E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dritëroi: Greva e Metës, parimore për liri e standarde

 

aristir lumezi

Patriarku i PS-së, shkrimtari i njohur Dritëro Agolli, ka përshëndetur dje grevën e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Përmes një interviste për "Panorama", Agolli tha se ka marrë në telefon kreun e LSI-së Ilir Meta, të cilin e ka pyetur për shëndetin dhe i ka dhënë kurajë, që çështja për të cilën ata janë në grevë është shumë parimore. Sipas tij, LSI është një parti me elektorat që e ka treguar fuqinë e saj në dy zgjedhjet e fundit, në 2005 dhe për pushtetin vendor në 2007. Prandaj sipas tij, kjo betejë do të kurorëzohet me sukses, pasi ata nuk luftojnë për mandate deputeti, por për rregulla të ndershme loje. Agolli i cilësoi deputetët grevistë revolucionarë. Duke komentuar kushtet brenda sallës së parlamentit në të cilën po zhvillohet greva, në mungesë të kushteve minimale, Agolli i cilësoi ato jo njerëzore. Sipas tij, greva është pjesë e demokracisë dhe si e tillë ajo duhet të respektohet. Ish-deputeti i PS, shkrimtari i mirënjohur, mendon se Partia Socialiste dhe Edi Rama nuk do qëndrojnë në heshtje ndaj kësaj greve. "Mendoj se PS do të bëjë diçka", shprehet Agolli. Patriarku i socialistëve shpreh keqardhje për standardet e ulëta demokratike në vend. Sipas tij, ende edhe pas 18 vjet demokraci dhe pluralizëm në vend, ende deputetët hyjnë në grevë urie për të garantuar votën e lirë dhe të drejtë. 
Zoti Agolli, ju keni komunikuar sot në telefon me deputetët e ngujuar në ambientet e Parlamentit. Çfarë u keni thënë atyre?
Unë i kam marrë në telefon në mëngjes, i kam përshëndetur dhe i kam përgëzuar për shpirtin e tyre revolucionar. Kam folur me Ilir Metën, por i kam përqafuar të gjithë, edhe mikun tim Spartak Braho. Të gjithë po bëjnë një sakrificë të madhe në një betejë parimore për liri dhe standarde demokratike. Kjo betejë bëhet për të garantuar zgjedhje të lira dhe gjithëpërfshirëse. Ne nuk bëjmë zgjedhje për të zgjedhur disa deputetë, apo një kryeministër, ne bëjmë zgjedhje për të thënë mendimin tonë në to dhe ky mendim dhe ky mesazh të lexohet ashtu siç jepet. Unë i thashë atyre që kjo është një betejë parimore, ju luftoni për votën e lirë dhe kam besimin se do ta fitoni atë.
Si e konsideroni grevën e nisur nga LSI dhe të përkrahur nga PDK dhe PS '91?
Lëvizja Socialiste për Integrim është një parti, që ka deputetët e saj, nuk ka deputetë të huazuar apo të marrë borxh. LSI ka treguar në dy zgjedhjet e fundit, se ka elektorat dhe se në parlament prezantohet me votat e saj. Prandaj kjo betejë është krejt parimore, për garantimin e standardeve. Më duket se dy partitë e mëdha po tregohen tendencioze dhe të kursyera. Nuk e kuptoj se çdo të thotë 6+1 dhe jo 8+1 apo 9+2. Numrat për mendimin tim nuk kanë asnjë vlerë, kure bëhet fjalë për gjithëpërfshirje në procesin e administrimit të votës.
Sot në ditën e dytë të grevës, kemi mësuar për mungesa të sistemit ngrohës në sallën e Kuvendit, apo dhe zhurmues dhe përgjues të telefonave celularë të deputetëve grevistë. Si i konsideroni këto?
Për mendimin tim këto janë gjëra jonjerëzore. Greva është element i demokracisë, nëse nuk do lejoheshin apo pengoheshin grevat, atëherë nuk duhet të themi se jemi në demokraci. Demokraci pa greva nuk ekziston.
Pas 18 vjetësh në Shqipëri ende vazhdohet të bëhet grevë për votën e lirë dhe demokracinë, në vend që shqiptarët të protestonin dhe të hynin në grevë urie për rritjen e çmimeve, mungesën e ujit apo energjisë papunësinë etj. Cili është mendimi juaj?
Abuzimi me votën e lirë dhe zhvillimi i zgjedhjeve të pandershme na ka çuar në këtë ditë, që të na mungojë ende uji, energjia etj., probleme si këto. Kjo është pasojë e pandershmërisë. Demokracia është një organizëm i gjallë. Kur filloi lëvizja demokratike në dhjetorin e '90 motoja ishte liria e votës, demokracia e mendimit dhe veprimit. Edhe sot po protestohet për të njëjtat cilësi. Me plot gojë mund të them se sot jemi nën presionin e lëvizjes demokratike dhe kërkesës për votën e lirë.
Deri tani që flasim nuk ka asnjë reagim nga Partia Socialiste ndaj grevës së urisë së deputetëve të majtë. Si e gjykoni këtë heshtje?
Mendoj se Partia Socialiste duhet të bëjë diçka, s'mendoj se do të rrijë në heshtje.
Zoti Agolli, prisni një reagim më të fortë nga faktori ndërkombëtar, i cili arrin të vlerësojë më mirë institucionin e grevës së urisë?
Në radhë të parë, opinioni dhe institucionet ndërkombëtare në Shqipëri, të cilët i njohin mirë zgjedhjet dhe mënyrën e zhvillimit të tyre në Shqipëri, kërkojnë që zgjedhjet e ardhshme të mos kundërshtohen nga palët. Por ndërkombëtarët flasin me një gjuhë diplomatike. Prandaj ata shprehen se kjo është puna juaj. Ata nuk flasin si ne troç, por mundohen të japin deklarata diplomatike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›