E Diel, 1 Nëntor 2026

Patos, i dënuari me 25 vjet gjendet i vetëvrarë në banesë

• PATOS – Një 41-vjeçar i dënuar në mungesë me 25 vjet burg për vrasje u gjet i vdekur dje me një plumb në kokë në qytetin e Patosit.

 Burimet policore bënë të ditur se, Albert Gjata u vetëvra në një banesë të lagjes “29 Marsi”. Ka qenë ora 23:00 e mbrëmjes të së premtes, kur fqinjë të 41-vjeçarit kanë dëgjuar një krismë. Menjëherë është lajmëruar policia, e cila ka mbërritur në vendngjarje, duke gjetur pranë trupit të Gjatës një pistoletë TT dhe një gëzhojë pranë tij. Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se viktima ishte vetëvrarë. Mësohet se Gjata ishte person në kërkim nga drejtësia shqiptare, pasi mbi të rëndonte vepra penale e “vrasjes me dashje”, krim për të cilin ishte dënuar në mungesë. Sipas policisë, në prill të vitit 1998 ai ka vrarë Llazar Stefën, pas një konflikti pronësie. Një vendim i formës së prerë i Gjykatës së Fierit i vitit 2001, e ka dënuar atë në mungesë me 25 vjet heqje lirie. Mësohet se gjatë këtyre viteve, Gjata ka jetuar në lagjen “29 Marsi” të Patosit i vetëm dhe të vetmit persona që e takonin ishin disa të afërm, të cilët e takonin jashtë ambienteve të shtëpisë, në fshehtësi të plotë, për shkak të policisë. Sipas familjarëve, Gjata kishte më shumë se pesë ditë që nuk kishte dalë fare nga shtëpia. Ata thonë se 41-vjeçari ishte penduar për krimin që kishte bërë, por nuk pranonte të dorëzohej në polici, pasi kishte frikë se mos e keqtrajtonin. “Ai disa herë na kishte thënë që më mirë të vdiste se sa të binte në duart e policëve”, ka pohuar për “Panorama”, Rajmonda, mbesa e tij, e cila jeton në qytetin e Patosit.                        m.r.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›