Velinizimi i Italisë
Janë të gjata, të zhveshura dhe shumë praktike në ekran, gati të lëshojnë hiret e tyre në çdo moment që u kërkohet. Kjo është pak a shumë figura me të cilën shfaqen femrat në spektaklet italiane. Deri këtu nuk ka asgjë të re dhe të panjohur për ekranet italiane të mbushura me lakuriqësi që nga vitet ‘80. Pikërisht në atë kohë stacionet televizive të manjatit mediatik, Berluskoni, "revolucionarizuan" valët televizive, duke i dyndur italianët me telenovela amerikane e më pas edhe latine, me futboll, seks dhe lodra fitimprurëse. Por kjo formulë nuk kishte për qëllim vetëm "të gostiste" italianët, por edhe t‘i sillte Berluskonit para pa fund dhe një mbështetje të madhe politike. 20 vjet pas këtij "revolucionarizimi" të televizionit italian, Berluskoni- tashmë Kryeministër i italianëve për të tretën herë rresht -është Kryeministri që ka qëndruar më gjatë në Itali që nga viti 1946. Sigurisht që së fundmi ka pasur edhe ca probleme… Gjykata kushtetuese italiane e zhvleftësoi ligjin sipas të cilit Berluskonit dhe disa figurave të tjera të larta u jepej imuniteti që për sa kohë të ishin në pushtet, të mos rrekeshin nga gjyqësori. Ky është vetëm një nga problemet e kohëve të fundit, por nga ana tjetër edhe sikur Kavalieri ta linte që nesër detyrën, trashëgimia që do të linte pas do të zgjaste shumë. Të paktën për sa i përket kulturës televizive që arriti të përçojë te bashkëkombësit e tij. Në fakt, para se të ndryshonte politikën e vendit, ai ndryshoi pikërisht kulturën. Ai futi kulturën e luksit dhe të seksit, një kulturë krejtësisht e kundërt nga ajo e një vendi tradicionalisht konservator dhe katolik. Kontrolli i tij mediatik e bën politikanin unik në botë, që para se t‘i bënte njerëzit të votonin për të politikisht, ua ndryshoi atyre gustot dhe shijet sipas qejfit. Në thelb të kulturës së Berluskonit është "velina", apo "showgirl" që u ofrohet italianëve çdo ditë si të ishte një pjatë makarona. Detyra e tyre është të qëndrojnë të zhveshura e memece, ndërkohë që prezantuesi mashkull i emisionit flet. Disa madje duhet edhe të kërcejnë, duke nxjerrë në orët më të papërshtatshme të ditës hire që zakonisht u rezervohen programeve të orëve të vona, kur fëmijët janë në shtrat. Ka edhe nga ato që improvizojnë zhveshje, ku gjokset dhe kofshët dalin si të ishin një gjë e zakonshme. Degraduese? Pa dyshim. Por askush nuk e mohon apo kundërshton statusin e velinës në Itali, madje edhe vajzat e reja janë gjithmonë e më të interesuara për t‘u zhveshur në ekran, të paktën sipas pretendimeve të shefit të një agjencie që merret me përzgjedhjen e bukurosheve televizive. Një sondazh i fundit i bërë te vajzat e reja në Milano nxori në pah se dëshira e tyre kryesore e karrierës ishte që të bëheshin velina televizive. Po përse gjithë ky ngut? Sepse po të jesh velinë, ke shumë shanse për të njohur një pasanik, apo futbollist me para dhe nëse ke fat e martohesh, përfundon si një shtëpiake me jetën e rregulluar. Velina është shumë më tepër se një tendencë në televizionin italian, ajo është shndërruar në kolonën e fuqishme rreth së cilës Berluskoni ndërtoi karrierën e tij politike. 15 vitet e fundit në të cilat ai ka dominuar skenën e politikës italiane, arriti që të krijonte një valë të madhe pushteti dhe dëfrimi. Talebanët mund ta kenë përdorur shtypjen e femrës për të mbajtur të nënshtruar gjithë kombin, ndërsa Berluskoni përdori për të njëjtin qëllim bukurinë dhe lakuriqësinë e saj e mbi të gjitha shndërrimin e saj në një objekt dëshirash, seksi dhe loje. Disa kohë më parë, në një nga shakatë e tij, ai ishte shprehur se amerikanët duhet që të investojnë më shumë në vendin e tij, sepse Italia ka sekretaret më seksi në botë. Velina gjithnjë e më tepër po shndërrohet nga një lojtare seksi, në një lojtare në politikë. Edhe pse ende 18 vjeçe, Noemi Letizia- marrëdhënia ende e papërcaktuar e së cilës me Berluskonin e bëri të famshme në të gjithë vendin -e di fort mirë se si funksionon loja në të cilën sapo ka hyrë. "Unë dua të jem një prezantuese televizive", deklaroi në një intervistë që dha për një të përditshme italiane. "Por gjithashtu jam e interesuar edhe në politikë, dhe pse jo e