E Diel, 1 Nëntor 2026

I fundit i mjeshtërve të mëdhenj të sazeve

Para pak ditësh, në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, është promovuar libri “Usta Laver Bariu – i fundit nga mjeshtrit e mëdhenj të sazeve”. Vepra shoqërohet me një CD dhe vjen nga muzikologu dhe studiuesi i njohur, Prof. dr. Vasil S. Tole. Në lidhje me këtë ngjarje po botojmë edhe një shkrim të kompozitorit Aleksandër Peçi.

Kabaja dhe magjia e usta Laver Bariut

Prof. Aleksandër PEÇI
Ishte tetori i vitit ‘73 kur njoha ustain tonë të madh dhe mikun tim, Laver Bariu. Tek e dëgjoja ta qante gërnetën më mbetën në kujtesë këto tipare të portretit: Rudhat në ballë, ashtu të thella, brazda-brazda, si toka. Një ballë i rrudhosur që kultivonte tinguj herë të ëmbël si nektari, e herë me derte, trazira e zhgulme si Vjosa e trazuar. Dy bullçime në faqet që merrnin oksigjen jo vetëm nga ajri, por dhe nga pasuria e paraardhësve të tij, Medi Përmeti, Asllan, Selim e Hafize Leskoviku, Bilbil Vlora, Ciloja, Hajdar Cangonji, Çobani, por dhe 2 bullçime që u jepnin jetë bashkëkohësve të brezit të tij, Sulejmanit, Xhelalit, Letos, Llazos, Krenarit, Ethemit, Gaqo Lenës, Vangjel Janushit, Jasharit të Pogradecit dhe më të rinjve, Lulushit, Zhanit të Korçës, Gencit të Përmetit, Adit, Qerimit etj. Një palë sy të ustait që shihnin poshtë sa nga toka dhe merrnin ngjyrën kafe të saj, si të shkruanin me tinguj mbi një pergamenë të madh hallet e dertet e shpirtit, aq nga qielli, si të donin t’u përcillnin perëndive sekretet e pergamenës së tokës. Një palë mustaqe simpatike i jepnin hijeshi e burrëri këtij portreti të bukur, dy veshë të mprehtë, diktatorialë të artistit Bariu ndaj çdo stonature që mund t’i vinte nga formacioni, një palë buzë që i përcillnin gërnetës butësinë e shpirtit, dy duar me gishtërinj të butë që u jepnin poezinë e shpirtit çelësave metalikë të gërnetës. Çelësat nga duart e ustait nuk ishin më metalike, ato bëheshin trëndafila fletë-fletë, borzilokë, shami me mollë të ëmbla, mbi to mbinin qershi, degë jeshile, kullonte qumësht dallëndysheje. Një kurriz i përkulur sikur i falej tokës dhe njerëzve që e adhuronin me respekt. Një gjoks që në kulminacione të kabasë i mburrej qiellit për këtë pasuri të kombit, e së fundi pala fustanelle të bardha mbështillnin si me re këtë monument të gjallë të kulturës tonë popullore prej mishi, gjaku dhe tingulli, bilbili i Përmetit, Laver Bariu. Në fakt, këtë epitet nuk ia kam ngjitur unë ustait. Nuni i kësaj nofke të re të Laverit është i madhi dhe i paharruari, kryemjeshtri i skenaristikës shqiptare, Vath Koreshi. “I bukur more usta, - i thoshte Vathi dhe që atëherë, sa herë që takoheshim, kjo shprehje sillte një atmosferë gëzimi e mjaft miqësore në komunikim. Ky është portreti i usta Laverit që kam njohur unë dhe që njohin shqiptarët dhe që Vaso Tole, në vijim të botimeve për thesaret e trashëgimisë së popullit, bëri shumë mirë që ia dha publikut një libër mbi usta Laver Bariun. E shkruara mbetet, të pashkruarën e merr era. Mbas 3 vitesh kërkime (‘73-’77) e gërmime në disqet që gjeja fshatrave të Përmetit dhe tek i pasionuari i madh i tyre, që i ruante si sytë e ballit që nga vitet ’20, Vangjel Mango (imagjinoni, Përmeti në kohën që binte erë barut, kultivonte kulturë e dëgjonte disqe!), pra më duhej jo vetëm ta studioja këtë eksperiencë të jashtëzakonshme të kabasë e këngës, por dhe të jepja ato zgjidhje që di t’i japë kompozitori kur bëhet njësh me ustallarë të mëdhenj si Laveri e Çobani, kur merr prej tyre materie sonore, por dhe u jep materie në këtë klimë bashkësie kolektive që solli filmi “Gjeneral Gramafoni”. Arti i popullit nga vetë nocioni i kreatorit të tij “popull” është art kolektiv, i zhvilluar në bashkësi, që jeton një kohë bashkësie, e cila matet me mijëvjeçarë. Është e rëndësishme të theksoj se kjo bashkësi kolektive mbushet nga gjithë prurjet që vijnë nga burimet e përrenjtë individualë. Sa i ngjan ky proces ujit, i cili nëpërmjet burimeve