E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo dhe Partizani rikthehen te fitorja

• Dinamo e Partizani janë rikthyer te fitorja, duke vazhduar duelin drejt titullit kampion, që duket se këtë herë do të ketë një finish mjaft të nxehtë.

Besa përmbysi Tiranën në Kavajë, Vllaznia e Elbasani ndanë nga një pikë, Teuta mori tri pikë të arta në Korçë. Sfida Besëlidhja-Kastrioti nuk pati asnjë fitues. Dinamo mundi Flamurtarin me rezultatin 6-0 në një ndeshje të çuditshme. Edhe pse sfida u konsiderua si një duel kroatësh (8 të tillë në “Selman Stërmasi”, 4 Dinamo dhe 3 Flamurtari, plus trajnerin Kovaçiç), ishte shqiptari nga Maqedonia, Artim Pollozhani ai që përcaktoi shumë, me golin e parë të tij në të 16’ dhe eurogolin në të 48’. Zëvendësuesi Eleandro Pema me dy golat e tij, në minutat 74 e 82, vulosi shifrat 6-0 dhe humbjen më të thellë të Flamurtarit gjatë këtij sezoni.
Partizani ka arritur të marrë një fitore të vështirë dje në ndeshjen ndaj Shkumbinit, e përfunduar me rezultatin 2-0 dhe e luajtur në “Qemal Stafa”. Tri pikë të arta “in extremis”, që i kanë dhënë mundësi të kuqve të mbajnë ritmin e Dinamos dhe të ruajnë distancën prej dy pikësh me blutë. Paulin Dhëmbi realizoi në minutën e parë shtesë, kur pas përplasjes kokë më kokë mes portierit të Shkumbinit, Ervis Llani me mesfushorin sulmues të Partizanit, Elis Bakaj, lojtari i “demave” u gjet para portës bosh për të shënuar. Në minutën e 91-të, Bakaj e mori topin në gjysmëfushën e tij dhe vrapoi i vetëm, i pashqetësuar nga asnjë mbrojtjes deri në zonën e Llanit, duke dribluar portierin e duke shënuar. 2-0 për Partizanin.
Kavajasit i kanë çuditur e surprizuar të gjithë të pranishmit në stadium, duke arritur të triumfojnë 2-1 ndaj Tiranës në pjesën e dytë, edhe pse ishin në disavantazh. Minuta e 50’ do të sillte golin e parë në këtë takim. Një goditje dënimi e Duros do të grushtohej nga Zendeli, ndërsa Delialliasi do të shënojë me kokë në portën e boshatisur. Në minutën e 75’, mbrojtësit e Tiranës shkaktuan penallti, teksa do të penguan brenda zonës Xhihanin. Kjo penallti e ekzekutohet në mënyrë perfekte nga Mancaku, i cili shënon golin e parë. Në minutën e 90’ erdhi një depërtim i bukur e të sapofuturit në fushë, Fortunat, i cili do të pengohej në mënyrë të parregullt nga Çapja. Gjyqtari akordon penallti dhe është sërish Mancaku, ai që ekzekuton dhe shënon golin e dytë. Sfida e nxehtë për mbijetesë, ajo midis Besëlidhjes e Kastriotit me rezultatin që prodhoi, barazimin 1-1, çoi ujë në “mullirin” e Teutës, të kthyer triumfalisht nga Korça, në stadiumin ku dhe lezhjanët e krutanët kishin marrë më parë pikë të plota. Dritan Smajli shënoi një eurogol brenda tri minutave lojë për formacionin e Ilir Gjylës, kur me goditjen e tij të kalibruar realizoi nga 25 metra, falë edhe pakujdesisë së portierit të Kastriotit, Arjon Mustafa. Golashënuesi më i mirë i formacionit të Ndreut, Erion Rizvanolli, pati një rast të artë për të vendosur ekuilibrat në të 18-të, por pa mundur të realizojë. Gjithsesi, ishte ish-sulmuesi i Tiranës, Oriand Abazaj, që shërbeu për Rizvanollin, i cili në minutën e 35-të shënoi edhe golin e çmuar për Kastriotin, që ndau nga një pikë me vendasit.

Të veçanta

- 5000 dollarë ka qenë shuma që presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, i komunikoi si premio ekipit të tij në rast fitoreje. Stimuli u bë i ditur nga Fushaj vetëm pak minuta para fillimit të takimit, për të motivuar plotësisht skuadrën e tij.

- Slavko Kovaçiç në ndeshjen e humbur të skuadrës së tij me Dinamon, i quajti lojtarët e tij amatorë, madje shkarazi përmendi edhe mundësinë e largimit.

- Ishte e çuditshme të shikoje dje ndeshjen Partizani-Shkumbini në “Qemal Stafa” teksa në shkallët e stadiumit kishte një numër shumë të vogël tifozësh. Klubi kryeqytetas është një ndër më popullorët në Shqipëri dhe shquhet për numrin e madh të tifozëve.

- Në Lezhë, interesim nga autoritetet lokale dhe deputetët e të dy qyteteve. Të pranishëm, kryetarët e Bashkive të Lezhës e Krujës, dhe deputetët Preç Zogaj, Shkëlqim Ziri e Hajrulla Paturri.

- Trajneri i bluve, Ilir Daja, për shkak të një gjendje gripale, që e ka detyruar të qëndrojë i ulur gjatë të gjithë ndeshjes, duke ia deleguar komunikimin me lojtarët trajnerit të dytë, Tan Mërgjyshi, nuk ka dalë as në konferencën për shtyp.

- Dygolëshi i shënuar nga Eleandro Pema në takimin e djeshëm ndaj Flamurtarit, vjen gati një vit mbas dygolëshit të fundit të tij shënuar në kampionat. Ishte ndeshje e 21 prillit Elbasani-Tirana, kur sulmuesi i Dinamos, atëherë me bardheblutë, shënon dy gola.

- Ka zgjatur vetëm 34 minuta ndeshja e shqiptaro-kroatit Anton Dedaj dhe e Franc Veliut, një vendim i trajnerit Kovaçiç, i cili ka vendosur zëvendësimin e tyre pa mbaruar pjesa e parë. Vendim i cili nuk është pritur aspak mirë nga ana e Dedajt, i cili është nervozuar nuk i ka kursyer fjalë ndaj Kovaçiçit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›