Publikohet romani që i shpëtoi djegies
Faqe të tëra dorëshkrimi, mbi të cilat ishin të qarta shenjat e një procesi krijues, prej vitesh qëndronin të mbyllura në një kasafortë banke në Zvicër. I përkisnin shkrimtarit të njohur Vladimir Nabokov. Kishte punuar mbi to deri në fund të jetës. Kishte nënvizuar, korrigjuar, por pa mundur dot ta çonte deri në fund dorëshkrimin e një romani. "The Original of Laura", vetëm pak ditë më parë është botuar anglisht dhe italisht. Nabokov, shkrimtari i "Lolitës", kishte nisur ta shkruante në vitin 1975. Shëndeti e tradhton. Përkeqësohet çdo ditë e më shumë. Vizita dhe shtrime të vazhdueshme në spital. Ftohet rëndë, ekzaminohet me bronshit dhe vdes më 2 korrik të vitit 1977. Punoi me këmbëngulje duke shpërfillur botën e jashtme dhe dhimbjet për ta mbaruar dorëshkrimin. Teksa e ndiente se përkeqësohej çdo ditë, i lë një porosi të veçantë gruas së tij, Verës. Në rast se do të vdiste pa e mbaruar romanin, dorëshkrimi i Laurës duhej të digjej. Por e shoqja nuk ia plotësoi vullnetin. Dorëshkrimi në vend që të digjej, u ruajt në një kasafortë. Pas vdekjes së Verës më 1991, do të kalonte kohë para se dera e kasafortës të hapej. Për të dytën herë, djali i tij i vetëm Dmitri, kundërshtoi vullnetin e të atit. Për më tepër, lajmëroi se dorëshkrimi do të botohej. Më 2008-n, kur ai foli për herë të parë mbi këtë çështje, pati reagime të shumta. Aq më tepër që flitej për një dorëshkrim të papërfunduar të Nabokov. Shkrime të shumta në media dhe komente kanë shoqëruar edhe botimin. Vetë i biri shprehet se që në leximin e parë, edhe pse bëhej fjalë për një roman të papërfunduar, për strukturën dhe stilin, ishte shkruar në një gjuhë të re. Nabokov nuk arriti t‘i jepte dorën e fundit dhe kjo reflekton konfuzitetin në pjesë të caktuara, duke nisur edhe nga vetë personazhet. Në libër rrëfehet historia e Florës (apo Laurës, FLaurës), e bija e vetëvrarë e një fotografi dhe e një balerine. Vajza është e martuar me Philip Wild, një neurolog i njohur për "një trashësi të jashtëzakonshme", i cili me sa duket ka nisur të shkruajë një roman. Flora, që në moshë të vogël ka pasur marrëdhënie të vazhdueshme me dashnorët e së ëmës (mes të cilëve Hubert H. Hubert). Papritur, gjithçka që ka të bëjë me të mbetet e turbullt. Nisur edhe nga vetë emri. Po pse vendosi i biri Dmitri që ta botonte këtë dorëshkrim të papërfunduar? Disa zëra përfolën shumat e mëdha që ofrojnë botuesit në raste të tilla. Por Dmitri theksoi se ky roman i papërfunduar do t‘u shërbente studiuesve apo biografëve të Nabokov. Ndërkohë që letërsia botërore njeh raste të mëhershme të veprave që i shpëtojnë vullnetit të autorit të tyre. I tillë është rasti i Kafkës, të cilit miku i tij Max Brod nuk iu bind në kërkesën për shkatërrimin e veprave. Gjithsesi, një dorëshkrim i papërfunduar, ndonëse i një autori të njohur, nuk duhet të jetë detyrimisht një kryevepër. Dëshira e Nabokov për ta djegur këtë roman në rast se nuk arrinte ta përfundonte mund të jetë e justifikuar kur mendon se ai vetë shprehej kundër improvizimeve teksa theksonte se "vetëm të pavlefshmit ambiciozë dhe mediokrit e tepërt i vënë në pah kopjet e tyre të shëmtuara". Djali i tij jep një shpjegim për këtë. "Në të vërtetë, edhe pse nuk do ta kisha shkatërruar asnjëherë origjinalin, bashkëjetoja me idenë se si do të mund të reagonte im atë pas publikimit të këtij romani të papërfunduar. I njohur për perfeksionitetin e tij, kundërshtonte botimin e veprave të pambaruara. Luftonte që ta mbaronte Laurën sa ishte gjallë dhe i vetëdijshëm. Atyre që pyesin se pse nuk e shkatërroi ai vetë dorëshkrimin, apo pse unë iu kundërvura vullnetit të tij, do t‘u jepja këtë përgjigje: kur e pyetën se kë nga librat do të kishte dashur të ruante, ai iu përgjigj: 1) një përkthim të ri të ‘Ferrit‘ të Dantes; 2) një libër mbi fluturat e Amerikës së Veriut; 3) një roman që po e shkruante e që nuk e kishte mbaruar ende, i titulluar ‘The Original of Laura‘. A ju duken këto përgjigje të një shkrimtari që tenton të shkatërrojë një roman?".