krijon bashkësitë e mëdha të lumenjve e deteve, ku më pas procesi i avullimit e kondensimit, shiut, i kthen në lëndë ujore për të furnizuar përsëri burimet e përrenjtë, e ato përsëri bashkësitë. Është vërtet e mrekullueshme kur bashkohen dy shkolla ashtu si dy burime, dy lumenj në një shtrat të vetëm, shkolla e popullit dhe e ustallarëve të mëdhenj dhe shkolla e trashëgimive të mëdha të artit muzikor botëror. Kështu prodhohen varietete të reja, disa prej të cilave për të mos ngrënë kohë nuk po i citoj te filmi që sapo përmendëm, por edhe te “Dasma e Sakos”, ku shumë ngushtë bashkëpunuam me bilbilin tjetër, Ethem Qerimaj. Kinemaja me skenaristët Koreshi, regjisorët Gjika e Prifti, në këto dy filma, por dhe në të tjerë ka ngritur Kabanë ashtu siç e meriton në një Perëndi të plotfuqishme tingujsh unike, mitike, shqiptare, të papërsëritshme në rrafsh europian e botëror. Kabaja si ndjesi emocionale te usta Laveri është pasqyrë binjake e shpirtit të tij dhe e bashkësisë kolektive. Ajo reflekton shpirtin e njeriut që nga djepi me përkëdheljen e nënës deri te arkivoli. Ajo është si një shi trëndafilash që fletë-fletë i derdh petalet e tingujve, fërfërin si flladi, gurgullon si Vjosa. Kabaja e Laverit lëndohet si shpirti e të lëndon shpirtin, qan, klith, emigron, merr rrugën për në Janinë. Është një “OI” e madhe që përthyhet në mijëra “oi” të vogla” dhe që të gjitha së bashku krijojnë hapësira të pamata, që do t’i quaja “Hapësirat e OI-rave”. Kabaja e Laverit dhe e gjithë bashkësisë që e krijoi ka ngjashmëri me tokën, ajrin, qiellin dhe është e aftë të prodhojë nga disa filiza sonore një plantacion të tërë tingujsh nga i njëjti varietet. Kabaja, siç thotë Vaso Tole në librin e tij, është një formë koncerti instrumental e muzikës popullore. Aty brenda është virtuoziteti, shpirti i garës midis një klarinete e violine, nën një butësi harmonike të lahutave e dajres, deri te befasimet ritmike të kthesës instrumentale që merr kabaja në fund. Sipas gjykimit tim, kabaja është një botë e tërë. Shpesh, kur dëgjojmë lloj-lloj turbullirash që bëhen mbi ahengun dhe deformimin e etnosit, virgjëria dhe pastërtia e kabasë dhe perlave të valleve e këngëve popullore, i ngjan burimit në lumin e Vjosës afër Këlcyrës. Kabaja, si shprehje e fuqishme e identitetit tonë në rrafsh global është njësoj si gjuha shqipe e shkruar në papirusin e madh të kujtesës së popullit. Është një trashëgimi që gërnetaxhinjtë e zhvilluan, perfeksionuan dhe ua lanë trashëgim brezave më të rinj, e ata do t’ua lënë po kështu atyre që do të vijnë.
Së fundi, po kujtoj dhe disa momente të tjera;
Përpiqesha me njohuritë e shkollës së Konservatorit në takimet e para me usta Laverin të rrihja e të transkriptoja një ritëm të komplikuar. (Ai që më pas doli tek “zura një bilbil me vesë“.)
“Ka diçka, një shtojcë që në fund më duket si gabim”, - i thosha ustait. Dhe ai më përgjigjej: “Po jo more djalë se ne kështu e rrahim, kemi një jetë të tërë”. Ishte një ritëm i paparë për mua, i paparë për botën. Përqendrohu, i thashë vetes, se ndodhesh para një zbulimi, margaritar që askush tjetër në botë nuk e ka. Ishte ritmi 25/8, mbi të cilin pas 20 vitesh si kisha ikur nga Përmeti bëra veprën “Spektrum”.
Një moment tjetër që dua të kujtoj ka qenë darka e përcjelljes time, që u bë nga artistët përmetarë në ’77-n, kur po largohesha nga Përmeti për të shkuar në Estradën e Tiranës e më pas në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore.
Më kujtohet një ekstrakt në dolli e sipër: “Në ’73-shin mbarova një konservator me profesorët e mi, Zadeja, Ibrahimi, Kushta, Lara, e tani në ’77-n po mbaroj në Përmet konservatorin e dytë me artistët përmetarë dhe mbretin e kësaj muzike, Laver Bariun.
Ndaj edhe pyetjes që bën Laveri në një nga perlat e tij “A kanë ujë ato burime?” do t’i përgjigjemi të gjithë së bashku: “Po usta, kanë ujë dhe për ata që do të vijnë pas një mijë vjetësh”.

5 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›