E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo-Partizani, finalja e parakohshme

Partizani e ka fituar 15 herë Kupën e Shqipërisë. Dinamo, 13 herë fituese, synon të dy trofetë sezonalë
Dash Frashëri

Dy pretendentet e mëdha për titullin e Kampionatit të 69-të Kombëtar, Dinamo e Partizani, do të përballen me njëra-tjetrën të mërkurën (në “Selman Stërmasi”, në orën 15:00) në çerekfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë.
Një sfidë tërheqëse, që pas takimit të kthimit, më 12 mars, do të largojë detyrimisht ose rekordmenët e Kupës së Shqipërisë, Partizanin (15 trofe), ose Dinamon (13 herë fituese).
Një finale e parakohshme midis dy ekipeve më të mira për momentin, aq më tepër kur të “Kuqtë” vijnë në përballjen me “Blutë” pas fitoreve në kampionat me dy rivalët e përjetshëm kryeqytetas.
Partizani, që e ka fituar për herë të fundit Kupën e Shqipërisë pikërisht kundër Dinamos në edicionin 2003-2004, ndodhet në kampionat tri pikë larg formacionit të Ilir Dajës kur kanë mbetur në lojë edhe 33 pikë nga përfundimi i sezonit.
Dy ekipet do të përballen midis tyre në javën e fundit të kampionatit dhe gjasat janë se do të jetë pikërisht ai takim i javës së 33-të që do të japë verdiktin edhe për emrin e kampionit të ri.
Në fakt, asnjë nga drejtuesit e lartë të të dy klubeve, nuk e dëshironte këtë përballje në këtë fazë të hershme të Kupës së Shqipërisë, por fati i vendosi si pasojë e renditjeve të sezonit të kaluar në kampionat.
Partizani, 44 herë çerekfinalist, synon pjesëmarrjen për herë të 32-të në gjysmëfinale, por të njëjtin synim ka dhe Dinamo (42 herë çerekfinaliste), që për objektiv ka pjesëmarrjen për herë të 30-të në gjysmëfinale dhe synimin e Kupës së 14-të, që i mungon prej pesë vjetësh, qysh nga edicioni 2002-2003.
Të dyja skuadrat janë në lojë për titullin kampion pasi janë shkëputur ndjeshëm nga ndjekësit më të afërt: Vllaznia e Besa.
Në Kupën e Shqipërisë llogaritë janë krejt të ndryshme, kur për trofeun e 56-të luftojnë edhe gjashtë ekipe të tjera, përfshirë kampionen në fuqi (Tiranën) dhe fituesen në fuqi të Kupës (Besën).
Partizani është edhe skuadra me më shumë trofe: 15. Tirana dhe Dinamo kanë fituar nga 13 të tilla, Vllaznia 5, Teuta 3, Elbasani 2, Flamurtari 2, Apolonia 1, Besa 1, që është dhe fituesja e fundit e Kupës së Shqipërisë.

DINAMO-PARTIZANI
BALLË PËR BALLË

DINAMO: 50 pjesëmarrje, 42 herë në çerekfinale, 29 herë në gjysmëfinale, 18 herë në finale, 13 herë fituese.

PARTIZANI: 54 pjesëmarrje, 44 herë në çerekfinale, 31 herë në gjysmëfinale, 23 herë në finale, 15 herë fituese.

Rruga e Dinamos
Në turin e parë Dinamo eliminoi Dajtin (3-1, 2-0), në të dytin Apoloninë (1-0, 3-3).

Rruga e Partizanit
Në turin e parë eliminoi Skraparin (2-0, 2-1), në të dytin Skënderbeun (0-1, 5-0).

Trofeu "Joti", tifozët zgjedhin

Në sezonin 2007-2008 për herë të parë në Shqipëri tifozët do të japin një trofe për lojtarin më të mirë të skuadrës së tyre. Bëhet fjalë për skuadrën e Partizanit dhe trofeu është organizuar nga faqja e tifozave të kuq "Partizani.net". Trofeu është emërtuar "Joti" në nder të njërit prej tifozëve më të zjarrtë të "demave", Kastriot Cema (njihej si Joti nga të gjithë), që ndërroi jetë vitin e kaluar. Për trofeun "Joti", tifozët e Partizanit votojnë çdo javë për lojtarët. Është planifikuar që fituesit t’i jepet trofeu "Joti" në ndeshjen e fundit të kampionatit që do të luhet në Tiranë kundër Dinamos.
Deri tani, nga votimet e tifozëve në "Partizani.net" është Gjergji Muzaka që kryeson renditjen si lojtari më i mirë i sezonit dhe më pas vjen Elis Bakaj, një tjetër lojtar i dalë nga radhët e Partizanit.

Kupa, shansi i fundit për trofe

Tirana, edhe pse ndodhet në krizë besimi, do të ketë një përballje të lehtë kundër një Kastrioti (befasues me eliminimin e Flamurtarit) që është rikthyer sërish në duart e trajnerit Ramazan Ndreu pas dorëheqjes së Vasil Bicit. Bardheblutë, 13 herë fitues të Kupës së Shqipërisë (e fundit në vitin 2006), janë fokusuar tërësisht në fitimin e këtij trofeu pas dorëzimit në kampionat. Besa, fituesja në fuqi, do të përballet në Kavajë pikërisht me skuadrën që e mundi katër ditë më parë, Vllazninë. Elbasani, pas atij kualifikimi dramatik me Shkumbinin dhe “relaksit” me Besëlidhjen, e ka karikuar plotësisht veten kundër Teutës. Të gjitha këto skuadra, me përjashtim të Kastriotit, e shohin trofeun e dytë më të rëndësishëm në Shqipëri si të vetmen portë të sigurt për të dalë në brigjet europiane.

