E Diel, 1 Nëntor 2026

Dinamo lë targën, Vllaznia merr ashensorin

Java e fundit e fazës së parë propozon një Dinamo të pandalshme e cila pasi mund 3-2 edhe Apoloninë, fikson distancën prej +11 pikësh me ndjekësit dhe është sot e qetë në pritje të rezultateve të Besës dhe Tiranës. Vllaznia rinis ngjitjen pas fitores 1-0 në shtëpi me Gramozin, duke e lënë kështu vendin e fundit. Shkumbini fitoi në Peqin 1-0 me Skënderbeun ndërsa Kastrioti e Flamurtari ndanë nga një pikë në barazimin 1-1 në Krujë.

Supersfida e javës ishte ajo që u luajt në "Qemal Stafa" mes Dinamos kryesuese dhe ndjekëses së saj, Apolonisë së vendit të tretë. Blutë, me një ecuri mjaft pozitive deri tani, kërkuan të ruanin ritmin, por edhe diferencën prej 5 pikësh me Besën që e ndjek, duke e mbyllur fazën e parë pa asnjë humbje. Dhe ia arritën kësaj, por me shumë mund. Në takim pati edhe shumë polemika për shkak se vendimeve të kontestueshme të gjyqtarit Edvin Hoxha nga ana e miqve. Fierakët pretenduan për një penallti të padhënë, por edhe për një gol të parregullt të Diopit, i cili ishte në një pozicion të dyshimtë për jashtëlojë. Apolonia zhvilloi një lojë të mirë në këtë ndeshje, ku nuk i mungoi iniciativa për të pasur frenat në dorën e saj. Por rezultati u zhbllokua nga Dinamo me anë të Sefës në minutën e 20-të. Menjëherë pas rifillimit të lojës në pjesën e dytë, në të 51-të minutë barazoi përkohësisht Capo për fierakët me një eurogol. Pas këtij momenti, blutë çorientohen totalisht, ndërkohë që Apolonia ndërmerr sulme të njëpasnjëshme drejt kuadratit të Kotorrit. Meto pengohet në zonë dhe miqtë pretendojnë për 11-metërsh, por gjyqtari nuk është dakord. Dinamo rimerr veten dhe gjen edhe dy herë golin me anë të Diopit dhe Sefës në minutat 81 dhe 84. Por goli i senegalezit është kontestuar nga Apolonia për pozicion jashtë loje. Në minutën e 3-të shtesë, Haxhibulic shkurton diferencë në 3-2, por koha nuk premton më. Dinamo siguron fitoren e radhës, duke e mbyllur në krye të renditjes fazën e parë. Ndërsa për fierakët, kjo është një tjetër humbje e dhimbshme, por që këtë herë ha kokën e presidentit Endri Puka. Te fitorja, që jep shpresë, është rikthyer Vllaznia, të cilës i ka mjaftuar vetëm një gol i shënuar nga mesfushori Osja, që kuqeblutë të mundin Gramozin. Në Shkodër është rikthyer Agim Canaj, por si trajner i kundërshtarëve. Kolonjarët janë munduar shumë të dalin me një barazim nga "Loro Boriçi", por nuk ia kanë dalë dot. Sepse goli i vetëm i ndeshjes ka bërë diferencën në këtë ndeshje, e cila, sa i takon lojës, ka qenë një ballafaqim i gjatë mes sulmeve shkodrane dhe mbrojtjes së përforcuar të miqve. Po dje u luajt edhe ndeshja Kastrioti-Flamurtari, që u mbyll në barazim 1-1, pas golave të Teqes për vendasit dhe të Alvizh i Flamurtarit, që ka marrë një pikë të çmuar në Krujë. Në Peqin, Shkumbini vendas ka mundur minimalisht Skënderbeun, duke marrë tri pikë me mjaft vlera, në një sfidë ku ka vendosur shumë faktori fushë. Goli i vetëm mban firmën e Mustafajt në minutën e 56-të.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›