E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo e Heerenveen, pas Ibraimit

Paraqitjet e shkëlqyeshme në elitën e futbollit slloven me skuadrën Olimpija Ljubljana, ka bërë që disa skuadra të mëdha t’ia vënë syrin sulmuesit shqiptar, Agim Ibraimi.

E përditshmja sportive kroate, Sportske Novosti, shkruan se reprezentuesi i Maqedonisë ka gjasa të mira që të nënshkruajë marrëveshjen me klubin e ligës së parë holandeze, Heerenveen.

Mirëpo, sipas tyre, edhe Dinamo po mundohen që ta bindë 21-vjeçarin me prejardhje shqiptare që të veshë fanellën e klubit nga qyteti i Zagrebit, që në kualifikimet për Ligën e Kampionëve do të mundohet të kalojë pengesën e quajtur Sheriff, ose të vazhdojë largimin nga ëndrra evropiane.
Ibraimi shihet si zëvendësueses i sulmuesi, Mario Mandzukic, i cili braktisi Dinamon për t’u transferuar te skuadra nga Bundesliga Wolfsburg, që i ofroi një shumë marramendëse prej 9 milionë eurosh.

Sipas medieve sllovene dhe atyre kroate, opinioni zagrebas po pret me padurim zëvendësimin e tij të denjë, për të përmbushur kështu zbrazëtinë pas largimit të reprezentuesit kroat.

Ndoshta Agim Ibraimi do të jetë i duhuri, ngase i dështuan marrëveshjet e mëtutjeshme për vazhdimin e kontratës me Olimpinë, andaj momentalisht është lojtar i lirë.

Kampioni kroat e sheh si rast të mirë edhe faktin që kohë më parë klubit të Maksimirit nga Shibeniku i është bashkuar edhe bashkëvendësi i tij, Arian Ademi (me shtetësi kroate), i cili aktualisht mbron ngjyrat e reprezentacionit në kampionatin evropian për moshën deri në 19 vjeç, që po mbahet në Francë, dhe ku ‘katrorët’ arritën deri në gjysmëfinale.

Ibraimi në sezonin e kaluar shënoi shtatë gola. Për të qenë një zëvendësim i denjë për Mandzukicin, ai do të duhej ta dyfishonte këtë shifër. Por, a do ta vazhdojë karrierën në Holandë, apo në Kroaci?

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›