E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo e Partizani s’gabojnë

Tani nuk ka më asnjë dyshim se 17 maji do të zgjidhë edhe verdiktin e kampionit të ri të Shqipërisë, për t’i “dhuruar” skuadrës më të mirë trofeun e 69-të.

 Pikërisht në javën e fundit do të luhet takimi Dinamo-Partizani, një finale intriguese dhe e denjë për dy nga ekipet më të mira të Shqipërisë, që së bashku kanë fituar 31 tituj nga 68 kampionate të përfunduara. Kështu, dy ekipet kryesuese vazhduan serinë e fitoreve, duke ruajtur të pandryshuar diferencën prej dy pikësh, gjithnjë në favor të dinamovitëve. Dinamo fitoi bindshëm 2-0 në “Selman Stërmasi” me Besën e vendit të tretë, ndërkohë që Partizani me të njëjtin rezultat mposhti fitoi 2-0 në “Qemal Stafa” me fituesen e Kupës së Shqipërisë, Vllazninë. Të kuqtë ishin përgatitur mjaft mirë psikologjikisht për të kapërcyer një pengesë të vështirë si ajo e Vllaznisë. Mesfushori i grumbulluar nga trajneri i Kombëtares, Ari Han, korçari i Partizanit, Paulin Dhembi realizoi dy gola, nga një në çdo pjesë: 42’ dhe 68’, për t’i dhënë fitoren e 17-të sezonale Partizanit. Në të dyja rastet e golave, që u shënuan me kokë në të dyja raste, ishte Bakaj ai që dha krosimet që rezultuan vendimtare. Shkodranët nga ana tjetër luajtën çuditërisht në mënyrë disi agresive në aspektin e ndërhyrjeve të shumta fizike. Kuqeblutë mbetën me 10 lojtarë që nga minuta e 53-të, kur ish-futbollisti i Teutës, Maringlen Kapaj mori kartonin e dytë të verdhë pas një ndërhyrjeje të parregullt. Ndërkaq, janë për t’u përmendur dy shtyllat e Vllaznisë, fillimisht me anë të Albert Kaçit e më pas, me anë të goleadorit të Vllaznisë, Xhevahir Sukaj.
Blutë s’ndalen
Dinamo arrin të kalojë edhe pengesën më të vështirë përpara takimit së fundjavës së ardhshme ndaj Partizanit, ndaj së cilit tani i mjafton edhe një barazim për t’u shpallur kampione e këtij sezoni. Në mesjavë, blutë i pret një udhëtim “turistik” në Shkodër, ku do të përballen me Vllazninë, së cilës i hapi rrugë jo me shumë keqardhje, për në finalen e Kupës së Shqipërisë. Blutë do të tentojnë disa herë në portën e Zendelit, derisa kavajasit i dhurojnë një mundësi të artë nga pika e bardhë e penalltisë, të cilën do ta shfrytëzojë më së miri Kuli. I njëjti skenar përsëritet edhe në pjesën e dytë, me Dinamon disi të hutuar vetëm në fillim, por Besa nuk di të përfitojë nga disa minuta çoroditjeje të Dinamos, e cila gjithsesi do të jetë e aftë të shënojë golin e dytë me anë të Pollozhanit.
Kriza e Tiranës
Drama e Tiranës vazhdon. Kriza e humbjeve është tejzgjatur më shumë se kurrë: 4 humbje rresht në dy kompeticionet, 3 në kampionat e 1 në Kupë. 23-herë kampionët më një grup të varfër lojtarësh humbën përballë një Besëlidhje ambicioze në Lezhë e që luan të gjitha kartat për të siguruar një vend në play-out. Formacioni i Ilir Gjylës realizoi një gol të shpejtë, pa kaluar katër minuta lojë me anë të Hashanit, gol që rezultoi vendimtar për 90 minutat dhe që prodhoi fitoren e 8-të të lezhjanëve në kampionat dhe të dytën sezonale me Tiranë në tre takime, por dhe të shtatën në 47 përballjet historike (27 fitore Tirana). 11-humbje në 31 javë janë shumë për një ekip të madh si Tirana.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›