E Diel, 1 Nëntor 2026

Princesha e xhazit

"Princesha e xhazit" i përket besimit budist dhe është një ndër të paktat femra që në vend të biznesit preferon të jetojë një jetë të gjatë, duke dhënë e duke marrë shumë dashuri. Kur e pyesin se cili është qëllimi i saj profesional, thotë se nuk ëndërron suksesin, por paqen, dashurinë dhe respektin në tokë. Aziza është një vajzë që në kurrikulum, bashkë me çmimet e fituara dhe vlerësimet, nuk harron të theksojë se është vegjetariane.
Ka lindur në Baku, Azerbajxhan, më 19 dhjetor 1969. E ka filluar karrierën e saj që kur ishte 3 vjeçe, duke performuar në skenë përkrah të atit. Filloi shumë herët t‘u dedikohej formave të ndryshme artistike (kërcimit, këngës), por ajo që u dallua menjëherë ishte talenti i saj i lindur për t‘i rënë pianos dhe për të improvizuar.
Aziza është një pianiste, këngëtare dhe kompozitore me origjinë nga Azerbajxhani. Që në vogëli është marrë me muzikë. Aziza është bijë e dy muzikantësh xhazi. I ati, Vagif Mustafa Zadeh, pianisti më i famshëm i xhazit dhe kompozitor i ish-Bashkimit Sovjetik, ishte krijuesi i "Aseri-Jazz", stili që përfshin "mugam"-in, një formë e improvizimit tradicional nga Azerbajxhani. E ëma, Eliza, e cila vazhdon ta shoqërojë nëpër koncerte Azizan, është këngëtare lirike dhe xhazi që shpeshherë ka performuar edhe përkrah të shoqit. Aziza u përshtat shpejt me tingujt e xhazit dhe "mugam"-it, por ajo jep një përcaktim tjetër për këtë zhanër: "‘Mugam‘ është dialogu me Zotin, lutje, rrëfim. Me plot kuptimin e fjalë është një muziko-terapi e vërtetë".
Karriera e saj mori hov në moshë të re: që kur ishte 17 vjeçe fitoi çmimin "Thelonious Monk" të Uashingtonit, duke vërtetuar kështu se kishte trashëguar nga i ati aftësinë për të ndërthurur xhazin me muzikën tradicionale të vendit të saj. Disku i parë do ta bënte të njohur për publikun, ndërsa të tjerët do ta "shenjtëronin" si artiste të madhe në nivel ndërkombëtar (15 milionë kopje të shituara në të gjithë botën). Për albumin "Always", i publikuar në ‘93-shin, u vlerësua me çmime prestigjioze si "Phono Academy Prize" dhe "Echo Prize" nga "Sony", për albumin më të mirë xhaz. Më vonë pasuan edhe disa albume të tjera: "Dance of fire", "Shamans" dhe "Seventh Truth".
Jo rastësisht, pas mbërritjes së saj në Perëndim, menjëherë pas daljes së CD-së së parë në bashkëpunim me "Sony Records", kritika e krahasoi me muzikantët e mëdhenj si Keith Jarrett, Bill Evans, Chick Corea, mite që kanë ndikuar shumë në formimin artistik të saj: "Nuk mund ta imagjinoj muzikën time pa trashëgiminë e Bach, Kallas, Shopin... pa tim atë".
Për të, i ati, Vagif Zadeh, ishte shumë i rëndësishëm: "Është muzikanti i vetëm të cilit i referohesha. Tani që nuk është më, shpirtin e tij e mbaj gjithmonë me vete", thotë ajo. "Siç ka thënë kompozitori dhe trombisti i madh, Dizzy Gillespie, Vagif është një gjeni i lindur para kohës sonë, që na ka çuar në të ardhmen".
Nëse muzika e Jazziza-s (kështu e thërriste i ati) ka bërë për vete të gjithë publikun, kjo ka ndodhur sepse pianistja përdor me mjeshtëri stile të ndryshme dhe një teknikë të jashtëzakonshme: përzien folklorin e Lindjes me xhazin europian e muzikën klasike.
Ajo që dallohet tek Aziza nuk është vetëm talenti, por edhe paraqitja: ka sy dhe flokë të zinj, fytyrë të bardhë, buzë të kuqe, trup të hollë e të drejtë, dhe padyshim një zë elektrizues. Është një vajzë e kompletuar: i bie pianos, këndon dhe kompozon me një gjuhë ndër më të veçantat që mund të gjenden sot në muzikën klasike të xhazit. Dashuria e saj për muzikën është e pashpjegueshme. Nga notat e Aziza-s dalin citime dhe improvizime xhazi alla Keith Jarrett. Kjo mund të duket e mjaftueshme, por ka surpriza të tjera kur ajo fillon të këndojë.
Kompozimet e saj janë të mbushura me citime dhe inkursione romantike, por ajo që e dallon Aziza-n në improvizimet e saj është muzika e atdheut. E gjithë kjo mund të mjaftonte për të magjepsur publikun, por magjia e vërtetë lind kur ajo fillon të këndojë dhe zëri i saj si kristal "fluturon" përmes melodive lindore për të shpërthyer më pas te muzika xhaz, duke e lënë kështu publikun me zemër të ngrirë, siç ndodh me akrobacitë e një akrobati.
Aziza nuk është këngëtarja e vetme që ka bashkuar kulturën e saj muzikore me atë perëndimore (këtu mund të kujtohet këngëtarja izraelite Noa), por mund të quhet e para për futjen e "mugam"-it. Por a ka qenë e vështirë për një vajzë nga Baku të bëjë për vete tregun perëndimor, sidomos atë të muzikës xhaz?
"Jo. Muzika është e aftë t‘i bashkojë popujt. Pastaj unë kurrë nuk kam menduar për karrierën time gjatë këtyre viteve. Nuk kam dashur para, por qëllimi im i vetëm ka qenë ta ndaja botën time muzikore me publikun".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›