Romela Begaj renditet e katërta në Botëror
Romela Begaj nuk ka arritur të klasifikohet më lart se vendi i katërt në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes që po zhvillohet në Guojang të Koresë së Jugut. 23-vjeçarja ishte sportistja e parë kuqezi që garoi për Shqipërinë në këtë aktivitet, duke qenë shumë pranë medaljes së bronzit në stilin e shkëputjes. Begaj konkurroi në baterinë A të peshës 58 kg, kategori në të cilën garuan në total 24 sportistet më të mira të botës. Në stilin e shkëputjes, ajo ngriti 95 kg, duke humbur vendin e tretë vetëm për 1 kg: ukrainasja Kalina, e cila fitoi bronzin në këtë stil, e mbylli konkurrimin me 96 kg. Shkëputja u fitua nga 19-vjeçarja kineze, Xuejing Li (107 kg), ndërsa në vendin e dytë u rendit bjellorusja Novikava (100 kg). Në shtytje, Begaj nuk arriti që të rivalizonte deri në fund për të hyrë në zonën e medaljeve. Peshëngritësja shqiptare e mbylli garën me 112 kg të ngritura, duke u klasifikuar në vendin e pestë. Në dygarësh ajo ngriti në total 207 kg, por është për t‘u theksuar fakti se kishte plot 32 kg më pak se kinezja Li, e cila u shpall kampione e botës. Përveç Romela Begajt, për Shqipërinë do të konkurrojnë edhe Erkand Qerimaj, në peshën deri në 77 kg, dhe Ervis Tabaku, në peshën deri në 85 kg.
. k.
. k.