E Diel, 1 Nëntor 2026

Konflikti Greqi-Maqedoni penalizon Shqipërinë për në NATO

Kroacia pritet të marrë ftesën për anëtarësim. Shefer: ”Me Serbinë, marrëdhënie të hapura”
Shqipëria, Maqedonia dhe Kroacia do të presin ditën e enjte diskutimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s për mundësinë e dhënies së ftesës për anëtarësim në Aleancën Veriatlantike. Tre vendet synojnë të marrin ftesën në takimin e Bukureshtit në fillim të prillit. Megjithatë, ajo që duket se është shumë afër marrjes së ftesës është Kroacia. Në pikëpyetje vihet rasti i Maqedonisë dhe i Shqipërisë. Konfikti i Maqedonisë me Greqinë për çështjen e emrit duket se ndikon edhe në marrjen e ftesës për anëtarësimin në NATO. Greqia kërcënon me veto bllokimin e Maqedonisë për shkak të mosmarrëveshjeve. Megjithatë, ajo që do të ndiejë pasojat e kësaj çështjeje mund të jetë edhe Shqipëria pasi mendohet se Maqedonia nuk mund të lihet e vetme.
Kryeministri grek, Kostas Karamanlis, ka bërë të ditur: “Përsa kohë vendi fqinj është në pozita që nuk lejon kompromisin, përgjigjja jonë është se nuk ka zgjidhje, nuk ka ftesë”. Agjencia franceze e lajmeve, AFP, ka cituar burime diplomatike në Bruksel që thonë se “shumë pak janë ata që bisedojnë për diçka tjetër përveç anëtarësimit të tre vendeve të Kartës së Adriatikut”. Ndërkohë, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hop Shefer, gjatë një vizite në Athinë u shpreh se për strategjinë stabilizuese të Aleancës është i rëndësishëm trajtimi i Ballkanit Perëndimor në tërësi si rajon më i gjerë. Ai ka theksuar si të rëndësishme marrëdhëniet me Serbinë. “Duhet të shohim marrëdhëniet e NATO-s me Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën, por edhe me Serbinë, pasi, me gjithë problemet e sotme në lidhje me Kosovën, marrëdhëniet me Serbinë duhet të mbeten të hapura, marrëdhënie të cilat i konsideroj shumë të rëndësishme”, - tha Shefer. Kjo shpjegon edhe insistimin si të Uashingtonit po kështu edhe të Brukselit që shpresojnë të arrijnë një kompromis në konfliktin Athinë-Shkup për emrin e Maqedonisë dhe hyrjen në bllok të tre vendeve të Kartës së Adriatikut, Zagrebit, Tiranës por edhe Shkupit. Një pjesë të konsiderueshme të bisedimeve Shefer e kaloi me kryeministrin Karamanlis dhe ministren e Jashtme Bakojani. Sekretari i Përgjithshëm Shefer ka kërkuar edhe nga Greqia angazhim për Afganistanin ashtu si në vendet e tjera. “Nuk kërkoj vetëm në Athinë që shtetet anëtare të NATO-s të bëjnë më shumë për Afganistanin, por në çdo kryeqytet që shkoj”, - tha Schefer. Pas kësaj, zëra në Athinë kanë pretenduar se rreth problemit të emrit zhvillohet një lloj presioni ndaj Athinës për të rritur kontributin e saj në Afganistan, por edhe për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

5 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›