Urdhri i Enverit: Zaho Koka të rikthehet në detyrën e komisarit
• I përjashtuar nga Partia dhe i shkarkuar nga të gjitha funksionet si kuadër politik me vendimin e gjyqit partizan të Ramicës në mars ‘44, Zaho Koka do të mund t’i rifitonte të gjitha të drejtat vetëm pas disa ditësh.arben saliuNjeriu që do ta rehabilitonte pas atij ndëshkimi të rëndë, kishte qenë vetë kreu i ushtrisë nacionalçlirimtare dhe partisë komuniste. Enver Hoxha i njohur me vendimet e gjyqit të bujshëm në Panarit të Korçës, ku ndodhej bashkë me Shtabin e Përgjithshëm, u përpoq të riparonte çfarë të mundte nga vendimet fatale të gjyqit special të komandës së Brigadës së Pestë. Ndërkohë që nuk mund të bënte gjë për fatin e Ramize Gjebresë të pushkatuar tashmë në Ramicë të Vlorës, urdhëroi rikthimin e Zaho Kokës në radhët e partisë dhe në detyrën e komisarit të njësisë partizane. Gazeta “Panorama”, zbardh për herë të parë reagimin e Enverit nga takimi me Zaho Kokën në Panarit të Korçës, fill pas ekzekutimit të vendimit të gjyqit partizan. Në kujtimet e Haredin Meçes ish-pjesëtar i kompanisë së Sigurimit të Shtabit të Përgjithshëm, zbulohet një pjesë e dialogëve të Zaho Kokës me Enver Hoxhën rreth dramës që u përjetua në Ramicë të Vlorës për ndëshkimin e dashurisë së tij me Ramize Gjebrenë.Të tjerë dëshmitarë ish-bashkëluftëtarë të dy protagonistëve të gjyqit të bujshëm, sjellin kujtimet e tyre duke ndriçuar profilin e kësaj ngjarjeje dramatike...Panarit, mars ‘44Ishte marsi i ‘44. Ndërkohë që Ramize Gjebrea u pushkatua në Ramicë të Vlorës, sipas të njëjtit vendim të gjyqit partizan, Zaho Koka u përjashtua nga partia dhe u transferua në Qarkun e Korçës. Në rrugëtimin për në detyrën e re, ai duhej të paraqitej në komandën e përgjithshme që ndodhej në Panarit. Më saktë, duhej të paraqitej tek Enver Hoxha.Pas ngjarjes së bujshme që kishte ndodhur në Ramicë, takimi i Zaho Kokës me komandantin e Lëvizjes Nacionalçlirimtare, do ta fuste situatën në një tjetër hulli. Ja si e kujton këtë Haredin Meçe njëri nga partizanët e kompanisë së sigurimit të Shtabit të Përgjithshëm që ka qenë i pranishëm në këtë takim. … “Unë nuk e kisha njohur më parë Zaho Kokën, por emrin ia kisha dëgjuar. Ne nuk e dinim atë që kishte ndodhur në Ramicë dhe ardhjen e tij e përjetuam si një ngjarje e gëzueshme, sidomos për ne partizanët vlonjatë. Ai erdhi aty i shoqëruar me dy të tjerë. Dukeshin të lodhur nga rruga e gjatë. Fillimisht kërkuan të takoheshin me Enverin. E lajmëruam atë për mysafirët e ardhur nga Vlora. Sakaq, Enveri doli menjëherë nga zyra ku rrinte dhe u takua përzemërsisht me ta. Pas pak i futi krahun me përzemërsi Zahos dhe të dy u futën bashkë zyrën e Enverit. Ndenjën aty disa çaste, pastaj Zahua doli e u ul shtruar me ne. Dukej i vrarë shpirtërisht, megjithatë i vetëpërmbajtur. Kështu vazhduam në shoqërinë e tij për tri-katër ditë me radhë. Bisedonim deri vonë e hera-herës këndonim labçe. Mbaj mend që ai ia kthente shumë bukur. Erdhi dita që do të nisej përsëri. Enver Hoxha e përcolli vetë deri në një farë vendi. Unë me një partizan tjetër ecja disa hapa pas tyre. Kur do ndaheshin, Enveri i tha: “Për ne je ai Zaho që ke qenë”, dhe e përqafoi duke e puthur me dashuri. Zaho Kokës i shkuan lot në faqe. “Të jap fjalën, iu përgjigj ai, sa të kem frymë do të jem ushtar i Partisë dhe nuk do të kursej asgjë për luftën”. “Kam besim se do të punosh e luftosh ashtu si dinë djemtë trima të bregdetit, iu kthye Enveri dhe aty për aty vargëzoi një këngë popullore: “Djemtë trima të bregut/Të