E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët që mbajnë Teatrin e Baletit në Greqi

Danilo Zeka, balerini shqiptar, ka tetë vjet që punon si solist në Teatrin e Operës dhe Baletit në Greqi. Padyshim me kontratë të rregullt. Në vitin 2000 fitoi audicionin që bëhet çdo vit dhe fillimisht u emërua si kërcimtar për një vit.

Marko Caka/Athinë

Mandej kontratat u rinovuan për të disatën herë dhe sot Zeka, bashkë me nëntë balerinë të tjerë po shqiptarë, janë pjesë e pandashme e çdo shfaqje zyrtare që vihet në TOB-in grek. Sot në mbrëmje kanë premierën e baletit “Zhizel” dhe është hera e parë që vihet në Shqipëri. Kryesojnë shqiptarët, por nuk mbeten pas edhe artistët e tjerë grekë. Por pranimi i tij në këtë teatër u bë pas pesë vjetësh qëndrimi në vendin helen. Ka interpretuar në vepra si “Karmen” apo “Zorba”, me kompozitorin grek Miki Theodhoraqis, apo në “Liqeni i mjellmave”, me koreografin e njohur rus Ilea Zaleski. Ka marrë pjesë në shfaqjet klasike më të rëndësishme të kryeqytetit helen, apo në Evropë si dhe në aktivitete apo festivale ndërkombëtare. Ja cili është udhëtimi i balerinit shqiptar në shkallët e karrierës, futja në balet, largimi për në Greqi, hyrja në Teatrin e Operës dhe Baletit në Athinë, trupa shqiptare aty e shumë detaje të tjera rreth jetës së ti,j Danilo na i rrëfen në një intervistë për “Panorama”.
Sot keni premierën e baletit “Zhizel” në teatrin grek. Si vjen Danilo në këtë vepër?
Baleti quhet “Zhizel” dhe është hera e parë që bëhet një organizim kaq i mirë me kostume të reja të ardhura nga Londra dhe me skena të reja moderne. Pra, pritet të jetë një premierë tepër e suksesshme me koreografin korife, rusin Irek Muhametov. Pra, është një eksperiencë e re që të luash me një emër kaq të madh të baletit botëror. Unë luaj rolin protagonist të princit Albreht. Dhe roli tjetër kryesor është dhe vajza Zhizel, e cila luhet nga artistja e njohur greke Viki Sakidhu. Në këtë pjesë princi është i dashuruar me Zhizelin, por duke qenë dhe i fejuar kjo lidhje krijon disa peripeci. Por Zhizeli duke mos qenë në dijeni për fejesën time, e kupton lidhjen time nga ana e Hilariut, i cili kishte përgatitur ardhjen e saj në fshat për të injoruar lidhjen e princit me Zhizelin nga xhelozia tij për përfitimet e veta. Zhizeli duke mos përballuar këtë fejesë të dashurit të saj të princit Albreht, çmendet duke i dhënë një fund tragjik jetës së saj.
Kur keni qenë për herë të parë në Greqi?
Hera e parë ka qenë viti 1997, në vitin e fatkeqësisë së madhe për të gjithë shqiptarët. Duke marrë një ftesë nga një profesor shqiptar, Daku Shtuni, për një balet të ri modern që do krijohej në Greqi nga koreografi Haris Masndafunis, u arrit që të bëhej ftesa dhe të jem pjesë e këtij baleti.
Ndjetë vështirësi në ambientimin tuaj si artist i huaj?
E mira e artistit është që kemi një gjuhë të përbashkët dhe ambientohemi shumë shpejt me vendin që na rrethon. Sigurisht që ka pasur pengesa dhe vështirësi, por me vullnetin dhe dashurinë për artin i kalova të gjitha. Pra në fillim erdha me një kontratë 3-mujore dhe viza ishte detyrimisht vetëm për tre muaj dhe pas kësaj duhet të kthehesha përsëri mbrapsht në Shqipëri, por fatmirësisht me anë të suksesit të kësaj trupe u vëzhgova edhe nga një koreografe tjetër e dëgjuar greke, Sofia Spiratu, e cila që në fillim shprehu pëlqimin dhe interesimin ndaj meje për një bashkëpunim më të gjatë, sa vazhdon akoma deri tani.
