan investimet e qeverisë së tij

Kryeministri ynë shan edhe investimet e qeverisë së tij. Duke u munduar të vërë në pah punën dhe arritjet e qeverisë së tij, Kryeministri Berisha gjithmonë përdor si referim investimet e qeverisë socialiste. Por ndonjëherë ngatërron investimet e qeverisë socialiste me investimet e qeverisë së tij. Gjashtë muaj më parë, Kryeministri Berisha preu shiritin e përurimit të dy urave Shkodër, Velipojë. Në krah të urës së re ndodhej një urë e vjetër tip Bejli, e ndërtuar nga forcat xheniere të ushtrisë. Kryeministri Berisha, duke mos pasur informacion për urën e re që sapo kishte përuruar, drejton gishtin për nga ura e ndërtuar nga forcat xheniere të ushtrisë dhe me krenari thotë: "Ishte dhe u bë". Duke vazhduar të bëjë krahasim mes qeverisjes së tij me atë të socialistëve, Kryeministri deklaroi: "Tetë vjet e mbajtën në shkatërrim dhe shikoni si e kanë bërë dhe dërrasat ia kanë ngritur. Pastaj, duke treguar urën e re, ka deklaruar: "Urdhëroni qeverinë time". Ky ishte një investim prej 82 milionë lekësh të reja, që ndihmon zhvillimin e turizmit në Velipojë. Por ku ka qenë ura e ndërtuar nga qeveria socialiste? Në të gjithë Velipojën, askush nuk di të ta thotë. Banorët e zonës dhe shoferët e automjeteve që bëjnë çdo ditë rrugën Shkodër-Velipojë na tregojnë për një urë të vjetër, që i takon viteve ‘70. Ajo ka qenë një urë me një kalim dhe herë pas here ka pasur dëmtime të urës. Për të shmangur aksidentet, në mënyrë që të bëhej e mundur ndërtimi i urës së re mbi urën ekzistuese, gjatë viteve të fundit u ndërtua nga forcat xheniere një urë provizore. Ura e re është ndërtuar mbi urën e vjetër që i përket vitit 1972. Pra, është bërë restaurim total i urës së vjetër, është eliminuar ajo e vjetra dhe është bërë e re. Pra urë të ndërtuar në kohën e qeverisjes së socialistëve nuk ka. Ura provizore është ndërtuar nga ushtria. Të njëjtën gjë na e konfirmon edhe kryetari i Komunës së Velipojës, Nikollë Marku.

Po përse Kryeministri Berisha e paraqiti urën e vjetër si ndërtim të qeverisë socialiste, ndërkohë që ajo i përkiste viteve 1970?

Këtë na e sqaron kryetari i Komunës së Velipojës. Lapsusin e Kryeministrit Sali Berisha, kryetari i Komunës së Velipojës e justifikon duke thënë se "Partia Socialiste është rrjedhojë e Partisë Komuniste, prandaj dhe Kryeministri ka bërë paralelizmin që kjo është ura socialiste dhe kjo është ura demokratike".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›