penës e dyfekut...”, duke e ftuar Zaho Kokën t’i mbante iso. Pak çaste në sup të njëri-tjetrit ata vazhduan të këndojnë me një zë të lehtë. Na u desh t’u afroheshim edhe ne e të mbanim iso në këngën e tyre. Kështu u ndamë në Panarit me Zaho Kokën. Kur po ktheheshim për në zyrat e Shtabit, Enver Hoxha, më shumë si për vete, sesa për ne, tha tepër i mërzitur: “Shokët tanë po ngatërrojnë dynjanë”. Për ne ky monolog i tij ishte i pakuptueshëm. Ne nuk kishim si ta dinim se çfarë kishte ndodhur me Ramize Gjebrenë e Zaho Kokën. Nuk dinim gjë për historinë tragjike të tyre. Gjithsesi, nga mënyra si meditonte Enveri ato çaste, mundëm të kuptojmë se diçka jo e mirë kishte ndodhur...”. Rikthimi iZaho KokësZaho Koka s’ishte mëkatar, ai s’ia kishte pasur me hile shokëve dhe s’i kishte bërë dredha luftës, së cilës i kishte dhënë më shumë se kushdo tjetër në bregdet, prandaj me plot të drejtë Enver Hoxha e riktheu menjëherë në radhët e Partisë, ku ai kishte milituar si anëtar besnik i saj, si dhe e caktoi komisar batalioni në Brigadën e Katërt. Por, para se të fillonte detyrën e re, atij iu ngarkua një mision tepër i rëndësishëm. Duhej që në ishullin e Korfuzit të siguronte një motobarkë, me të cilën do të udhëtonte drejt Barit të Italisë delegacioni i Shtabit tonë të Përgjithshëm me në krye Bedri Spahiun, për t’u atashuar pranë shtabit të Forcave Aleate të Mesdheut.Sot flitet se kanë luftuar edhe ballistët e legalistët, por ja që edhe Forcat Aleate në shtabin qendror të tyre në Mesdhe s’e kishin të vështirë të bënin selektimin, prandaj kërkonin pranë tyre përfaqësues të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe jo bashkëpunëtorët e nazifashistëve.Zaho Koka u nis drejt Himarës për ta përmbushur me nder këtë mision. Dhe doli faqebardhë. Meqenëse në këtë periudhë, në bregdet vepronte Brigada e Gjashtë Sulmuese, Zahua mori detyrë nga Bedri Spahiu që të punonte për shtimin e saj me një batalion të ri partizanësh, me djem e vajza të bregut. Kjo situatë e detyroi atë që të mos rikthehej në Korçë, por të operonte në vendlindje. Filloi ta vinte në zbatim edhe këtë detyrë të re. Kjo valë pune e gjeti atë dhe më 8 qershor. Forcat naziste duke depërtuar në drejtim të Vunoit, ndeshën në rezistencë të fortë. Zaho Koka ishte në krah të shokëve. Kur një grup i vogël gjermanësh u tërhoqën drejt kishës së Shën Pjetrit dhe u pozicionuan brenda saj, Zahua vihet në ndjekje të tyre. Por fatkeqësisht bie si një lis i rëndë, pranë rrënjëve të një ulliri. Te ky simbol i paqes, Zaho Koka ngeli përjetësisht si simbol i lirisë së Vunoit.Batalioni i ri mori emrin “Zaho Koka”. Tani fillonte për të pavdekësia. “Ferri” i Ramizes“Dashuria që na çoi të dyve në vdekje...”. Vetëm pak ditë para pushkatimit, Ramize Gjebrea do të shfaqte parandjenjën e frikshme nëpërmjet vargjeve të “Ferrit”. Sofokli Lazri, një nga shokët e saj të luftës, ka shkruar në kujtimet e tij një ngjarje interesante që i përket takimit të fundit me Ramizenë më 22 shkurt ‘44. Gjithçka është shkëmbyer në një bisedë vëllazërore, teksa ajo ka shkuar ta vizitojë në një bazë në Vuno ku Sofoja mjekohej nga plagët që kishte pësuar...”