Themelohet Muzeu i Alfabetit
Në 101-vjetorin e Kongresit të Alfabetit, qeveria ka vendosur themelimin e Muzeut të Alfabetit në qytetin e Manastirit. Ndërsa sekretariati për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit në bashkëpunim me lëvizjen qytetare "Zgjohu" dhe Shoqatën e Historianëve Shqiptarë në Maqedoni do të organizojnë një konferencë shkencore. Manifestime për nder të kësaj dite do të mbahen edhe në Manastir. "Janë dy lokale në katin e parë, të cilat janë privatizuar ndoshta në mënyrë të paligjshme, mirëpo ne si qeveri kemi nisur procedurat për kompensimin e tyre. Por pavarësisht çështjeve juridike të pronësisë me këto dy lokale, ne do të miratojmë vendimin për themelimin e Muzeut të Alfabetit në Manastir dhe ai do të fillojë të funksionojë në të dyja katet e objektit. Në buxhetin e vitit të ardhshëm kemi parashikuar edhe një buxhet për punësimin e katër punonjësve, të cilët së bashku me drejtorin do të jenë të punësuar në Muzeun e Alfabetit në Manastir", ka deklaruar zëvendëskryeministri Abdilaqim Ademi.