E Diel, 1 Nëntor 2026

Dinamo i shmanget grushtit të dytë Gjendet gjuha e përbashkët me Jusufin

Nga ANDI MATRAXHIU

Futbollisti Pëllumb Jusufi ka gjetur gjuhën e përbashkët me blutë, të cilët kanë depozituar një dokument noterial pranë FSHF-se

Dinamo duket se do ti shpëtojë grushtit të dytë, pas të parit që mori nga saksioni i FIFA-s pak kohë më parë, ku çështja Bodrusiç (blutë i detyrohenin 5000 euro) i kushtoi heqjen e tri pikëve nga tabela e klasifikimit. Pak ditë më pare, i njëjti problem është shfaqur me ish-futbollistin Pëllumb Jusufi.

FIFA ka dërguar një e-mail në adresë të Federatës Shqiptare të Futbollit, ku bëhej qartë e ditur se, nëse nuk shlyen detyrimet financiare ndaj mesfushorit Pëllumb Jusufi, sërish blutë do të ndëshkohen me -3 pikë në tabelën e klasifikimit.

Por kësaj radhe gjërat janë sqaruar midis palëve. Pikërisht administratori Ismet Saliaj, gjatë një takimi ditën e hënë në Maqedoni dhe pas një takimi me lojtarin në fjalë, ka siguruar një deklaratë noteriale, e cila shpëton Dinamon nga heqja e 3 pikëve të tjera. Pas veprimit të parë, Saliaj është drejtuar në FSHF, ku ka depozituar deklaratën noteriale me firmën e Jusufit. Tashmë duket se blutë do të shpëtojnë nga ndëshkimi i dytë.

Administratori Saliaj

Skuadrës së Dinamos nuk do ti hiqen pikët në tabelën e renditjes për herë të dytë brenda sezonit nga FIFA, sepse klubi blu arriti marrëveshjen me futbollistin shqiptaro-maqedonas Pëllumb Jusufi, për të tërhequr ankesën në institucionin më të lartë të futbollit botëror. Administratori Ismet Saliaj udhëtoi dje për në Shkup, ku siç e pohoi vetë, i ka marrë një deklaratë noteriale Jusufit, ku shkruhet se Dinamo nuk i ka më borxhe.

Këtë deklaratë të noterizuar drejtuesit e Dinamos e kanë dërguar në FSHF dhe në FIFA ditën e martë. Në lidhje me këtë problem tashmë të zgjidhur me Jusufin administratori i bluve, Ismet Saliaj, deklaron: Kam dëgjuar që është shkruar shumë në media për këtë çështje, që Dinamos do ti hiqen pikë për mosshlyerje të detyrimeve ndaj futbollisit Pëllumb Jusufi, por kjo nuk do të ndodhë.

Unë kam udhëtuar të hënën drejt Shkupit, ku jam takuar me futbollistin në fjalë, të cilit i kam marrë një deklaratë noteriale. Kuptohet, aty është hedhur edhe firma e tij, që vërteton se klubi Dinamo nuk i ka më detyrime për të shlyer këtij futbollisti. Këtë deklaratë të noterizuar e kam depozituar në FSHF dhe në organin më të lartë të futbollit botëror, FIFA. Pra, kjo çështje mund të quhet e mbyllur,- shprehet Saliaj.

Pëllumb Jusufi

Paqen midis palëve e konfirmon edhe vetë lojtari i kontaktuar nga gazeta. Pëllumb Jusufi, me anë të linjës telefonike, flet për akordin e gjetur midis tij dhe skuadrës së Dinamos. Edhe pse ky i fundit e ka dërguar çështjen në institucionet më të larta futbollistike pak ditë më parë, duket se gjërat janë qetësuar. Dinamo mund ti shpëtojë heqjes së tri pikëve.

Kemi rënë dakord me skuadrën e Dinamos. Ia kemi dorëzuar administratorit Ismet Saliaj dokumentin e duhur. Ndërkohë që skuadra e Dinamos, pas 5 muajve, do të plotësojë kërkesat e mia,- shprehet mesfushori Pëllumb Jusifi, i cili është aktivizuar gjatë sezonit 2008-2009 në radhët e Dinamos, madje duke fituar edhe një superkupë me blutë përballë Vllaznisë në Loro Boriçi. Në atë sfidë shqiptaro-maqedonasi me pasaportë kroate ka shënuar edhe golin e dytë.

Besart Berisha kërkon falje për nervozizmin

Pavarësisht se ka qenë njeriu i derbit në Australi, teksa ka shënuar golin e fitores ndaj FC Sydney, kosovari Besart Berisha në fundin e sfidës ka ftuar për një duel fizik kundërshtarin e tij. Por pas ndërhyrjeve të njerëzve të ndryshëm brenda fushës së blertë, situata është qetësuar. Tashmë FFA (Federata Futbollistike Australi) është pranë marrjes së vendimit dhe Berisha mund të dënohet.

Gjithsesi, lojtari në fjalë ka kërkuar falje publike në mediat australiane, duke e pranuar gabimin që ka bërë. “Kërkoj falje për veprimin, nuk përsëritet më. Unë jam një luftëtar në lojë. Kam luftuar për ekipin tim. Gjërat që kanë ndodhur të shtunën nuk duhet të përsëriten më. Ky ishte një gabim i madh nga unë.

Kjo sidomos nuk ndodh në një lojë të Brisbane, sepse Brisbane nuk është ekip i tillë. Nuk është diçka e mirë edhe për ligën në Australi, por ngjarje të tilla sduhet të ndodhin në asnjë vend të botës, pasi nuk i përkasin futbollit. Nuk dëshiroj të flas çfarë ndodhi midis meje dhe kundërshtarit në fushën e blertë.”

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›