. Ajo u ul në një karrike buzë shtratit, ku isha shtrirë, më prekte ballin, më kapte dorën si për të më matur temperaturën, më pyeste si e ndjeja këmbën, a më ishte thyer ndonjë kockë, a kisha humbur shumë gjak, a e kisha të lidhur mirë plagën dhe a kisha bërë ndonjë mjekim. Pastaj filloi të flasë për letërsinë. Fillimisht më pyeti nëse më pëlqente Dante. I thashë se më pëlqente më shumë “Ferri”. Ajo pohoi aty për aty të njëjtën gjë dhe filloi të recitojë këngën ku flitet për dashurinë e Françeska da Riminit me Paolo Malatestën: Nga dashuria që prek çdo zemër trimi,U lidh ky fort pas trupit tim të bukur,aq kobshëm vrarë, sa më zë trishtimi.Dhe dashuria që s’lë dashnor pa zbuturme të më lidhi dhe asnjë përpjekjeprej tij më kurrë s’ka për të më shkëputur.Kjo dashuri na çoi të dyve në vdekje.Lexonim ne një ditë, kot në prehje për Lançelotin, si u dashurua;Krejt vetëm ishim e dyshim s’na brente.Kur ne lexuam si ai dashnor pa priturFytyrën që i blatonte lumturinë, ky, që prej meje kurrë s’është shkëputur më puthi buzët me aq drithërimGaleot qe libri dhe ai që shkroi s’lexuam më tutje ne as dhe një grimë.Pasoi një psherëtimë e thellë që i ngjante një rënkimi të dhimbshëm dhe vazhdoi: Sa bukur e ka shprehur Danteja dashurinë që erdhi papritur, menjëherë: Dashurinë fatale do të thosha. Ai nuk të tregon si lindi, fjalët që shkëmbyen, shikimet e kryqëzuara etj. Por me një rresht, t’i thotë të gjitha, “Më puthi buzët me aq drithërimë”. Në këtë bisedë e sipër ndërhyri nëna ime e cila i kujtoi Zahon e Ramizenë se në mëngjes do të niseshin për në Ramicë ku i kishte thirrur komanda, prandaj duhej të pushonin.Po Ramizeja nuk mund ta mbyllte pa recituar monologun e saj, por këtë herë të përzier me fjalë italisht që Zahua, nëna dhe motrat e mia të mos ia kuptonin të fshehtën e saj e që ajo donte ta merrte me vete. Herë pas here ajo hidhte vështrimin nga Zahua dhe i ndrisnin sytë. Ajo ishte dashuruar marrëzisht pas tij dhe gjithë biseda që po bënte për Danten, ishte si një rrëfim, gati i hapur, për dashurinë e saj për të....Në vend të mbylljes.Para pak vjetësh, tek ish-baraka e Nushajve, po pija një kafe me Todi Lubonjën dhe Sofokli Lazrin. Ishte koha që Sofua sapo kishte hedhur në qarkullim librin e tij të mrekullueshëm “Rikthimi i dhimbjes”. I paharruari Todi Lubonja, nisur nga mbresat e thella që i kishte lënë ky libër, na rrëfeu për një propozim interesant që i kishte bërë Muntaz Dhramit. Konkretisht ai i kishte shprehur skulptorit të shquar, që bazuar në tragjedinë e Ramize Gjebresë dhe Zaho Kokës, të ideonte një memorial për ta të derdhur në bronz dhe ky të ekspozohej në një nga lulishtet e Vlorës. Muntazi kishte rënë dakord në parim, por kjo punë nuk mund të niste pa mbështetje financiare nga pushteti vendor apo komuniteti vlonjat. Unë e mirëprita këtë ide të Todit, por nuk isha optimist në se do të materializohej. Pse? Po të perifrazojmë Dritëroin, do të thoshim “S’ka më heronj, tani ka pehlivanë”.Ramizja dhe Zahua vazhdojnë dhe sot e kësaj dite, që jo vetëm s’janë të derdhur në bronz, por s’ka asnjë rrugë dhe institucion që të ketë emrin e tyre, në Vlorë, apo Tiranë. Ka ndodhur kjo kur autoritetet e larta zyrtare nuk kanë kursyer dyzinën e dekoratave për lloj-lloj emrash e personazhesh, madje në këtë fluks rivlerësimi janë kujtuar të bëjnë “Nder i Kombit” edhe ndonjë ish-pjesëtar të shërbimeve të huaja antishqiptare.Në të njëjtën kohë për Ramize Gjebrean, apo ndonjë grua të rrallë si Justina Shkupi, e vetmja shqiptare në Luftën e Spanjës, s’kujtohet njeri. Po Bashkia e Vlorës, Beratit, Gjirokastrës, apo Tiranës e kanë të vështirë të shpallin “Qytetare Nderi”, Ramize Gjebrenë, një nga drejtueset e shquara të rinisë antifashiste dhe pishtare të civilizimit të femrës shqiptare?! Todi dhe Sofua nuk jetojnë më. Por unë si dëshmitar i gjallë i asaj bisede, ia rikujtoj edhe njëherë publikisht Muntaz Dhramit