Si vazhdoi karriera juaj më pas?
Në sajë të kësaj koreografe greke, zonjës Spiratu, u pajisa me një vizë më të gjatë punësimi për një bashkëpunim më të gjatë, duke nxjerrë në skenë shumë balete të reja dhe moderne (neo klasike) që në Greqi ishin për herë të parë të këtij lloji, duke marrë vlerësimin maksimal të publikut grek. Sigurisht ky bashkëpunim më hapi dyert në skenat greke, duke më bërë një nga solistët më të suksesshëm të baletit. Pra, bashkëpunimi im me koreografen Spiratu ishte në teatrin e saj privat, duke korrur suksese të njëpasnjëshme si në koncerte dhe festivale të tjera brenda dhe jashtë Greqisë, në bashkëpunim me kompozitorët e këngëtarët më të njohur grekë.
Po në Teatrin e Operës dhe Baletit grek si u pranuat?
Në vitin 2000 gjatë një audicioni të përvitshëm ku zgjidhen balerinët më të mirë, unë mora pjesë dhe fitova kontratën e parë si kërcimtar i TOB-it grek. Kontrata e parë ishte 1-vjeçare dhe duke parë nevojën si kërcimtarë i ri dhe i mirë, ata e panë të nevojshme për një rinovim të kontratës dhe që u bë trevjeçare. Gjatë kësaj kohe duke i dhënë një shtysë në teatrin shtetëror grek me vënien në skenë të baleteve të reja moderne dhe klasike, duke kërcyer role protagoniste në të gjitha këto balete dhe në sajë të pëlqimit të publikut dhe drejtuesve të teatrit grek më ofruan një kontratë të përhershme, duke marrë titullin e kërcimtarit (solist) të parë në TOB-in grek.
Aktualisht punoni me kontratë, apo me projekte?
Puna ime si balerin në TOB-in grek është e përhershme si pjesë e teatrit, e cila funksionon me të drejta të plota e të barabarta të nëpunësit publik, duke të lidhur   sigurimet shoqërore dhe pensionin tim si artist në Greqi.
A ka dhe shqiptarë të tjerë të punësuar në TOB-in grek dhe që kanë këtë privilegj?
Në TOB-in grek jemi gjithsej 9 balerinë meshkuj, të cilët dhe ata në sajë të aftësive të tyre dhe nevojave të teatrit shtetëror grek, janë pjesë e përhershme e TOB-it  grek në interpretimin e të gjitha trupave që luajnë në teatër.
Gjatë shfaqjeve të ndryshme që vihen në Teatrin e Operës dhe Baletit grek, a cilësohet identiteti juaj si shqiptar?
Patjetër që e dinë se jemi shqiptarë dhe kjo vërehet që në programet që u jepet përpara çdo lloj aktiviteti. Madje, unë e kam dashur gjithmonë gjatë gjithë karrierës sime që identiteti im si shqiptar të mos ndryshojë kurrë, as pika e as presja. Dhe kjo më bën që të jem shumë krenar i të qenit shqiptar brenda në skenë dhe jashtë saj. Dhe duhet ta dinë se në radhë të parë publiku grek më vlerëson për karakterin tim e të qenit origjinal safi shqiptar. Vlerësimi fillon sigurisht nga ana profesionale. Por dhe ka nga ata artdashës, që duke mos qenë në dijeni për suksesin e Akademisë së Baletit shqiptar, nganjëherë nuk e besojnë se unë jam shqiptar. Dhe këtu del në pah shkolla e mirë e artit shqiptar, e cila me dekada të tëra ka prodhuar talente të mëdha.
A ka ndryshuar jeta juaj në Greqi duke qenë se jeni një artist i famshëm këtu?
Po ta marrim në lidhje me shoqërinë, unë nuk jam larguar aspak nga miqtë e mi të vjetër, me të cilët akoma mbaj lidhjet dhe argëtohem në kohen time të lirë. Ndërsa po të flasim për anën profesionale të të qenit të famshëm, duke qenë se puna të bën që gjithnjë duhet të jesh në majë të suksesit, prandaj dhe impenjimi është tepër maksimal dhe tejet i madh, duke më bërë të kem përgjegjësi të mëdha mbi veten për përballimin e sfidave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›