Ndërkombëtari Jareci për supersfidën

Gjyqtari shqiptar me stemën e FIFA-s, Sokol Jareci, do të gjykojë takimin Dinamo-Partizani, e konsideruar edhe si sfida më e nxehtë e çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë, nisur edhe nga fakti se të dyja skuadrat kryesojnë me meritë kampionatin, me një Dinamo që pas përfundimit të fazës së dytë ndodhet me tri pikë më shumë se formacioni i “kuq”. Në përballjen e fundit në kampionat, Partizani fitoi 1-0 me Dinamon, që solli edhe shkarkimin e trajnerit Agim Canaj. Takimi kundër Partizanit është edhe testi i parë serioz për pasuesin Ilir Daja, duke e konsideruar si të nivelit mesatar përballjen e “bluve” me Shkumbinin. Tre takimet e tjera do të gjykohen nga lushnjari Shkëlqim Guçe (Kastrioti-Tirana, në Laç), tiranasi Lorenc Jemini (Elbasani-Teuta, në “Ruzhdi Bizhuta”) e tiranasi tjetër Kridens Meta (Besa-Vllaznia, në “Besa”).

Kupa e Shqipërisë
Edicioni i 56-të
Turi çerekfinal
5 mars 2008
Kastrioti-Tirana* Guçe
Elbasani-Teuta Jemini
Besa-Vllaznia Meta
Dinamo-Partizani Jareci
* Ndeshja luhet në Laç
** Ndeshjet fillojnë në orën 15:00
*** Takimet e kthimit, 12 mars 2008

Topi: “Futbollistët kosovarë, kontribut të madh”

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje në Pallatin e Brigadave Kryesinë e Federatës Kosovare të Futbollit të udhëhequr nga kryetari i saj, ish-futbollisti i njohur kosovar, Fadil Vokrri. Gjatë takimit të ngrohtë dhe miqësor, Presidenti Topi shprehu urimet më të mira për pavarësinë e Kosovës, duke vënë në dukje që shteti më i ri, sovran, i pavarur, shumetnik respekton të drejtat e pakicave sipas standardeve ndërkombëtare. Presidenti Topi vlerësoi kontributin e madh të lojtarëve kosovarë në përfaqësuesen tonë kombëtare të futbollit, duke shtuar se në kuadër të zhvillimit të marrëdhënieve të gjithanshme, sidomos atyre sportive, mund të konsiderohet edhe organizimi i takimeve të ndryshme miqësore mes ekipeve shqiptare të futbollit dhe atyre kosovare. Përfaqësuesit e Federatës Kosovare të Futbollit, edhe në emër të të gjithë klubeve dhe udhëheqësve të futbollit kosovar, i shprehën mirënjohjen e thellë Presidentit Topi, Shqipërisë dhe mbarë popullit shqiptar për rolin e çmuar e të pazëvendësueshëm në interes të çështjes së Kosovës dhe arritjes së pavarësisë së saj. Zoti Vokrri u shpreh se Federata Kosovare e Futbollit po përpiqet të anëtarësohet në FIFA dhe për këtë do t’i nevojitet edhe mbështetja e Shqipërisë dhe institucioneve të saj, për të cilën u sigurua edhe nga Presidenti Topi. Në përfundim të takimit, përfaqësia e FKF-së pasi falënderoi kreun e shtetit për mikpritjen, i dhuroi Presidentit Topi emblemën zyrtare të Federatës Kosovare të Futbollit.

Ndërkombëtarët: “Kosova në Olimpiadë, e pamundur”

Vetëm pak ditë pas shpalljes së pavarësisë, Kosova u përfaqësua për herë të parë me flamurin e saj në një garë zyrtare ndërkombëtare, në Kampionatin Botëror të Pingpongut, që u zhvillua në Kinë në Guangzhou. Megjithatë, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) mendon se Kosova ka shumë pak mundësi që të marrë pjesë në lojërat olimpike “Pekin 2008”. “Kosova duhet të plotësojë dy pika të rëndësishme. Fillimisht, ky shtet duhet të njihet zyrtarisht nga komuniteti ndërkombëtar dhe së dyti duhet të jetë anëtar në të paktën pesë federata sportive ndërkombëtare, të cilat janë në programin e Lojërave Olimpike”, - sqaroi zëvendëspresidenti i Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, Tomas Bah. Edhe zëdhënësja e IOC-it, Emanuele Moru, ka pranuar se Kosova i ka të pakta shanset për në Pekin, megjithëse ka shtuar se kosovarët mund të garojnë si sportistë të pavarur nën flamurin olimpik, siç ka ndodhur me konkurrentët e ish-Jugosllavisë dhe Timorit Lindor. Deri tani, 20 federata kanë aplikuar për t’u bërë anëtarë me të drejta të plota në Federatat Ndërkombëtare.

5 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›