E Diel, 1 Nëntor 2026

Dinamo, gara për titull rrezikon të mbyllet në gjysmën e fazës së tretë

Fakti që Dinamo është pretendentja kryesore për fitimin e titullit kampion nuk përbën më lajm. Ajo që vërtet të tërheq vëmendjen, është se blutë mund të "vrasin" kampionatin që prej gjysmës së fazës së tretë. Me ecurinë e deritanishme në 11 javët e para të Kategorisë Superiore, kryeqytetasit kanë gabuar shumë pak, për mos të thënë fare: 2 barazime jashtë fushe me Vllazninë dhe Skënderbeun, nuk mund të quhen rezultate negative. Trajneri Shkëlqim Muça ka ndërtuar një skuadër që në çdo javë po tregon diferenca të mëdha me kundërshtarët, e cila ka grumbulluar 29 pikë në 33 të mundshme. Statistika të frikshme, mbi të gjitha nëse krahasohen me të njëjtën periudhë të kampionatit gjatë edicionit 2008/‘09. "Dora" e Muçës pasqyrohet më së miri te rezultatet. Në krahasim me paraardhësin e tij, Zlatko Daliç, ai i ka dhënë skuadrës 12 pikë më shumë pas përfundimit të fazës së parë dhe e klasifikon tre vende më lart. Gjatë sezonit të kaluar, pas 11 javëve blutë renditeshin në vendin e katërt, në kuotën e 17 pikëve, 5 më pak se Tirana kryesuese. Pikavarazhi jo vetëm që është përmirësuar me rreth 40 për qind, por dinamovitët kanë grumbulluar edhe 7 pikë më shumë sesa kishin bardheblutë në të njëjtën periudhë të kampionatit të mëparshëm. Tashmë Dinamo renditet e para, me plot dhjetë pikë diferencë nga Besa e vendit të dytë dhe 12 pikë nga Apolonia dhe Tirana, të cilat ndodhen në vendin e tretë. Edhe golavarazhi është përmirësuar dukshëm: Bakaj, Sefa & Co. kanë realizuar 21 rrjeta në 990 minuta lojë (afro dy gola në ndeshje nëse përllogaritet mesatarja), ndërsa në fazën e parë të sezonit të kaluar ata ishin ndalur në kuotën e 12 golave të shënuar.
Nëse Dinamo ruan një vazhdimësi të tillë rezultatesh, në fund të fazës së dytë ata do të kenë plot 58 pikë, vetëm 10 më pak sa iu nevojitën Tiranës që të shpallej kampione në sezonin 2008/2009. Kjo mund të përkthehet ndryshe, që blutë kurorëzohen si skuadra më e mirë në Shqipëri që prej javës së katërt të fazës së tretë (java e 26-të, e planifikuar të luhet më 20 mars 2010). Por, duke marrë në konsideratë edhe hapa të mundshëm falsë gjatë këtij kampionati, festa e titullit mund të shtyhet edhe për javët 28 ose 29, praktikisht në gjysmën e pjesës së tretë dhe të fundit të edicionit në aktivitetin elitar. Hapa prapa në krahasim me një vit më parë kanë bërë Tirana (-5 pikë), Vllaznia (-10), Shkumbini (-5) e Flamurtari (-3). Pas Dinamos, ecurinë e tyre e kanë përmirësuar Besa dhe Apolonia, ndërsa Teuta ka qëndruar në të njëjtat nivele (në vendin e gjashtë me 16 pikë). Kavajasit kanë 3 pikë më shumë dhe renditen dy vende më lart se në të njëjtën periudhë të sezonit të kaluar, ndërsa fierakët kanë grumbulluar 6 pikë më tepër dhe klasifikohen plot 7 vende më lart.

. kodheli

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›