shoh veten si kandidate të mundshme për deputete. Papi Silvio do të më ndihmojë për këtë", ka vazhduar deklaratën ajo. Një vit më parë, Berluskoni formalizoi edhe mënyrën e shndërrimit të showgirl në politikane, si në rastin e shndërrimit në ministre të Mara Carfangas, 32-vjeçare, që mori postin e ministres për Mundësi të Barabarta. Këtë verë partia e tij emëroi 4 velina si kandidate për eurodeputete. Sipas zëdhënësit të Berluskonit, ideja ishte që të bëhej partia më e re. Zbavitja është në thelb të gjenisë politike të njeriut që themeloi veç të tjerave edhe partinë e tij, Forza Italia. Dhe veç kësaj, sipas shumë italianëve, ai është simboli tipik i tyre, pra i pëlqen që të hajë, i pëlqen që të bëjë festa, i pëlqejnë femrat, pra një italian normal. Nëse do të dëgjosh "Mediaset"-in, do të përballesh me një informacion që portretizon një politikan që ka nxitur rritjen ekonomike në vend, që ka negociuar paqen në Gjeorgji dhe ka ndërtuar shtëpi të reja për viktimat e tërmetit të L‘Aquilas. Italia është tashmë i vetmi vend në Europë, lideri i së cilit është edhe pronar medieje, madje ai është njeriu që kontrollon të gjitha ekranet televizive, atë privat "Mediaset" dhe shtetërorin "RAI". Ai ka në duart e tij 90% të tregut mediatik, në një vend ku 80% e popullsisë i marrin informacionet nga TV. Të kritikosh Berluskonin, mund të jetë e rrezikshme. Gazeta që ka pasqyruar më shumë se të tjerat skandalet e Kryeministrit, "La Repubblica", është vënë nën një presion shumë të madh gjatë gjithë këtyre kohëve. Për sa i përket perandorisë mediatike të Berluskonit, ajo nisi me "Milano 2", një stacion televiziv lokal që Berluskoni e krijoi kur merrej me ndërtime. Ai është pionieri i televizioneve komerciale në Europë, një njeri që i ka anashkaluar të gjitha ligjet anti-monopol, duke penguar edhe televizionin kombëtar. Në pronësi të tij janë dhe bizneset e botimit, një skuadër futbolli. Të gjitha këto e kanë shndërruar në njeriun më të pasur të vendit. Në vitin 1993 ai hyri në politikë duke deklaruar edhe krijimin e një partie të tij, Poli i Lirisë, që në fakt ishte një përpjekje për të krijuar një suazë mbrojtëse për biznesin e tij. Për sa i përket fuqisë joshëse të Berluskonit, këtë nuk e vë kush në dyshim. Ai del në shesh dhe u flet njerëzve me pasion dhe patos, e ata rrinë dhe e shikojnë e më pas e votojnë. Në një njeri të vetëm janë bërë bashkë pamja e një djali të zakonshme me sukseset e një Don Zhuani të fuqishëm. Është një ndërthurje kulturash që në Itali ka rezultuar e suksesshme. Pas Berluskonit, celebriteti më i madh në politikën italiane është ministrja 33-vjeçare, Mara. Ajo është një mbrojtëse e zjarrtë e mirëbërësit të saj, aq sa nuk humbet rast pa i bërë lajka. I tillë ishte edhe fjalimi që mbajti verën e kaluar para disa të rinjve, edhe në prezencë të Berluskonit: "Ka vetëm një njeri në Itali që pati kurajën të vendoste të rinjtë dhe gratë në politikë dhe ky është Berluskoni. Faleminderit Berluskonit, në emër të të gjithëve". E megjithatë Italia ka përqindjen më të ulët të grave të punësuara në Europë dhe vetëm 2% e pozicioneve drejtuese e menaxheriale në vend u përkasin grave, shifër kjo më e ulët se Kuvajti. Shifra të tilla janë shokuese. Të mendosh se në vitet ‘70 Italia ishte e mbushur me gra të punësuara në profesione nga më të ndryshmet dhe më të vështirat, dhe mbi të gjitha synonin që të shkolloheshin. A do të vazhdojë vallë velinizimi i Italisë edhe për shumë kohë? Që prej disa kohësh këtij fenomeni i janë kundërvënë forca të caktuara që në fakt janë edhe kundër vetë Berluskonit. Në fillim të këtij viti, dy gra parlamentare u ankuan duke thënë se ai ka shkelur Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, sepse vazhdimisht fyhen dhe nëpërkëmb dinjitetin e femrave. Edhe "La Repubblica" lançoi një peticion kundër tij, që u nënshkrua nga mbi 100 mijë persona. Por për të ndryshuar tendencën e velinizmit, Italisë do t‘i duhet shumë më tepër se kaq. Opozita është e papërqendruar me zgjedhjen e një lideri të dytë brenda një periudhe 6-mujore. Sa për italianët, ata që prej 30 vjetësh janë ushqyer nga "Mediaset", çka do të thotë se do të duan ca kohë derisa të zgjohen.