SHTYPI BOTËROR. “Globus”:Kadare, kritika ndaj Koshtunicës
Shkrimtari Ismail Kadare ka sulmuar ashpër, gjatë një interviste për revistën kroate “Globus”, kryeministrin serb Vojislav Koshtunica, i cili, sipas tij, ka rikthyer retorikën e luftës së ftohtë në Ballkanin e shekullit 21. Kadare nuk ka lënë pa përmendur edhe situatën që po kalon Kosova pas shpalljes së pavarësisë, por edhe njohjen e shtetit të ri nga pothuajse të gjitha vendet më të zhvilluara e të rëndësishme duke përfshirë Shtetet e Bashkuara. Shkrimtari i madh gjatë kësaj interviste ka folur edhe për të kaluarën si dhe për ndikimin e Kosovës në historinë e Ballkanit.
Gazeta amerikane “Santa Barbara News”
Arrestohet i dyshuari për zjarrin në Beograd
Një person i dyshuar është arrestuar gjatë ditës së djeshme si shkaktari i vënies së zjarrit të Ambasadës Amerikane në Beograd. Të dyshuarit të identifikuar si Milan Z. nëse do të vërtetohet se është shkaktari i asaj ngjarjeje, do t’i duhet të kalojë 12 vjet në burg.
Banorët serbë, të shqetësuar nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt, sulmuan dhe dogjën ambasadat e huaja të cilat u detyruan të tërheqin përkohësisht personelin e tyre nga Beogradi. Zjarri i vënë nga protestuesit solli dëmtime të mëdha në Ambasadën e SHBA-ve. Ata shkatërruan edhe disa banka, restorante dhe rreth 100 dyqane në kryeqytetin serb
.
Agjencia e lajmeve “ADNKRONOS”
Kosovë, NATO-ja përforcime për bojkotin serb
NATO-ja po planifikon të sjellë përforcime në pjesën veriore të Kosovës për të siguruar stabilitetin pas bojkotit që popullsia serbe po bën ndaj institucioneve kosovare. Thuhet se shefi i 17000 trupave të NATO-s, Havier de Marnak, zhvilloi një takim me shefin e UNMIK-ut, Joakim Ryker, si dhe me kreun e Misionit europian Piter Feith, ku u diskutua për gjendjen e sigurisë në Kosovë. De Marnak, Ryker dhe Feith dolën në përfundimin se situata në Kosovë ishte e qëndrueshme, megjithatë ata kanë gjykuar se dërgimi i forcave shtesë të NATO-s mund të ishte e nevojshme në veriun e Kosovës, ku jeton pjesa më e madhe e popullsisë serbe.
5 Mars 2008