Sulmuesi Sebino Plaku drejt Kroacisë
Sulmuesi i Dinamos, Sebino Plaku, që është edhe shënuesi më i mirë i bluve në sezonin e kaluar, ndryshe nga çfarë është thënë nuk ka udhëtuar me skuadrën të mërkurën për në Turqi. Sepse, sipas menaxherit të tij, Gëzim Mançe, drejtuesit e klubit, edhe duke qenë në tratativa të vazhdueshme për ta shitur sulmuesin kanë gjykuar që është mirë të qëndrojë këtu. "Për 3-4 ditë - ka thëmë menaxheri Mançe për "Panorama" - Plaku do të mund ta ketë zgjidhur problemin e tij. Në të kundërt, do të bashkohet me dinamovitët në Antalia të Turqisë". Dhe destinacioni i mundshëm për Plakun, gjithnjë sipas informacionit që ka dhënë Mançe, mund të jetë Kroacia, atje ku dy skuadra janë të interesuara dhe kanë hyrë në tratativa me dinamovitët për të patur shërbimet e sulmuesit blu. "Unë nuk mund të konfirmoj emrat e skuadrave që janë duke u interesuar për sulmuesin dinamovit. Por një gjë duhet patur parasysh që, brenda kësaj jave, ai do ta ketë ekipin e tij të ri", ka nënvizuar Mançe, në një kohë që për Shqipëri nuk duket se bëhet fjalë. "Dhe nëse ndodh - thotë duke përfunduar Mançe - atëherë vetëm mund të huazohet. Por mundësia më e madhe e tij është vajtja jashtë Shqipërisë". E kësisoj, pas Bakajt në Azerbajxhan, duket se edhe Plaku do të ketë një destinacion jashtë vendit, por gjithnjë në favor të Dinamos. Gj.Vyshka.