E Diel, 1 Nëntor 2026

"Metropol" hap sezonin me 2 shfaqje për fëmijë

 Alma Mileçdo ditë e javës ofron një spektakël ndryshe. Do të ketë teatër, cirk, koncerte... Por duket se teatri për fëmijë e adoleshëntë, do të jetë një nga pikat më të forta në kalendarin artistik të Qendrës Kulturore "Tirana". Ideuar vetëm pak muaj më parë nga drejtori i QKT, Kiço Londo, Teatri i Metropolit për Fëmijë, tenton të mbushë sado pak nevojat që Tirana, tashmë me 1 milionë banorë ka kundrejt argëtimit të të vegjëlve, apo adoleshentëve. Pas sprovës së parë me pjesën "Gracka", e cila u prit shumë mirë nga spektatori i vogël, Teatri i Metropolit për Fëmijë hap sezonin e ri me dy shfaqje premierë. Në datat 16 dhe 17 janar do të shfaqen dy pjesë të përshtatura nga dy përralla të shkrimtarëve të mëdhenj botërorë. Bëhet fjalë për pjesët "Në ballon e luleve", përshtatur nga përralla "Lulet e Idës së vogël" e autorit H. K. Andersen dhe "Druvari i mirë", përshtatur nga përrallat e vëllezërve Grim. Ndonëse kushtuar të vegjëlve, përkushtimi është maksimal. Një staf i tërë po punon për të realizuar këto vepra. Janë kryesisht artistë të rinj, duke filluar që nga regjisorët, tek aktorët, skenografët, etj. çka do të thotë se të artistët e rinj, tashmë kanë një mundësi më shumë punësimi. Pjesët e zgjedhura për të hapur sezonin janar-qershor 2010 ofrojnë mesazhe edukative, por pa i hequr pjesën më të rëndësishme të botës fëminore, që është fantazia. Teksa jetojmë në një botë dixhitale, ku fëmijëve nuk u mungon asgjë, duke filluar që shpikjet e fundit të industrisë së lodrave, tek televizioni, tek informacioni përmes internetit..., ndonjëherë duket sikur ata nuk kanë pse e vënë fantazinë në punë, në një kohë që çdo gjë vjen e gatshme. Pjesët që ofrohen në skenën e Teatrit të Metropolit për Fëmijë nxisin pikërisht fantazinë. Kështu, pjesa "Druvari i mirë" risjell një variant tjetër të përrallës së njohur të peshkut magjik që plotëson dëshirat e njeriut që e shpëton nga grepi. Një druvari të varfër, i bie sëpata në lumë. është aty, ku ai zë me grep peshkun e fatit, i cili është gati t'i plotësojë çdo dëshirë në këmbim të lirisë. Pasi bëhet i pasur, druvari ndjen se nuk është i lumtur dhe i kërkon peshkut t'i kthejë jetën e mëparshme, të varfër, por të lumtur. Regjisori i ri Genti Deçka, i cili është edhe përshtatësi në shqip i veprës, dëshiron t'u bëjë pak "moral" fëmijëve, duke u mësuar se pasuria nuk është gjithçka në jetë. (Interpretojnë Endri çela në rolin e druvarit, Ledian Papagjoni në rolin e vëllait dhe Arbër Islami si narratori). Pjesa tjetër me regji të Adelina Muçës, "Në ballon e luleve", është më pak moraliste dhe vë më shumë në punë fantazinë dhe lojën. (Interpretojnë Drilona Zalli në rolin e Idës, Genti Deçka në rolin e studentit, Lorenc Kaja në rolin e Adolfit, Ina Limani në të Jonës, Lindita Alliu si mamaja e Idës dhe Grupi i baletit për fëmijë, që sjellin kopshtin me lule).Ida është një vajzë 10-vjeçare që kujdeset shumë për lulet e kopshtit të saj, madje u rrëfen atyre dhe të gjithë ndodhitë e ditës. Nga biseda, fantazia e vajzës shkon më tej. Ajo krijon një ballo imagjinare, ku mbreti dhe mbretëresha janë trëndafili dhe karafili e më tej vijnë të gjithë obortarët me rradhë me veshjet e tyre ngjyra-ngjyra. Bota e luleve i ngjan asaj të njerëzve. çdo lule, përfaqëson një karakter të ndryshëm. Në këtë ballo mund të gjenden zambakë ëndërrimtarë, lule këmbajka aventuriere, bozhure kapriçoze, lule kacavjerrëse, tulipanë fisnikë, luledele të brishta, manjola bukuroshe etj. është një shfaqje e gjallë, plot ngjyra dhe ritëm, ku aktrimi gërshetohet me koreografinë. Janë fëmijët e trupës së baletit, nën koreografinë e Llaqi Nakos, që do ta bëjnë edhe më të gëzueshme këtë pjesë. Edhe aty krijohen situata të vështira, si në jetën reale, të cilat duhen zgjidhur. Kështu që fëmijët jo vetëm argëtohen dhe futen nëpër labirinthe fantazie, por edhe gjejnë zgjidhje, përpiqen të reagojnë shpejt dhe në mënyrën e duhur. Këto dy vepra do të shfaqen çdo të shtunë  dhe të dielë në orën 10.30, në sallën "çehov", të alternuara. Janë parashikuar 25 shfaqje për secilën. Drejtuesit e Qendrës Kulturore "Tirana", kanë menduar që kjo shfaqje të ofrohet edhe për ata fëmijë që nuk kanë mundësi të paguajnë biletën e teatrit, apo për organizime kolektive. është menduar që mesjava t'i kushtohet shfaqjeve për kopshtet dhe për fëmijët në nevojë. Kalendari Janar-QershorTeatri i MetropolitKanë nisur provat për komedinë "Playboy i trojeve tona" i autorit irlandez J.M.Synge. Premiera në fund të muajit shkurt 2010, në sallën "Bodrum".Premiera e dytë do të jetë në muajin prill. Bëhet fjalë për komedinë "Testamenti i Ri" nga Sacha Guitry, në sallën e re "Glob" me kapacitet prej 300 vendesh. Teatri i Metropolit për FëmijëDy premiera vijnë në datat 16 dhe 17 janar 2010, "Në ballon e luleve", përshtatur nga përralla "Lulet e Idës së vogël" e autorit H. K. Andersen dhe "Druvari i mirë", përshtatur nga përrallat e vëllezërve Grim. Mesjava do të sjelle këto shfaqje për kopshtet dhe fëmijet në nevojë.Cirku i Metropolitçdo të shtune dhe të dielë ora 11.00 do të sjellë dy shfaqjet premiere me rastin e 50- vjetorit të cirkut: "Të kapercesh ylberin" dhe "Qielli pikon yje". Në mesjavë per nxënësit e shkollave të kryeqytetit do të shfaqet një kombinim i të dyja spektakleve në oraret e kërkuara. Ansambli Folklorik "Tirana" dhe Banda e Qytetit" Pas ristrukturimit në përputhje me vizionin dhe strategjinë e re të Qendrës Kulturore, ansambli dhe banda do të vazhdojnë të jenë pjesë e rëndësishme e të gjitha aktiviteteve dhe festimeve në kryeqytet e më gjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›