Salvador, dhjetëra të vdekur nga uragani
Autoritetet e Salvadorit kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme pasi mbi 120 persona kanë vdekur nga uragani “Ida”.Qeveria tha se dëmi i shkaktuar nga shirat e rrëmbyeshëm ishte i pallogaritshëm.
Rrëshkitjet e dherave dhe përmbytjet kanë marrë me vete banesa të tëra në vendin me reliev malor. Stuhia po forcohet ndërsa po hyn në Gjirin e Meksikës me erëra që kanë arritur shpejtësi deri në 160 km në orë. Përmbytjet nga tre ditë me shira pa pushim i kanë bërë rrugët të pakalueshme dhe kanë shkatërruar urat.
Kinë
Ekzekutohen 9 persona për trazirat etnike
Mediat zyrtare njoftuan se Kina ka ekzekutuar nëntë persona për shkak të trazirave etnike në rajonin perëndimor Ksingjiang. Këta janë të parët që ekzekutohen prej shpërthimit të trazirave dhe përleshjeve ndërmjet ujgurëve dhe shumicës kineze, në të cilat e humbën jetën 200 vetë. Nuk është e qartë se ku u kryen ekzekutimet. Qindra njerëz u arrestuan pas protestave, ndërsa një numër i tyre u dënuan. Megjithatë në këtë vend janë kryer ekzekutime të ndryshme, të cilat janë kritikuar nga organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Indi
Dalai Lama mbledh mbi 300.000 njerëz
Mbi 300 mijë njerëz u mblodhën pranë një manastiri budist në afërsi të kufirit mes Indisë dhe Tibetit me rastin e vizitës së Dalai Lamës. Kjo ishte vizita e parë e udhëheqësit shpirtëror të tibetanëve. Dalai Lama pas largimit nga Tibeti në vitin 1959, si pasojë e regjimit kinez, së pari u vendos në Indi në zonën kufitare me Tibetin. 74 vjeçari, fitues i çmimit Nobel për Paqe këmbëngul se vizita e tij në rajon nuk është politike megjithatë autoritet vazhdojnë të thonë se vizita e tij është konfliktuale.
SHBA
Obama përshëndet miratimin e ligjit elektoral në Irak
Presidenti amerikan Barak Obama ka mirëpritur miratimin e ligjit elektoral nga parlamenti irakian dhe e ka cilësuar atë si një hap shumë të rëndësishëm. Obama thotë se ligji i hap rrugë tërheqjes së planifikuar të trupave luftarake amerikane nga Iraku. Pak pasi parlamenti irakian miratoi ligjin e ri elektoral, presidenti Barak Obama doli para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë: “Ky është një hap i rëndësishëm ndërkohë që populli irakian vazhdon të marrë përgjegjësinë për të ardhmen e tij”.
10 Nentor 2009