propozimin e Todi Lubonjës. Njëherazi me të desha të rikujtoj edhe përfaqësuesit e pushtetit vendor të Vlorës, të cilët nuk mendoj se e kanë të pamundur për të gjetur aq para sa i duhen Muntaz Dhramit, me qëllim që Ramize Gjebrea dhe Zaho Koka të jenë në krah të njëri–tjetrit në bronz, ashtu siç do ishin në jetë, po të kishin dalë gjallë nga lufta. Eshtë një borxh moral që u kemi figurave të tilla mbresëlënëse, të cilat përligjin sentencën, se “Lavdia dhe fati nuk shkojnë bashkë”.Tragjedia: Çastet e fundit të Ramizes para skuadrës së pushkatimitMë 5 mars u mblodhën në Ramicë vetëm tre nga pesë batalionet e Brigadës së Pestë. Konkretisht: I dyti, i treti dhe i katërti. Me kuadrot e këtyre batalioneve, shtabi i Brigadës bëri analizën e veprimeve luftarake dhe gjendjen moralo-politike gjatë Operacionit të Dimrit, ku referuan Hysni Kapua dhe Shefqet Peçi. Çuditërisht, para Brigadës, në vend të fliste një nga dy drejtuesit e Brigadës, apo Manush Myftiu, konkluzionet i bëri Hito Çakua, shefi i Seksionit Politik. Ky gjithashtu na vuri në dijeni mbi gjyqin e zhvilluar ndaj Zaho Kokës dhe Ramize Gjebresë. Akuza ndaj tyre ishte e njëjtë. Kishin shkelur moralin partizan duke kaluar në raporte intime me njëri-tjetrin.Për herë të parë Ramizen e kisha parë dhe dëgjuar kur përshëndeti në emër të rinisë në Bramyshnjë, me rastin e inaugurimit të Brigadës së Pestë. Në Ramicë ishte përballja e dytë me të, por në të tjera kushte. Dalja duarlidhur e Ramizes para Brigadës, e shoqëruar nga disa partizane, të cilat do të ishin zbatueset e vendimit të gjyqit partizan, na shokoi të gjithëve. Në çastin kur u dha urdhri të shtihej mbi të, këto të tronditura si gjithë ne të tjerët, fillimisht nuk e goditën për vdekje. Në këtë moment Ramizeja foli për herë të fundit:” Ç’bëni kështu, pse qëlloni?!” Por breshëritë e dyta e rrëzuan në tokë. Ishte një skenë tragjike. Zaho Koka nuk doli në skenë, mbasi atë e kishin vënë në dijeni paraprakisht për vendimin karshi tij dhe e kishin nisur drejt Qarkut të Korçës për rehabilitim. Me Zaho Kokën isha njohur në prill të vitit 1943. Që në vështrimin e parë, ai të befasonte. Shfaqej i bukur e burrëror në pamje të jashtme. Kishte dy sy që i shkëlqenin, trup div e shpatullgjerë. Më pas, puna dhe momenti e prunë që me Zaho Kokën të ishim shpeshherë bashkë. Gjatë Operacionit të Qershorit, kur endesha sa në një spital partizan në tjetrin, mora lajmin e hidhur për vrasjen e Zaho Kokës në fshatin Vuno, në përleshje me forcat gjermane. U pikëllova pa masë, por njëkohësisht më pushtoi një ndjenjë krenarie, që dallgët e luftës më kishin njohur e bashkuar në të njëjtën llogore me këtë trim të bukur e të mençur.Eshtë fakt i pamohueshëm se Zaho Koka dhe Ramize Gjebrea ranë në dashuri, por ekspozimi i ndjenjave intime në rrethanat e luftës sonë ishte shpallur tabu, “e pamoralshme”, “mëkat” që dënohej rëndë. Dhe kjo rridhte si pasojë për të mos u dhënë shkak armiqve e tradhtarëve që propagandonin se “vajzat partizane shkonin malit jo për luftë, por për dashuri”, se “në mal bëheshin punë të liga, që s’pajtohen me moralin dhe traditat e popullit”, e të tjera broçkulla. Prandaj dhe ligjet e luftës partizane ishin të hekurta dhe të rrepta në drejtim të moralit. Ai duhet të ishte i pastër dhe i pacenueshëm në çdo aspekt.Gjithsesi, vendimi për pushkatimin e Ramize Gjebresë dhe denigrimin e rëndë të Zaho Kokës, qe tej mase i nxituar. Por sado të rralla, lufta pati edhe raste të tilla, që sa herë i shtie në mendje, të tronditin dhe dëshpërojnë.